Bismilah...

Autor: Shejkh Zejd el-Medkhalij

Pyetje: Allahu u shpërbleftë me të mira! Pyetësi nga Franca thotë: Shpresojmë nga ju që të na përmendni disa dispozita për atë që sapo ka hyrë në Islam, qoftë mashkull apo femër, që dobia të jetë më e përgjithshme. Dhe cila është këshilla juaj për Muslimanët e rinj?

Përgjigje: Së pari, ai të cilit Allahu i ka dhënë mirësinë e hyrjes në Islam, pasi që ishte në kufër, e ka detyrë që ta lavdërojë Allahun – ‘Azze ue Xhel-le – dhe ta falenderojë për këtë mirësi që Ai i dha, si dhe të bëjë du’a për atë që e ftoi që të hynte në Islam, sepse nga ai pati dobinë më të madhe.

Së dyti, atij duhet t’i mësohen bazat e Islamit, duhet t’i mësohet Teuhidi, që ai ta adhurojë Allahun duke e njohur Zotin e tij, duke e veçuar Allahun në Uluhijen e Tij, në Rububijen e Tij dhe në Emrat dhe Cilësitë e Tij; duhet t’i mësohen gjykimet e Islamit dhe të Imanit, gradat e Imanit dhe të Ihsanit, dhe pikërisht këto janë gradat e fesë.

Ai duhet të mësohet si të falë namazin, fjalët dhe veprat, në mënyrë që të pranohet namazi i tij. Dhe nuk lejohet që Muslimanët ta lënë pas dore, sepse nuk mjafton vetëm që ai të deklarojë Islamin e tij, e pastaj të lihet pa u mësuar. Përkundrazi, duhet patjetër që ai të vazhdojë me seriozitet dhe me përpjekje, e po ashtu nxënësat e dijes të ofrojnë mësimdhënien për të, që ai ta mësojë Teuhidin dhe llojet e tij sa më mirë, si dhe që të dijë si të falet, si të sillet me urdhëresat dhe ndalesat, si të sillet me të drejtat e Allahut dhe të drejtat e robërve të Tij, në mënyrë që ai të jetë prej Muslimanëve të vërtetë.

Pra, nuk i lejohet atij që të jetë neglizhent dhe as Muslimanëve nuk u lejohet që ta lënë pas dore atë, sidomos nxënësat e dijes; atyre nuk u lejohet që ta lënë pas dore hakun e atij që sapo ka hyrë në Islam, por duhet të tregojnë përkujdesje të veçantë për të, në mënyrë që ai ta përmbushë detyrën që ka për mësimin e fesë së tij.

Dhe Allahu e di më së miri.

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

Përktheu: Alban Malaj