Autor: Salih ibën Feuzan el-Feuzan
Burimi: I’anetul-Mustefid bi Sherhi Kitabi Teuhid, vëll. 1/fq. 102
Muhamed ibën Abdul-Uehhabi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
Fjala e Allahut të Lartësuar:
﴿قُلْ هَذِهِ سَبِيلِي أَدْعُو إِلَى اللهِ عَلَى بَصِيرَةٍ﴾
“Thuaj: Kjo është rruga ime; unë thërras për tek Allahu me dituri të sigurt...” Jusuf, 108
________________________________________________
Shpjegimi i Shejkh Feuzanit
Te fjala e Allahut “...thërras për tek Allahu...”
Këtu ka tërheqje të vërejtjes për sinqeritetin (ikhlas-in), sepse ka njerëz që thërrasin te vetja e tyre. Njeriu mund të bëjë davet (thirrje në fe), të mbajë ligjërata, të mbajë hutbe, porse qëllimi i tij është që të dallohet dhe të duket në mesin e njerëzve; të fitojë pozitë te njerëzit, ta lavdërojnë njerëzit atë, të mblidhen njerëzit përreth tij dhe të shtohen njerëzit sa më shumë përreth tij. Nëse ky është qëllimi i tij, atëherë ky nuk thërret për tek Allahu porse thërret te vetja e tij.
Thirrësi që e braktis davetin, ai ka lënë një obligim të madh. Njeriu që nuk ka sinqeritet (ikhlas) në davet, bie në këtë haram të madh. Daveti është i domosdoshëm dhe bëhet për hir të fytyrës së Allahut – të Plotfuqishëm e të Madhëruar. Qëllimi i davetit duhet të jetë vendosja e sheriatit të Allahut, udhëzimi dhe të qenët i dobishëm për njerëzit, edhe në qoftë se të shajnë njerëzit apo të lavdërojnë. Ka thirrës që nëse nuk lavdërohen dhe nuk nxiten për të bërë davet, e lënë davetin. Kjo është argument se ai thirrës nuk thërret për tek Allahu, porse thërret te vetja e tij.
Kështu që, Muslimani duhet të ketë kujdes që pikënisja dhe qëllimi i davetit të tij të jetë sinqeriteti për të punuar për Fytyrën e Allahut, t’u bëjë dobi njerëzve, t’i largojë ata nga shirku, nga bidatet, nga kundërshtimet që kanë në fe dhe ta çojë në vend këtë obligim që ka.
Përktheu: Jeton Shasivari