Autor: Salih bin Feuzan el-Feuzan
Burimi: El-Ixhabat el-Muhimmeh fi el-Meshakil el-Mudlehimmeh, fq. 45-48
Pyetje: Sot janë shtuar ata që i atribuohen thirrjes në fe, gjë që kërkon të njohim dijetarët e vlefshëm të cilët kanë marrë përsipër të drejtojnë umetin dhe të rinjtë e umetit për në metodologjinë e të vërtetës dhe të saktës. Kush janë ata dijetarë prej të cilëve të rinjtë duhet të përfitojnë, të ndjekin mësimet dhe kasetat e tyre të inçizuara, të mësojnë diturinë prej tyre, të kthehen tek ata për t’i pyetur për gjërat e rëndësishme dhe për çështjet madhore gjatë kohës së fitneve dhe trazirave?
Përgjigje: Thirrja për tek Allahu është çështje e domosdoshme dhe feja ndërtohet mbi thirrjen dhe xhihadin (përpjekjen) pas mësimit të dijes së dobishme.
وَالْعَصْرِ ﴿١﴾ إِنَّ الْإِنسَانَ لَفِي خُسْرٍ ﴿٢﴾ إِلَّا الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ وَتَوَاصَوْا بِالْحَقِّ وَتَوَاصَوْا بِالصَّبْرِ ﴿٣﴾
“Pasha kohën! Vërtet njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë, bëjnë punë të mira, dhe këshillojnë njëri-tjetrin për të vërtetën dhe për durim”. el-Asr, 1-3
Besimi në Allahun do të thotë të kesh dije për Allahun, të Pastrin nga çdo mangësi dhe të Lartësuarin, të kesh dije për emrat e Tij, cilësitë e Tij dhe si ta adhurosh Atë; vepra e mirë vjen nga dija e dobishme, sepse vepra patjetër duhet të bazohet në dije. Thirrja për tek Allahu, urdhërimi për të mirë, ndalimi nga e keqja, këshilla e ndërsjellë e Muslimanëve me njëri-tjetrin, është gjë e cila kërkohet, por jo çdokush mund ta bëjë siç duhet këtë punë. Këto gjëra nuk i merr përsipër vetëm se njeriu që ka dituri dhe ai që ka mendime të pjekura, sepse janë çështje të rënda të cilat nuk mund t’i kryejë vetëm se ai që është i zoti dhe i aftë.
Një nga fatkeqësitë sot është se porta e davetit është zgjeruar dhe çdonjëri futet përmes kësaj porte dhe i atribuohet davetit. Ka gjasa që ai të jetë i paditur, nuk di të bëjë thirrje në fe, si pasojë ai mund të bëjë më shumë shkatërrim sesa rregullim. Ka mundësi që të jetë thirrës që është tip emocional që i merr gjërat me nxitim dhe pamaturi dhe si rrjedhojë e veprimeve të tij plasin më shumë sherre sesa kurime të çështjeve, kurse qëllimi i tij ka qenë përmirësimi.
Madje, mund të jetë nga ata që i atribuohen davetit, ndërsa nga ana tjetër kanë synime dhe epshe në të cilat thërrasin, të cilat duan t’i realizojnë në emër të davetit, t’i çorodisin mendimet e rinisë në emër të davetit dhe xhelozisë për fe, kurse synojnë devijimin e rinisë dhe largimin e tyre nga shoqëria e tyre, nga udhëheqësit e tyre shtetërorë dhe nga dijetarët e tyre.
Ata iu qasen atyre gjoja në emër të këshillës dhe thirrjes nga ana e jashtme, siç është gjendja e munafikëve në këtë umet të cilët ua duan të keqen njerëzve mirëpo duke u dukur sikur ua duan të mirën.
Për këtë po sjell shembullin e atyre që ndërtuan xhaminë “Mesxhidu Dirar – Xhaminë e shkatërrimit”, nga pamja e jashtme ajo dukej se është vepër e mirë dhe kërkuan prej pejgamberit, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, që të falej në të me qëllim që t’i nxiste njerëzit dhe ta aprovonte atë xhami, por Allahu e dinte qëllimin e atyre njerëzve se ata dëshironin dëmtimin e Muslimanëve dhe dëmtimin e Xhamisë Kuba, xhamisë së parë që u ndërtua në baza të devotshmërisë dhe dëshironin që t’i përçanin xhematin e Muslimanëve. Kështu që, Allahu ia sqaroi të Dërguarit të Tij kurthin e tyre dhe e zbriti fjalën e Tij:
والَّذِينَ اتَّخَذُوا مَسْجِدًا ضِرَارًا وَكُفْرًا وَتَفْرِيقًا بَيْنَ الْمُؤْمِنِينَ وَإِرْصَادًا لِّمَنْ حَارَبَ اللَّـهَ وَرَسُولَهُ مِن قَبْلُ وَلَيَحْلِفُنَّ إِنْ أَرَدْنَا إِلَّا الْحُسْنَىٰ وَاللَّـهُ يَشْهَدُ إِنَّهُمْ لَكَاذِبُونَ ﴿١٠٧﴾ لَا تَقُمْ فِيهِ أَبَدًا لَّمَسْجِدٌ أُسِّسَ عَلَى التَّقْوَىٰ مِنْ أَوَّلِ يَوْمٍ أَحَقُّ أَن تَقُومَ فِيهِ فِيهِ رِجَالٌ يُحِبُّونَ أَن يَتَطَهَّرُوا وَاللَّـهُ يُحِبُّ الْمُطَّهِّرِينَ
“Ata (munafikët) që ndërtuan një xhami për t’u bërë dëm (besimtarëve), për ta ndihmuar kufrin, për të shkaktuar përçarje në mesin e besimtarëve dhe për të qenë (ajo xhami) pritë (kundër besimtarëve) e atyre që luftuan kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Ata vërtet betohen: “Ne kishim për qëllim që të bënim një vepër sa më të mirë!” Por Allahu dëshmon se ata vërtet janë gënjeshtarë. Ti (o i Dërguar) mos u fal kurrë në atë (xhami), ndërsa xhamia që është ngritur që në ditën e parë (të ndërtimit) në devotshmëri, ajo është e denjë për të falur namaz në të. Aty ka njerëz që duan të pastrohen dhe Allahu i do ata që pastrohen.” et-Teube, 107-108
Nga kjo ngjarje madhështore, na bëhet e qartë se jo çdokush që shfaq një mirësi dhe një vepër të mirë, është i sinqertë në atë që bën, ndoshta me atë që bën ka prapavija dhe qëllime me të cilat synon të kundërtën e asaj që e shfaq nga ana e jashtme. Ata që i atribuohen thirrjes në këtë kohë, ka prej tyre që duan të devijojnë të tjerët dhe duan që t’i devijojnë rininë, t’i largojnë njerëzit nga feja e vërtetë, të përçajnë xhematin e Muslimanëve dhe t’i fusin ata në fitne, e Allahu na paralajmëroi kundër tyre duke thënë:
لَوْ خَرَجُوا فِيكُم مَّا زَادُوكُمْ إِلَّا خَبَالًا وَلَأَوْضَعُوا خِلَالَكُمْ يَبْغُونَكُمُ الْفِتْنَةَ وَفِيكُمْ سَمَّاعُونَ لَهُمْ وَاللَّـهُ عَلِيمٌ بِالظَّالِمِينَ
“Sikur ata (munafikët) të dilnin bashkë me ju (në luftë), nuk do t’ju shtonin juve vetëm se çrregullim, do të fusnin ngatërresa midis jush dhe do t’ju përçanin. Ka nga mesi juaj prej atyre që i dëgjojnë ata. Allahu është i Gjithëdijshëm për zullumqarët.” et-Teube, 47
Pra, nuk merret parasysh atribuimi ndaj davetit apo ajo që shfaq dikush, por ajo që merret parasysh është realiteti dhe rezultati i çështjeve.
Është obligim që të shqyrtohet çështja e personave të cilët i atribuohen thirrjes, për të qenë në dijeni se ku kanë mësuar ata? Prej nga e mësuan diturinë? Ku janë formuar? Çfarë akideje kanë? Të shikojmë veprat dhe gjurmët e tyre te njerëzit. Çfarë të mire kanë arritur? Çfarë përmirësimi është bërë si rezultat i veprave të tyre? Është detyrë që të studiohet gjendja e tyre përpara se të mashtrohemi me fjalët tyre dhe me atë që ata shfaqin. Kjo është gjë e domosdoshme, sidomos në këtë kohë që janë shtuar thirrësit e fitneve. I Dërguari, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, i përshkroi thirrësit e fitnes se janë njerëz nga mesi ynë dhe flasin gjuhën tonë, siç ka ardhur në hadithin e Hudhejfe ibën el-Jemanit, se Pejgamberi, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, kur u pyet për fitnet, ai tha:
دُعَاةٌ عَلَى أَبْوَابِ جَهَنَّمَ مَنْ أَجَابَهُمْ إِلَيْهَا قَذَفُوهُ فِيهَا
“Ata janë thirrës që thërrasin në dyert e Xhehnemit. Ai njeri që u përgjigjet atyre duke shkuar te këto dyer, ata e hedhin në të.” (Bukhariu 3606, Muslimi 1847).
Pra, i Dërguari i quajti ata “thirrës”. Andaj, ne e kemi detyrë që të jemi të kujdesshëm dhe mos të fusim në davet çdo lloj personi apo çdo njërin që thotë “Unë thërras për tek Allahu!” Apo të themi “Ky xhemat thërret për tek Allahu!” Patjetër të shqyrtojmë gjendjen aktuale të tyre dhe patjetër të shqyrtojmë gjendjen personale apo gjendjen e e xhematëve të ndryshme, ngase Allahu e ka kushtëzuar thirrjen për tek Allahu me thirrjen për në rrugën e Tij. I Lartësuari ka thënë:
قُلْ هَٰذِهِ سَبِيلِي أَدْعُو إِلَى اللَّهِ ۚ عَلَىٰ بَصِيرَةٍ أَنَا وَمَنِ اتَّبَعَنِي ۖ وَسُبْحَانَ اللَّهِ وَمَا أَنَا مِنَ الْمُشْرِكِينَ
“Thuaj: “Kjo është rruga ime, unë thërras për tek Allahu duke u bazuar në dije të sigurt dhe i thërras edhe ata që më ndjekin mua. I Pastër është Allahu nga çdo mangësi dhe unë nuk jam nga idhujtarët”. Jusuf, 108
Ky ajet është argument se ka njerëz që thërrasin për në diçka tjetër e jo tek Allahu dhe Allahu lajmëroi se pabesimtarët thërrasin për në Zjarr dhe tha:
وَلَا تَنكِحُوا الْمُشْرِكَاتِ حَتَّىٰ يُؤْمِنَّ وَلَأَمَةٌ مُّؤْمِنَةٌ خَيْرٌ مِّن مُّشْرِكَةٍ وَلَوْ أَعْجَبَتْكُمْ وَلَا تُنكِحُوا الْمُشْرِكِينَ حَتَّىٰ يُؤْمِنُوا وَلَعَبْدٌ مُّؤْمِنٌ خَيْرٌ مِّن مُّشْرِكٍ وَلَوْ أَعْجَبَكُمْ أُولَـٰئِكَ يَدْعُونَ إِلَى النَّارِ وَاللَّـهُ يَدْعُو إِلَى الْجَنَّةِ وَالْمَغْفِرَةِ بِإِذْنِهِ
“Mos u martoni me gratë idhujtare derisa ato të bëhen besimtare. Robëresha besimtare është më e mirë se idhujtarja, edhe nëse idhujtarja ju mahnit. Mos i martoni gratë besimtare me burra idhujtarë derisa ata të bëhen besimtarë. Robi besimtar është më i mirë se idhujtari, edhe nëse idhujtari ju mahnit. Ata thërrasin për në Zjarr, kurse Allahu me Vullnetin e Tij, ju thërret në Xhenet dhe falje .” el-Bekare, 221
Andaj, është detyrë që të shqyrtohet puna e thirrësve.
Shejkhul-Islam Muhamed ibën Abdul-Uehhabi, Allahu e mëshiroftë, në lidhje me ajetin që thotë:
قُلْ هَٰذِهِ سَبِيلِي أَدْعُو إِلَى اللَّهِ ۚ عَلَىٰ بَصِيرَةٍ أَنَا وَمَنِ اتَّبَعَنِي ۖ وَسُبْحَانَ اللَّهِ وَمَا أَنَا مِنَ الْمُشْرِكِينَ
“Thuaj: “Kjo është rruga ime, unë thërras për tek Allahu...” Jusuf, 108
Ka thënë: “Ky ajet tregon se duhet të kemi sinqeritet në davet, sepse shumë njerëz thërrasin për te vetja e tyre e nuk thërrasin për tek Allahu.”
Përktheu: Jeton Shasivari