Autor: Shejkh Muhammed Nasirud-Din el-Albanij
Burimi: Silsiletul-Hudaa uen-Nuur, kaseta nr.705
Pyetje: Ka disa o Shejkh që thonë se kush vritet tani në sheshin Egjiptian, (në përleshjet) midis qeverisë dhe vëllezërve (që kanë dalë në protesta), disa vëllezër thonë se ai është shehid! Dhe hadithi thotë:
إذا التقى المسلمان بسيفيهما فالقاتل والمقتول في النار
“Nëse përleshen dy Muslimanë me shpatat e tyre, edhe vrasësi edhe i vrari janë në Zjarr.”
Prandaj shpresojmë sqarimin, Allahu ju bekoftë.
Përgjigje: Së pari, përgjigja për këtë pyetje është e shkurtër: se kush vritet në këto përplasje që po ndodhin midis shtetit dhe midis disa individëve të popullit Musliman – dhe këtu po korrigjoj veten time dhe them – midis shtetit që nuk gjykon me ligjet që ka zbritur Allahu dhe midis disa individëve të popullit të cilët i kërkojnë shtetit që të gjykojë me ligjet që ka zbritur Allahu; ata që vriten nga të dyja palët, për asnjërin prej tyre nuk është me vend që të thuhet se ai është shehid. Kjo për shkak se shehidllëku ndahet në Sheriat në dy lloje: shehidllëku i vërtetë dhe shehidllëku si gjykim.
Sa i përket shehidllëkut të vërtetë, ai është kur Muslimani del nga shtëpia e tij, nga vendi i tij, për të luftuar në Rrugën e Allahut, nuk kërkon me këtë as shpërblim e as falenderim dhe as të përkrahë ndonjë gjë, përveç se që të ngrejë lartë Fjalën e Allahut, që ajo të jetë më e larta. Dhe kush del nga shtëpia e tij apo nga vendi i tij me këtë qëllim madhështor, pastaj vritet në betejë, atëherë ai është shehid. Dhe ai është shehid i vërtetë, është ai të cilit nuk i falet xhenazja dhe varroset me rrobat e tij (që mbante veshur), pa u qefinosur, ndryshe nga ç’është obligimi për të vdekurit e tjerë të Muslimanëve, për të cilët është uaxhib për një grup të Muslimanëve që t’u falin xhenazen atyre, nëse ata e kryejnë këtë obligim bie obligueshmëria për pjesën tjetër të Muslimanëve. Si dhe është obligim qefinosja dhe varrosja e tyre në varrezat e Muslimanëve. Ndërsa shehidi, shehidi i vërtetë – që është ai të cilin e përmenda më parë – është ai i cili vdes në fushën e betejës, ky nuk qefinoset, nuk lahet dhe nuk i falet xhenazja dhe nuk varroset në varrezat e Muslimanëve, porse aty ku vdiq, në vendin ku ra shehid. Ky është shehidi i vërtetë.
Ka edhe grada të tjera të shehidllëkut që fukahatë i quajnë: shehidllëku si gjykim dhe jo shehidllëku i vërtetë. Dhe ka lloje të shumta fare. I Dërguari (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) thotë:
مَنْ مَاتَ فِي الْبَطْنِ فَهُوَ شَهِيدٌ
“Kush vdes nga barku është shehid.”
Dhe me barkun këtu është për qëllim diarreja e rëndë dhe fryrja e barkut që është shkak i vdekjes së tij. Pra, ai është shehid. Mirëpo ky është shehid me gjykimin e shehidit, nuk është shehid me të vërtetë, në kuptimin që ai trajtohet sikur të gjithë Muslimanët e tjerë, duhet patjetër që të lahet, të qefinoset, t’i falet xhenazja dhe të varroset në varrezat e Muslimanëve. E kështu ka lloje të shumta, aq sa ka thënë ai (‘alejhis-selam): Kush vdes i mbytur është shehid, kush vdes nën rrënoja është shehid, kush vdes nga tuberkulozi është shehid, gruaja e cila vdes për shkak të shtatëzanisë apo gjatë lindjes... pra, të gjithë këta janë shehida. Mirëpo ata kanë shehidllëkun si gjykim, jo se kanë shehidllëkun e vërtetë.
E fundit që më kujtohet nga shembujt është fjala e tij (‘alejhis-salatu ues-selam):
مَنْ مَاتَ دُونَ مَالِهِ فَهُوَ شَهِيدٌ
“Kush vdes duke mbrojtur pasurinë e tij është shehid.”
Ata për të cilët pyet ti, për ta nuk pohoet as shehidllëku i vërtetë, madje as shehidllëku si gjykim.
Ata ne i këshillojmë dhe ne e dimë që disa prej tyre i shtynë vrulli që të dalin para turjelës me sytë e tyre. E kuptoni këtë fjalë? Përballen me forcën shtypëse e materialiste me armë të cilat s’japin kurrëfarë efekti. Ne i këshillojmë ata që të mos e kundërshtojnë Udhëzimin e Pejgamberit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe Sunetin e tij në formimin e tokës Muslimane dhe ngritjen e Shtetit Musliman në tokën Muslimane. Çfarë bëri i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem)? A mos vallë gjëja e parë që bëri kur i thirri njerëzit që të adhuronin Allahut dhe të qëndronin larg Tagutit, ishte përdorimi i armëve, shtizave, heshtave dhe shpatave? Përgjigja është jo. Mirëpo ju siç e dini – dhe çështja s’ka nevojë për detaje – se ai filloi me da’ueh në Mekkeh dhe vazhdoi kështu për gati trembëdhjetë vjet dhe hasi nga mushrikët dhunime dhe dëmtime të ndryshme, ai dhe Shokët e tij, derisa i lejoi ata që të emigronin në Habeshe, dy herë, dhe derisa ai (‘alejhis-salatu ues-selam) emigroi në Medine. Atje, ai filloi të ngrejë apo të hedhë themelet e shtetit Musliman. Dhe kështu e ka detyrë (që të veprojë) edhe grupi besimtar, grupi i ndihmuar, për të cilin ka folur i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) në hadithet e sakta, kur ka thënë:
لا تزال طائفة من أمتي ظاهرين على الحق لا يضرهم من خالفهم ، حتى يأتي أمر الله
“Nuk rresht së qënuri një grup nga Umeti im, të ndihmuar në të vërtetën, nuk i dëmton ai që i kundërshton ata, derisa të vijë urdhëri i Allahut.”
Është detyrë për këtë grup të ndihmuar, që nga njëra anë të durojnë dëmtimin që u shkaktojnë njerëzit e tjerë, si dhe të durojnë (nga ana tjetër) shtypjen nga ana e sunduesve dhe atyre të sunduarve që janë me ta, qofshin nga ushtria, nga policia etj., si dhe të mos nguten për të marrë diçka përpara se të vijë koha e saj, të mos nguten për fitoren përpara se të bëjnë sebepet për arritjen e saj, sepse me të vërtetë në kohët e herëshme thoshin: “Kush e shpejton diçka përpara se t’i vijë koha, do të goditet me privimin nga ajo gjë.”
Përktheu: Alban Malaj