Emri dhe Prejardhja e tij:
Ai është dijetari i madh, muhadithi, Shejkh ‘Abdul-Muhsin bin Hamed bin ‘Abdil-Muhsin bin ‘Abdilah el-‘Abbad Ali-Bedr. Familja Ali-Bedr vjen nga familja e Xhelasit, i cili e ka prejardhjen nga fisi i hershëm ‘Anezeh, një nga fiset që rrodhën prej ‘Adnanit (pasardhësi i Pejgamberit Isma`il). Nofka e stërgjyshit të tij ishte ‘Abbad dhe kështu, disa nga pasardhësit e tij e trashëguan këtë emër prej tij, si për shembull Shejkh ‘Abdul-Muhsin dhe mamaja e tij, vajza e Sulejman bin ‘Abdilah Ali-Bedr.
Shejkhu ka lindur natën e të Martës pas namazit të Jacisë në muajin e Ramadanit, 1353 Hixhrij, në qytetin Zulfi të Arabisë Saudite. Ky është qyteti ku ai u rrit dhe mësoi bazat e shkrimit dhe leximit.
Studimet e tij të para:
Kur ishte në Zulfi, ai studjoi me Shejkh ‘Abdullah bin Ahmed el-Mani’, Shejkh Zejd bin Muhamed el-Munejfi, Shejkh ‘Abdullah bin ‘Abdur-Rrahman el-Gaith, me të cilin mësoi krejt Kur'anin, si dhe me Shejkh Falih bin Muhamed er-Rumi.
Kur u hap shkolla fillore në Zulfi në vitin 1368 Hixhrij, ai iu hyri në të në vitin e tretë të saj dhe mori diplomën e tij të parë në vitin 1371 Hixhrij.
Pasi kreu studimet e tij fillore, ai kaloi në Rijad dhe u regjistrua në Institutin Edukativ (Me’hadul-‘Ilmi) atje. Kjo ndodhi në të njëjtin vit kur Imam ‘Abdul-‘Azijz bin Baz kaloi në Rijad nga Kharxhi, ku kishte shërbyer atje si gjykatës që nga viti 1357 Hixhrij, dhe ishte viti i parë për të që do të jepte mësim në këtë Institut. Mes shokëve të tij që studjuan në atë kohë ishte edhe Shejkh Muhamed Aman el-Xhami, Allahu e mëshiroftë.
Pasi u diplomua nga ky institut, Shejkhu u regjistrua në Kolegjin e Sheriatit në Universitetin Imam Muhamed Ibn Su’ud në Rijad. Gjatë vitit të fundit në kolegj, ai u caktua mësues në Institutin Edukativ të Burejdes më 13/5/1379 Hixhrij. Pastaj nga fundi i atij viti përfundimtar shkollor, ai u kthye në Rijad për të dhënë provimet e fundit të kolegjit. Allahu e bekoi atë duke i dhënë aftësi që të dilte i pari nga e gjithë klasa e tij që përbëhej nga 80 të diplomuar. Ata përfaqësonin klasën e katërt të të diplomuarve në Kolegjin e Sheriatit në Universitetin Muhamed bin Su’ud. Ai gjithashtu doli në vend të parë në klasën e tij gjatë tri viteve në kolegj si dhe në diplomën e dytë që mori nga Instituti Edukativ në Rijad.
Gjatë kohës që ishte në Rijad ai kishte mundësi që të studjonte me dijetarë si Shejkh Muhamed bin Ibrahim Ali-Shejkh, Shejkh ‘Abdul-Azijz bin Baz, Shejkh Muhamed el-Emin esh-Shenkijti, Shejkh ‘Abdur-Rrahman el-Afriki dhe Shejkh ‘Abdur-Rrazzak el-‘Afijfi, qoftë në Universitet apo qoftë edhe në Xhamitë përreth.
Ai studjoi veçanërisht me Shejkh ‘Abdur-Rrahman el-Afriki në Rijad në vitin 1327 Hixhrij dhe një vit më pas studjoi me të Hadithin dhe Shkencat e tij. Ai ka thënë për të: “Ai ishte një mësues i sinqertë dhe një dijetar i madh, si dhe një këshilltar, udhëzues e shembull i mirë, Allahu e mëshiroftë.”
Ai kishte gjithashtu marrëdhënie të veçanta me Shejkh ‘Abdul-‘Azijz bin Baz qëkur u takuan për herë të parë më 1327 Hixhrij. Ai studjoi me të zyrtarisht në vitin e katërt të Kolegjit të Sheriatit. Shejkh ‘Abdul-Muhsin ka thënë: “Shumicën e kontakteve që kam patur me të kanë qenë gjatë orëve të mësimit në xhami. Gjithashtu, unë shkoja e i bëja vizitë atij në shtëpi.”
Në vitin 1380 Hixhrij, ai u transferua për të dhënë mësim në Isntitutin Edukativ në Rijad. Por, kur u hap Universiteti Islamik i Medines dhe kolegji i parë që u hap aty ishte Kolegji i Sheriatit, Shejkh Muhamed bin Ibrahim Ali-Shejkh e zgjodhi atë për të punuar atje si mësues. Përpara kësaj, nga fundi i vitit 1379 Hixhrij, Shejkh ‘Abdul-Muhsin i kishte kërkuar Shejkh Muhamed bin Ibrahimit, Allahu e mëshiroftë, që ta caktonte në programin për profesionin e mësimdhënies, gjë që ai e pranoi me kusht që kur ai të përfundonte programin, ai do të jepte mësim në Universitetin Islamik me hapjen e tij. Shejkh ‘Abdul-Muhsin iu përgjigj duke i thënë se ishte plotësisht i përgatitur për detyrën.
Roli i tij në Universitetin Islamik:
Kështu, ai filloi të jepte mësim në Universitetin Islamik të Medines në vitin 1381 Hixhrij dhe ishte i pari që ka dhënë orën e parë të mësimit atje. Ai shoqëroi mësuesin e tij, Shejkh ‘Abdul-Azijz bin Baz, i cili dha mësim në Universitet për pesëmbëdhjetë vitet që pasuan.
Ai shërbeu si anëtar i komisionit të Universitetit që nga fillimi i tij e deri në vitin 1393 Hixhrij. Pastaj, më 30/7/1393 Hixhrij ai u caktua zëvendës-drejtor i Universiteti Islamik pas Shejkh ‘Abdul-Azijz bin Bazit që ishte drejtori atëkohë, i cili e emëroi në këtë pozitë mes tri kandidaturave të tjera, dhe Mbreti Fejzal, Allahu e mëshiroftë, e përzgjodhi atë për këtë detyrë.
Shejkh ‘Abdul-Muhsin qëndroi në këtë detyrë deri më 26/10/1399 Hixhrij kur u tërhoq me kërkesën e vet. Dy vitet e para të këtij gjashtë vjeçari ai qëndroi në postin e zëvendësit. Pastaj, kur shejkh ‘Abdul-Azijz bin Baz, Allahu e mëshiroftë, u transferua më tej për t’u bërë Drejtori i Komisionit për Kërkime Fetare dhe Fetva, ai zuri vendin e tij. Gjatë këtyre gjashtë viteve Shejkhu nuk ndaloi së dhëni mësim dy herë në javë për studentët e vitit të katërt në Kolegjin e Sheriatit.
Shejkh ‘Abdul-Muhsin thotë: “Unë shkoja tek ai, d.m.th. tek Shejkh Ibni Bazi, përpara se të shkoja në Universitet dhe ulesha me të për pak. Shejkh Ibrahim el-Husejin gjithashtu rrinte me ne dhe lexonim me të (kapituj) nga Mu’amelatet (marrëdhëniet shoqërore dhe ekonomike ndërmjet njerëzve) fill pas Sabahut deri kur lindte dielli. Një herë, gjatë këtyre ditëve, ai më tha: “Pashë një ëndërr natën e shkuar ku ishte një deve të cilën po e tërhiqja unë kurse ti kishe hipur mbi të. Dhe unë e çova atë tek Universiteti Islamik.” Dhe lavdi Allahut, kjo ëndërr doli e vërtetë sepse unë shërbeva si zëvendës-drejtor pas tij për dy vjet dhe pastaj mora rolin e tij si drejtor i përkohshëm për katër vjet.”
Gjatë kohës që ai shërbeu si drejtor, në librarinë e Universitetit Islamik u shtuan mëse pesëmijë dorëshkrime. Kjo ka ndodhur në të njëjtën kohë kur Shejkh Hammad el-Ensari kishte rënë në ujdi për të sjellë libra nga libraritë e ndryshme nëpër botë. Shejkh Hammadi ka thënë: “Shumica e veprave të herëshme të Selefëve që u fotokopjuan për Universitetin Islamik u bënë gjatë kohës kur Shejkh ‘Abdul-Muhsin shërbente atje si drejtor.”
Ai ka thënë gjithashtu: “Unë solla pesëmijë dorëshkrime për Universitetin Islamik gjatë udhëtimeve të mia. Shumicën e udhëtimeve i bëra me qëllimin për të marrë dorëshkrime dhe fotokopjimi i tyre u bë gjatë kohës që Shejkh ‘Abdul-Muhsin el-‘Abbad ishte drejtor i Universitetit.”
Shumica e këtyre dorëshkrimeve ishin libra të Hadithit dhe libra rreth Akijdes së Selefëve. Për të patur një ide më të qartë rreth shërbimit të jashtëzakonshëm që Shejkh ‘Abdul-Muhsin el-‘Abbad ka bërë gjatë kohës kur ai ishte drejtor i Universitetit Islamik, shiko se çfarë thotë më poshtë Shejkh Hammad el-Ensari (Allahu e mëshiroftë):
“Një ngjarje historike duhet të shkruhet për Shejkh ‘Abdul-Muhsin. Ai kreu disa punë në Universitet që unë do të desha që t’i regjistroja apo t’i inçizoja. Ishin dy kohë gjatë ditës që ai insistonte të punonte në detyrën e tij edhe kur nuk i kërkohej një gjë e tillë: në mëngjes dhe mbasdite pas Ikindisë. Shkova njëherë që t’i bëja vizitë në zyrën e tij pas Ikindisë kur ai ishte drejtor i Universitetit dhe u ula me të. Pastaj i thashë: “Ku është kafeja Shejkh?” Ai u përgjigj: “Tani është Ikindi dhe nuk ka njeri që ta bëjë.” Njëherë, unë isha i vendosur që të shkoja në Universitet përpara atij kështu që hipa në makinë dhe shkova. Kur mbërrita në Universitet, atje ishte Shejkh ‘Abdul-Muhsin që po hapte derën e Universitetit përpara çdo njeriu tjetër!”
Ai thoshte: “Transmetojeni tek njerëzit zellin që ka në punë Shejkh ‘Abdul-Muhsin sepse nuk ka gjë të keqe tek kjo.”
Gjithashtu, Shejkh ‘Abdul-Muhsin el-‘Abbad u bë shkak që Shejkh Hammad el-Ensari të shkruante librin e tij të famshëm rreth Teuesulit, i cili shërbeu si refuzim ndaj librit të shkruajtur nga ‘Abdullah el-Gumari, të cilin e solli Shejkh ‘Abdul-Muhsin bashkë me të nga Maroku.
Një tjetër moment historik për Universitetin gjatë drejtimit të Shejkh ‘Abdul-Muhsin ishte se ai kaloi nga mbikqyrja shtetërore në një institucion privat, u formua departamenti për studimet e magjistraturës dhe doktoraturës, u formua fakulteti për studimet Kur'anore dhe Islamike në tërësi, u formua fakulteti për studimet e Hadithit dhe Gjuhës Arabe, territori i Universitetit u zgjerua për të akomoduar 20.000 studentë, si dhe u ngrit departamenti i botimeve për Universitetin.
Shejkh ‘Abdul-Muhsin vazhdon të japë mësim në Universitet deri në këtë ditë, megjithëse ai e ka kaluar moshën e tërheqjes nga puna. Askush nuk ka dhënë mësim kaq gjatë në Universitetin Islamik sikurse ai, sepse ai ka dhënë mësim që ditën e parë të hapjes së tij e deri më sot. Përveç kësaj, ai vazhdon të japë mësim në Xhaminë e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem).
Dëshmi e mjaftueshme për rolin që ka luajtur Shejkh ‘Abdul-Muhsin el-‘Abbad në Universitetin Islamik të Medines është ajo çfarë ka thënë Shejkh Hammad el-Ensari, shënuar nga i biri i tij në biografinë e Shejkh Hammadit (2/597): “Universiteti Islamik është universiteti i ‘Abbadit, Zejdit dhe Shejkh Ibni Bazit.” Pastaj ai vazhdon më tej duke lavdëruar ditët që kaluan së bashku.
Udhëtimet e tij:
Udhëtimi i parë që ndërmori Shejkhu jashtë vendlindjes së tij (Zulfi) ishte kur ai udhëtoi drejt Mekës për të kryer Haxhin në vitin 1370 Hixhrij. Pastaj, në vitin 1371 Hixhrij ai udhëtoi drejt Rijadit për të kërkuar dije. Ai ka shkuar gjithashtu edhe në Marok. Është thënë se Shejkh ‘Abdul-Muhsin e ka marrë gradën e magjistraturës në Egjipt.
Disa nga fjalët e çmuara të Shejkhut:
“Unë zotëroj shënime nga klasë të ndryshme të shkollës, duke filluar që nga klasa e tretë e shkollës fillore, të cilat janë (shënimet) më të shtrenjta dhe më të vyera që kam ruajtur.”
“Nga veprat më të dashura dhe më me shpresë për mua përpara Zotit tim është dashuria ime e madhe për Sahabët e të Dërguarit të Allahut dhe urrejtja ime ekstreme ndaj atyre që i urrejnë ata. Dhe Allahu më ka begatur vërtet me fëmijë: me djem e vajza. Unë u kam vënë katër djemve të mi emrat e katër Khalifëve të Udhëzuar, pasiqë njërit i vura emrin e Prijësit të Pejgamberëve, d.m.th. Muhamed. Dhe u kam vënë disave nga vajzat e mia emrat e Nënave të Besimtarëve, pasiqë njërës i vura emrin e Prijëses së Besimtareve, d.m.th. Fatime. Unë i lutem Allahut dhe kërkoj që të afrohem tek Ai me anën të dashurisë sime për ata dhe urrejtjen që kam ndaj atyre që i urrejnë ata. Dhe unë i lutem Atij që të më bashkojë me shoqërinë e tyre dhe t’i ngrejë ata lart në grada e shpërblim.
Studentët e tij:
Shumë nga dijetarët e sotëm dhe studentë të mirënjohur kanë studjuar me Shejkhun qoftë në orët e tij në Universitet apo në mësimet e tij në Xhaminë e Profetit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem). Nga më të famshmit prej tyre përmendim:
Shejkh Ihsan Ilahi Dhahir, Allahu e mëshiroftë,
Dr. ‘Ali Nasir el-Fekijhi,
Dr. Salih es-Suhajmi,
Dr. Uasiullah ‘Abbas,
Dr. Basim el-Xheuabira,
Dr. ‘Asim bin ‘Abdilah el-Karjuti,
Dr. Ibrahim er-Ruhajli,
Dr. ‘Abdur-Rrazzak el-‘Abbad, i biri i tij,
Dr. Rabij' bin Hadij el-Medkhalij.
Lidhja e tij me Dijetarët:
Ai kishte lidhje të veçantë me njerëzit e dijes, në mënyrë të veçantë me ata që jepnin mësim në Universitetin Islamik, pa përmendur këtu ata për të cilët ai kishte dëgjuar se ishin njerëz me virtyte dhe pozitë të lartë. Për ta ilustruar këtë, ai kishte marrëdhënie të veçanta me Shejkh ‘Umer Fullata, Allahu pastë mëshirë për të, që mund të shihet në një ligjëratë të mbajtur për të mbas vdekjes së tij, e cila më pas u transkiptua dhe u botua.
Shkrimet e tij:
Shejkh ‘Abdul-Muhsin el-‘Abbad ka shkruajtur shumë libra, disa prej të cilëve ishin fillimisht ligjërata apo mësime që kishte dhënë Shejkhu gjatë jetës së tij. Më poshtë janë rradhitur disa nga librat dhe broshurat e tij më të njohura:
Ishrune Hadijthen min Sahijhil-Bukhari [20 Hadithe nga Sahihu i Bukharit],
Ishrune Hadijthen min Sahijhil-Muslim [20 Hadithe nga Sahihu i Muslimit],
Min Akhlakir-Rasulil-Kerijm [Nga Morali i të Dërguarit Fisnik],
‘Akijdetu Ehli-Sunneh uel-Xhema’ah fij Sahabetil-Kiram [Akideja e Ehli-Sunetit dhe Xhematit rreth Sahabëve të Nderuar],
Fadlu Ehlil-Bejt ue ‘Ulu Mekanetihim ‘inde Ehli-Sunneh uel-Xhema’ah [Mirësia e Anëtarëve të Shtëpisë së Pejgamberit dhe Pozita e Lartë që kanë ata tek Ehli-Suneti dhe Xhemati],
‘Akijdetu Ehlis-Sunneh uel-Ether fij el-Mehdi-il-Muntedhar [Akideja e Pasuesve të Sunetit dhe Ethereve rreth Mehdiut të Pritur]. Ky libër fillimisht ka qenë një leksion i mbajtur nga Shejkhu në prani të Shejkh ‘Abdul-‘Azijz bin Baz i cili e lavdëroi atë, dhe ai deklaroi se do ta botonte atë përpara se ta përfundonte plotësisht.
er-Radd ‘ala er-Rifa’i uel-Buti [Refuzim kundër Mustafa Rifa’it dhe Muhamed Ramadan el-Buti],
el-Intisar li-Sahabetil-Akhjar [Në ndihmë të Sahabëve të Shkëlqyer],
Fadlul-Medinetu ue Edeb Suknaha ue Zijaretiha [Mirësia e Medines dhe Edukata e Banimit dhe Vizitës në të],
Sherh ‘Akijdetu Ibn Ebi Zejd el-Kajrauani [Shpjegimi i Akijdes së Ibn Ebi Zejd el-Kajrauanit]. Ky shpjegim bazohet në mësimet e ndryshme që ka mbajtur Shejkhu në Xhami. Shejkh ‘Abdul-Muhsin ishte një nga Dijetarët e parë Selefijinë, në mos ndoshta i pari që ka bërë shpjegimin e këtij libri. Shejkh Hammad el-Ensari, i cili vdiq në mes të vitit 1418 Hixhrij, ka thënë: “Asnjë Dijetar Selefij nuk e kishte shpjeguar Akijden e Ibn Ebi Zejd el-Kajrauanit. Vetëm Esh’aritë kanë bërë shpjegim e tij.
Min Ekualil-Munsifin fij es-Sahabij el-Khalife Mu’auije [Nga Fjalët e Drejta në lidhje me Sahabin, Khalifin Mu’auije],
Rifkan Ehli-Sunneh bil-Ehli-Sunneh [Butë o Eli-Sunet me Ehli-Sunetin],
Fet’hul-Kauij-il-Metijn bi Sherh-il-Erbe’in [Ndihma e Allahut në Shpjegimin e 40 Haditheve të Neveviut],
Sherh Shurut es-Salat [Shpjegimi i Kushteve të Namazit]. Ky është një shpjegim i përmbledhur i veprës klasike të Imam Muhamed Ibn ‘Abdul-Uehab.
Bi ejji ‘Aklin ue Dinin jekunu et-Tefxhiru uet-Tedmiru Xhihaden?! Uejhakum... Ufiku ja Shebab!! [Me Çfarë Feje dhe Logjike mund të konsiderohet Shpërthimi dhe Shkatërrimi Xhihad?! Mjerë për ju... Zgjohuni o ju të rinj!!]
Bedhel en-Nus`h uet-Tedhkir Libakaja el-Meftunin bit-Tekfir uet-Tefxhir [Një broshurë që trajton devijimin e atyre që kanë rënë në fitnen e tekfirit dhe shpërthimeve në Arabinë Saudite].
Shejkh ‘Abdul-Muhsin ka të tjera libra e broshura, qofshin ato shkrime të tija apo leksione e ligjërata të transkiptuara që janë botuar më pas.
Lavdërimet e Dijetarëve për të:
Dijetari i madh, Hammad el-Ensari, Allahu pastë mëshirë për të, ka thënë: “Vëret, sytë e mi nuk kanë parë ndonjë të ngjashëm si Shejkh ‘Abdul-Muhsin el-‘Abbad në aspektin e devotshmërisë.” [Terxheme Hammad el-Ensari (2/621)]
Është e rëndësishme që të përmendim se Shejkh Hammadi i ka thënë këto fjalë megjithëse ai është shoqëruar me Dijetarë të mëdhenj si Muhamed bin Ibrahim Ali-Shejkh, el-Mu’alimi, Ibn Baz dhe el-Albani. Kështu që kjo është një dëshmi e madhe.
Meqë Shejkh ‘Abdul-Muhsin ishte shumë i ditur në fushën e Hadithit, Dijetari i madh, Imam el-Albani mbështetej në disa prej verifikimeve të tij (të Shejkh ‘Abbadit), siç mund të shihet në veprën e tij ‘es-Sahiha’ (5/276). Ndërsa saktëson një hadith rreth Mehdit dhe përmend Ibn Kajjimin i cili thotë se ai ishte i mirë, Imam el-Albani tha: “Shejkh el-‘Abbad u pajtua me të në broshurën e tij rreth Mehdit.”
Ai kishte marrëdhënie shumë të forta me mësuesin e tij, Shejkh ‘Abdul-‘Azijz bin Baz. Saherë që dikush vinte nga Medina në Rijad, ai i pyeste ata për Shejkh ‘Abdul-Muhsin el-‘Abbad, Shejkh Hammad el-Ensari dhe Shejkh ‘Umer el-Fulata. [Xheuarih min Sira Ibn Baz, fq. 261]
Shejkhul-Albani (rahimehullah) ka thënë për të: “Unë s’njoh askënd që të barazohet me të në këtë kohë për përkushtimin ndaj Hadithit dhe hulumtimit të gjerë të tij. Unë s’mund të bëj dot pa to dhe nuk mendoj se ndonjë tjetër mund të bëjë dot pa librat e tij dhe të mos përfitojë prej tyre.”
Shembuj nga devotshmëria e tij:
Kur Shejkhu shërbeu si drejtor i Universitetit Islamik të Medines, ai nuk abuzoi me pozitën e tij që ta shfrytëzonte atë si një mundësi për të shtypur ata që ishin të punësuar atje. Shejkh Hammad el-Ensari tregon: “Shkova në Universitet në kohën e Ikindisë kur Shejkh ‘Abdul-Muhsin shërbente si drejtori i tij. Dhe nuk kishte asnjë njeri në Universitet përveç meje dhe atij. Kështu, unë i thashë: “Përse nuk sjellin ndonjërin që ta hapë Universitetin në vendin tënd përpara se të vish ti?” Ai u përgjigj: “Nuk dua të fus asnjërin në punë gjatë kësaj kohe sepse është kohë pushimi.” Kjo ishte gjatë kohës së Ikindisë.
Një i diplomuar nga Universiteti tregon se kur Shejkhu ishte drejtor, ai nuk donte që të ndalonte makinën e Universitetit në rrugë për të blerë gjëra për shtëpinë e tij. Domethënë, meqë makina ishte vetëm që ta merrte atë për në punë e pastaj ta kthente prapë, ai nuk deshte që të abuzonte duke e përdorur atë për arsye personale.
Në një rast tjetër, kur detyra e tij si drejtor përfundoi, shoferi i tij e pa atë në rrugë duke pritur, kështu ai kaloi pranë tij si zakonisht dhe i ofroi që ta çonte në shtëpi me makinë, por ai u përgjigj: “As që e çoj në mendje! Detyra ime si drejtor ka përfunduar dhe i telefonova djalit që të vijë të më marrë.”
Shembuj nga humori dhe shkatë e tij:
Në ligjëratën e mbajtur rreth biografisë së Shejkh ‘Umer Fulatas, Shejkh ‘Abdul-Muhsin tha: “Nga ngjarjet e këndshme që kemi kaluar të dy është se unë bëjë gjithmonë shaka me Shejkh ‘Umerin rreth moshës së tij dhe se sa i vjetër ishte ai, megjithëse ai nuk e vërente. Një vit, kur ishim në Haxh, ne hymë në një nga tendat në ‘Arafat ku pamë një burrë, flokët e të cilit ishin zbardhur plotësisht - madje edhe vetullat e tij. Kështu që i thashë Shejkh ‘Umerit: “Ky burrë është nga shokët e tu” - d.m.th. ai është i vjetër në moshë. Pasi u ulëm, burri më pa mua dhe më tha: “Unë jam studenti yt. Ti më ke dhënë mësim gjatë netëve të kursit në shkollën fillore në Rijad.” Kjo ka ndodhur rreth vitit 1374 Hixhrij. Në kohën kur studjoja në Rijad, unë jepja mësim vullnetarisht në mbrëmje tek ajo shkollë ku pjesa më e madhe e studentëve punonin gjatë ditës. Kështu, Shejkh ‘Umeri, Allahu pastë mëshirë për të, e pa këtë si një mundësi për t’u kthyer nga unë pastaj. Pastaj, ai vazhdonte ta pyeste burrin herë pas here: “Ti je studenti i Shejkh ‘Abdul-Muhsin?”
Mësimet e tij:
Si u përmend më përpara, Shejkh ‘Abdul-Muhsin jep rregullisht mësim në Xhaminë e Pejgamberit, përveç mësimit në Universitet. Ai jep mësim gjithashtu në Xhaminë e tij. Nga veprat klasike që ka shpjeguar Shejkhu gjatë mësimeve të tij në Xhaminë e Profetit, të cilat mund të gjenden edhe në audiotekën e Haramit, përmendim:
Shpjegimi i përmbledhjes së veprës el-Elfije të Sujutit (57 kaseta),
Shpjegimi i Akijdes së Ibn Ebi Zejd el-Kajrauanit (14 kaseta),
Shpjegimi i Sahihut të Bukharit, të cilin ai nuk e përfundoi (623 kaseta),
Shpjegimi i Sunenit të Nesaiut (414 kaseta),
Shpjegimi i Sunenit të Ebi Davudit (272 kaseta dhe vazhdon ende),
Shpjegimi i Librit të Agjërimit nga el-Lu’lu uel-Merxhan (7 kaseta),
Shpjegimi i Edabul-Meshij ilas-Salat (14 kaseta).
Allahu e shpërbleftë Shejkhun për mundin e madh që ka shpenzuar në edukimin e Muslimanëve dhe përhapjen e të vërtetës.
Allahu e ruajt atë nga çdo e keqe!
Numri i telefonit të Shejkhut në Medine është: 04/8475207
Përktheu Alban Malaj