Bismilah...

Autor: Muhamed es-Sejid el-Xhulejnid
Burimi: Risaletun ila Ehlith-Thegr (fq. 3-4) nga Ebul-Hasen el-Esh’ari [1]
Shënim: Fundnotat janë marrë nga libri “Male të Diturisë” (fq. 250-253)


Emri i tij është Ebul-Hasen ‘Ali Ibn Isma`il, prejardhja e të cilit nga Ebu Musa el-Esh’ari (radij-Allahu ‘anhu). Ai ka lindur në vitin 260 Hixhrij sipas mendimit më të saktë të historianëve. I ati i vdiq kur ai ishte ende i vogël. Përpara se të vdiste, babai i tij e la atë nën kujdesin e Zekerija es-Saxhi, i cili ishte imam në Hadith dhe në Fik’h gjatë kohës së tij. Es-Seme’ani ka transmetuar në librin e tij el-Ensab nën autoritetin e Ibnul-Kelbit se Esh’ariu e mori këtë nofkë nga fjala arabe “Esh’ari” (leshator) ngaqë kur ai lindi ishte leshator. Vendlindja e tij ishte Basra, kurse qyteti ku ka banuar ishte Bagdadi, në të cilin qëndroi deri sa vdiq në vitin 324 Hixhrij, sipas mendimit më të saktë të historianëve.

Kërkimi i diturisë:

Ai mësoi fik’h me Ebu Is`hak el-Meruezin. Esh’ariu ulej në mexhliset e Meruezit të Xhumave në Xhaminë Mensur ku mësonte fik’hun Shafi’i, derisa u specializua në këtë fushë. Ai mësoi gjithashtu me Saxhin, i cili e kishte marrë atë nën mbikqyrje me porosi të babait të tij. Ai mësonte prej tij hadithin. Ai ka transmetuar gjithashtu nga el-Xhumahi, Ibn Nuh, el-Makri dhe ed-Dabbi. Poashtu, ai mësoi ‘Ilmul-Kelam nga ‘Ali el-Xhuba’i.

Ibn en-Nedim ka thënë: El-Esh’ari ishte Mu’tezili, por ai u pendua nga besimi që Kur'ani ishte i krijuar në Xhaminë Qëndrore në Basra në ditën e Xhuma. Ai hipi në mimber dhe thirri me zërin e tij të lartë: “Kushdo që më njeh mua, atëherë më ka njohur tashmë. Dhe kushdo që nuk më njeh, atëherë unë po ju njoftoj se kush jam. Unë jam filani i biri i filanit. Unë më përpara kisha mendimin se Kur'ani ishte i krijuar, se Allahu nuk do të shikohet nga sytë (e njerëzve në Ahiret) dhe se ai që i bën veprat e këqia jam vetëm unë (pra nuk ato ndodhin me Kaderin e Allahut). Por tani unë pendohem dhe heq dorë nga të gjitha ato.

Disa burimi përcaktojnë se koha që shpenzoi Esh’ariu në besimin Mu’tezili ishte 40 vjet. Ibn ‘Asakir ka përcjellë shumë transmetime rreth kësaj çështjeje kur përmendet arsyeja përse Esh’ariu u kthye nga besimet e Mu’tezilëve. Dhe sipas atyre transmetimeve kjo ndodhi si rezultat i një ëndërre ku ai kishte parë Pejgamberin (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), i cili e urdhëroi që të ndihmonte medh’hebin e Ehlul-Hadithit dhe Selefëve të Umetit, pasi ai ishte medh’hebi më i drejtë dhe më i dalluari në të vërtetën. Kështu, që prej asaj dite, Esh’ariu kaloi nga medh’hebi i Mu’tezilëve në medh’hebin e Muhadithinëve. Pastaj ai filloi të shkruante libra në përkrahje të tyre.

Çfarë kanë thënë Dijetarët për të:

Edh-Dhehebi ka thënë: “Unë kam parë katër vepra të Ebul-Hasen (el-Esh’ari) rreth çështjeve të akijdes kur ai përmendte parimet e Rrugës së Selefëve për sa i përket Sifateve (Cilësive të Allahut). Në to, ai ka përmendur se: “Ato duhet të lihen ashtu siç janë transmetuar.” Dhe pastaj ka thënë: “Kjo është ajo që them unë dhe kjo është Feja ime, dhe ato (d.m.th. Cilësitë e Allahut) nuk duhet të interpretohen me te’uil (d.mth. nuk duhet të shtrembërohet kuptimi i tyre).

Edh-Dhehebi ka thënë: “Na ka mbërritur se Ebul-Hasen (el-Esh’ari) u pendua dhe u ngjit në mimber në Basra dhe pastaj tha: “Unë thoja se Kur'ani ishte i krijuar, se njerëzit nuk do ta shohin Allahun me sytë e tyre dhe se e keqja është veçse një veprim i imi e jo nga Kaderi - por unë pendohem dhe besoj në refuzimin e Mu’tezilëve.” [2]

Ai bënte shumë lojra dhe shaka. Këtë gjë e ka thënë Ibn Khalikani.

Ai ka shkruajtur shumë libra dhe kënaqej me pak.

Ibnul-‘Imad ka thënë në esh-Shadharat edh-Dheheb (2/303-305): Ai ka thënë në librin e tij el-Ibane fij Usulid-Dijane, dhe ky ishte libri i tij i fundit që shkroi [3] dhe tek ky libër mbështeten shokët e tij që e mbrojnë atë nga ata që e sulmojnë: “Kapitull: Sqarim i Thënieve të Njerëzve të Hakut dhe Sunetit: Kështu që, nëse ndonjë person do të thotë: Nëse ti e ke refuzuar thënien e Mu’tezilëve, Kaderive, Xhehmive, Harurive, Rafidive dhe Murrxhi’ave, atëherë na njofto ne për thënien në të cilën ti mbahesh dhe Fenë në të cilën je. Atëherë atij i thuhet: Thënia të cilës ne i mbahemi dhe Feja në të cilën ndodhemi është:

Të mbajturit pas Fjalës së Zotit tonë dhe Sunetit të Pejgamberit tonë, dhe asaj që është transmetuar nga Sahabët, Tabi’inët dhe Imamët e Hadithit. Ne kapemi fort pas kësaj dhe themi atë që thoshte Ebu ‘Abdilah Ahmed Ibn Hanbel, Allahu e ndriçoftë fytyrën e tij, e lartësoftë gradën e tij dhe i dhëntë një shpërblim të madh. Dhe ne kundërshtojmë çdo gjë që bie në kundërshtim me thënien e tij, ngase ai është Imami fisnik dhe udhëheqësi i plotë, me të cilin Allahu e bëri të qartë të vërtetën, refuzoi devijimin dhe sqaroi rrugën. Me të, Ai çrrënjosi bidatet e bidatçijve, devijimet e të devijuarve dhe dyshimet e të dyshimtëve. Kështu që, Allahu pastë mëshirë për të - Imami që ka epërsi, nder dhe respekt - mësuesi i shquar e i shkathët.”

Pastaj Ebul-Hasen vazhdon më tej duke cituar Akijden e Ehlus-Sunneh uel-Xhema’ah, dhe ajo që tha ishte:

“Dhe kushdo që pretendon se Emrat e Allahut janë diçka tjetër nga Ai, atëherë ai është i devijuar. Ne gjithashtu e konsiderojmë si Fenë tonë që Allahu i kthen zemrat e robërve midis dy Gishtave të Tij, sikurse është transmetuar nga i Dërguari i Allahut, (transmetime) të cilat janë përcjellë nga transmetues të besueshëm, njëri pas tjetrit. Dhe ne besojmë në të gjitha transmetimet që e kanë përcjellë atë dhe njerëzit e transmetimeve që pohojnë lidhur me zbritjen e Allahut në qiellin më të ulët, dhe Zoti Krenar e i Lartmadhëruar thotë: “A ka dikush ndonjë kërkesë, a ka ndonjë që kërkon falje...” dhe pjesa tjetër që pohojnë ata, ndryshe nga njerëzit e devijimit që duan të të shpien në humbje.”

Vdekja e tij:

Edh-Dhehebi ka thënë: “Ai vdiq në Bagdad në vitin 324 Hixhrij. Një grup prej Hanbelive dhe dijetarëve folën ashpër kundër atij, por çdo njeriu disa nga fjalët e tij i pranohen ose disa i refuzohen - me përjashtim të atij që është i mbrojtur nga gabimi nga Allahu (pra i Dërguari i Allahut).”

Fundnota:
[1] Ky libër, Risaletun ila Ehlith-Thegr, bashkë me dy librat e tjerë të Ebul-Hasen el-Esh’ari, el-Ibane dhe el-Mekalatul-Islamijin përfaqësojnë Akijden finale të tij mbasi që ai u pendua nga doktrinat Mu’tezilije dhe u kap fort mbas Akijdes së Ehlus-Sunneh uel-Xhema’ah.
[2] Mes refuzimeve që u ka bërë ai Mu’tezilëve është ajo që gjendet në librin e tij el-Ibane ‘an Usulid-Dijane (fq. 201): “Mu’tezilët mohuan Dënimin në Varr. Por ai (Dënimi në Varr) është transmetuar nga Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) me shumë rrugë (transmetimi) si dhe nga Sahabët e tij. Dhe asgjë nuk është transmetuar nga ata ku të mohoet apo të refuzohet kjo, madje ka Ixhma’ nga Sahabët e Pejgamberit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) në këtë çështje.” Ai ka thënë gjithashtu: “Ka Ixhma’ se Dënimi në Varr është i vërtetë dhe se njerëzit do të vihen në sprovë dhe do të pyeten në varret e tyre. Andaj Allahu na përforcoftë në atë që Ai do.” [Shkëputur nga libri i tij, Risaletu ila Ehlith-Thegr, fq. 279]
[3] Ebu Kasim ‘Abdul-Malik bin ‘Ijsa bin Derbas (vdiq në vitin 659 Hixhrij) në librin e tij: “edh-Dhebb ‘an Ebi Hasen el-Esh’ari” përmend njerëzit e dijes që ia kanë atribuar këtë libër Ebul-Hasen el-Esh’arit dhe kanë dëshmuar se ai libër përbën Akijden e tij të cilën ai e përqafoi në fundin e jetës së tij, dhe prej tyre ai përmend: el-Imam el-Hafidh Ebul-‘Abbas Ahmed bin Thabit et-Turki, Ebu ‘Uthman Isma’il es-Sabuni, Imamul-Kurra Ebu ‘Ali Hasen bin ‘Ali bin Ibrahim el-Farisi, el-Imam el-Fekijh Ebul-Fet’h Nasr el-Makdisi, el-Imam el-Hafidh Ebul-Kasim ‘Ali bin Hasen bin Hibetullah esh-Shafi’i, el-Fekijh Ebul-Me’ali Mexheli dhe el-Hafidh Ebu Muhamed bin ‘Ali el-Bagdadi.

Ai thotë në parathënien e librit të tij: “E më tej: Dijeni, o bashkësi e vëllezërve - Allahu na dhëntë sukses neve dhe juve në Fenë e drejtë e të saktë dhe na udhëzoftë të gjithëve në Rrugën e Drejtë - se libri el-Ibane ‘an Usulid-Dijane, të cilin e shkroi Imam Ebul-Hasen ‘Ali bin Isma’il el-Esh’ari, është ai ku është vendosur çështja e tij [d.m.th. Akideja dhe qëndrimi i tij] në lidhje me atë që ai mbajti si Akijden e tij dhe me të cilën adhuroi Allahun Subhanehu ue Te’ala, mbas kthimit të tij nga I’tizali [d.m.th. nga medh’hebi i Mu’tezilëve] me Mirësinë e Allahut dhe Dashamirësinë e Tij. Dhe çdo thënie [apo broshurë] që i është mveshur atij sot dhe që kundërshton atë që gjendet në el-Ibane, atëherë ai u largua nga ajo dhe e deklaroi veten e tij të pafajshëm përpara Allahut të Lartmadhëruar. E si mund të jetë ndryshe, kur ai ka thënë në të se ajo është Feja me të cilën ai adhuron Allahun, të cilën ai e përcjell dhe është i vendosur fuqimisht - rruga e Sahabëve, Tabi’inëve dhe Dijetarëve të Hadithit, ata që kanë kaluar, si dhe ajo që ka thënë Imam Ahmed bin Hanbel, Allahu pastë mëshirë për të gjithë ata. Dhe ajo [Feja e tij] është ajo që tregon Libri i Allahut dhe Suneti i Pejgamberit të Allahut. Atëherë, a lejohet të thuhet se ai u kthye tek diçka tjetër në vend të saj? Ku u kthye ai saktësisht dhe çfarë mund të shohësh ti? Mos vallë ai u kthye nga Libri i Allahut dhe Suneti i Pejgamberit të Allahut tek e kundërta e asaj ku kanë qenë Sahabët, Tabi’inët dhe Dijetarët e Hadithit që kanë kaluar? Dhe duke e ditur që ai kishte qenë medh’hebi i tyre? Ai e përcolli këtë [d.m.th. Akijden e tij në librin el-Ibane] nga ata, andaj si mundet që ajo e cila nuk i bën dobi Muslimanëve të thjeshtë t’i mvishet Dijetarëve të Fesë? Apo a mund të thuhet se ai ishte injorant rreth asaj që po përcillte nga Selefët që kishin kaluar... kjo është diçka që një person i drejtë nuk mund ta imagjinojë apo ta dyshojë kurrë, dhe askush tjetër përveç se një person arrogant mund ta mendojë një gjë të tillë...” [Shiko librin edh-Dhebb ‘an Ebi Hasen el-Esh’ari, kontrolluar dhe verifikuar nga ‘Ali bin Muhamed bin Nasir el-Fakijhi (fq. 97-108). Kjo fundnotë është shkëputur nga libri “Bazat e Sunetit”.

 

 

Përktheu Alban Malaj