Bismilah...

Autor: Shejkh Rabij’ Ibn Hadij el-Medkhalij

Burimi: Sahab.net

Prej atyre pengesave që i pengojnë njerëzit nga dija është: kur dalin në krye të diturisë vocërrakët – Allahu na ruajt – dhe kjo është prej shenjave të Orës së Fundit, kur të kërkohet dituria nga vocërrakët, nga të rinjtë në moshë. Vocërraku mëson çik dhe sakaq ai e shikon veten e tij si Alim! Dhe njeriu i vocërr, miskin e sheh veten e tij se ka arritur fundin dhe del në krye. Pastaj i vijnë xhahilat dhe ulen rreth tij dhe shkëputen nga Ulematë, Allahu na ruajt. Dhe kjo është tregues i afrimit të Orës së Fundit, është prej shenjavë të Orës së Fundit: njerëzit do t’i braktisin Ulematë e mëdhenj dhe do të shkojnë të marrin dije tek xhahilat vocërrakë që shtiren sikur kanë dije. Dhe kjo është fatkeqësi e madhe.

Thotë ‘Abdullah Ibn Mes’udi (radij-Allahu ‘anhu):

لا يزال الناس بخير ما أخذوا العلم عن كبارهم وأمنائهم وعلمائهم) تأمل هذا الكلام (وإذا أخذوا العلم عن صغارهم، هلكوا

“Njerëzit do vazhdojnë të jenë në mirësi për sa kohë që e marrin dijen nga të mëdhenjtë, të besuarit dhe ulematë e tyre...” – medito tek kjo fjalë – “...dhe nëse do ta marrin dijen nga të vegjlit e tyre, atëherë u shkatërruan.”

Dhe kjo është prej pengesave dhe barrierave të vështira në rrugën e dijes. Disa njerëz mund ta duan diturinë, mirëpo ata mashtrohen nga ky vocërrak dhe mendojnë se ai është më i dituri i njerëzve. Por sikur ai të shkonte tek të tjerët do të shikonte se ai vocërrak e ka detyrë që të kërkojë dijen bashkë me të dhe të ulen para prëhërit të Ulemave.

Dhe prej fatkeqësive të rënda dhe pengesave të dijes është dalja në krye e atyre njerëzve të cilët janë si kusarët e rrugës; i pengojnë njerëzit nga dija dhe nga dijetarët. Dhe kjo është prej shenjave të Orës së Fundit, prej shenjave të këqija të cilat i paraprijnë Orës së Fundit, sikurse ka thënë Ibn Mes’udi (radij-Allahu ‘anhu):

“Njerëzit do vazhdojnë të jenë në mirësi...” - domethënë nëse ndryshohet kjo gjendje ata do të jenë në sherr – “...për sa kohë që e marrin dijen nga të mëdhenjtë, të besuarit dhe ulematë e tyre...” – ky vocërrak që ka dalë në krye mund të japë fetva për diçka që rreth të cilës s’ka dije, mund të flasë për Allahun pa dije:

قل إنما حرم ربي الفواحش ما ظهر منها وما بطن والإثم والبغي بغير الحق وأن تشركوا بالله ما لم ينزل به سلطانا وأن تقولوا على الله ما لا تعلمون

“Thuaj: Me të vërtetë, Zoti im ka ndaluar vetëm punët e pahijshme, qofshin të hapëta ose të fshehta dhe gjynahet, dhunimin pa të drejtë, t’i shoqërohet Allahut (në adhurim) diçka, për të cilën nuk ju ka dhënë kurrfarë të drejte dhe të thoni për Allahun atë që nuk e dini.” [el-A’raf, 33]

Kërkuesit e diturisë duhet të tregohen syçelët, duhet të drejtohen kah Ulematë e Mëdhenj, Njerëzit me Dituri të Madhe, ata të cilët e rropatën jetën e tyre në kërkimin e diturisë dhe në përhapjen e saj. Dhe ata kanë përvojë. Dijetari mund të të japë në një mexhlis të vetëm atë që ti nuk e arrin dot për vite të tëra, ai të jep thelbin e diturisë. Edhe sikur ti dhe shejkhu yt i vocër të filloni të hulumtoni nuk keni për ta arritur atë që ju jep dijetari.

Pra, edhe këto janë prej pengesave të cilat u dalin përpara kërkuesve të diturisë, prandaj kini mendjen.”

Përktheu: Alban Malaj