Pra, mendjemadhi është i urryer tek Allahu i Plotëfuqishëm e i Madhërishëm. Allahu nuk do asnjë mendjemadh mburravec. Nuk i do Allahu i Madhëruar e i Lartësuar mendjemëdhenjtë. E përmendëm më përpara hadithin ku Profeti – ‘alejhis-salatu ues-selam – thotë:
لا يدخل الجنةّ من كان في قلْبه أدْنى مِثْقال ذرَّةٍ مِنْ كِبْر
“Nuk ka për të hyrë në Xhenet ai që ka grimcën më të vogël të mendjemadhësisë në zemrën e tij!”
Dhe e gjithë kjo tregon se sa e rrezikshme që është mendjemadhësia dhe se sa i madh është dëmi i saj mbi njeriun, në dynjanë apo në ahiretin e tij. Përkufizimi më i mirë dhe sqarimi më i qartë për realitetin e mendjemadhësisë, është fjala që ka thënë Profeti – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – kur e pyetën se çfarë është mendjemadhësia, kurse ai – ‘alejhis-salatu ues-selam – tha:
بَطَرُ الحَقِّ وَغَمْطُ النّاسِ
“Refuzimi i të vërtetës dhe nënçmimi i njerëzve!”
Refuzimi i të vërtetës do të thotë që ta refuzosh të vërtetën dhe të mos e pranosh atë nga kryelartësia,
إِنَّهُمْ كَانُوا إِذَا قِيلَ لَهُمْ لَا إِلَٰهَ إِلَّا اللَّهُ يَسْتَكْبِرُونَ ﴿٣٥﴾ وَيَقُولُونَ أَئِنَّا لَتَارِكُو آلِهَتِنَا لِشَاعِرٍ مَّجْنُونٍ
“Pikërisht ata idhujtarë, kur u thuhej që nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, ata bëheshin arrogantë dhe thonin: ‘Qysh t’i lëmë ne këta të adhuruarit tanë për atë që thotë një poet i çmendur!’” [es-Saffaat, 35-36]
Kurse nënçmimi i njerëzve është kur tregohesh kryelartë para tyre, i poshtëron dhe i nënçmon, si dhe gjëra të tjera të ngjashme.
Përktheu: Alban Malaj