Bismilah...

 

 

Autor: Shejkh Zejd bin Hadij el-Medkhalij
Burimi: “el-Efnan en-Nadije Sherh Mendhumat es-Subul li-Fik’his-Sunen el-Meruije” vëll. 6, fq. 220-222

 

Sa e sa tekste të qarta që gjejmë në lidhje me inkurajimin për të nderuar fqinjin, për të qenë i mirësjellshëm me të dhe për të mos e dëmtuar atë. Allahu i Lartësuar thotë:

Adhuroni Allahun dhe mos i vini Atij shok në adhurim, dhe u bëni mirësi prindërve, të afërmve, jetimëve, të varfërve që lypin, fqinjit të afërt, fqinjit të largët, shokut pranë, udhëtarit (që takoni) dhe atyre (robërve) që i keni nën pushtetin tuaj. Vërtet Allahu nuk i do ata që janë kryepërpjetë e që mburren.” [Nisa, 36]

Dhe ka ardhur në dy Sahihët nga hadithi i Ibn ‘Umerit dhe A’ishes (radij-Allahu ‘anhum), të cilët kanë thënë të dy se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë:

 

Xhibrili nuk rreshti së më këshilluari për fqinjin derisa mendova se ai (fqinji) do të kishte pjesë në trashëgiminë e tij (d.m.th. të fqinjit tjetër).” [1]

Dhe në Sahihun e Muslimit nga hadithi i Ebi Shurejh el-Khuza’i se Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kushdo që beson me të vërtetë Allahun dhe ditën e fundit, atëherë le të sillet mirë me fqinjin e tij, dhe kushdo që beson me të vërtetë Allahun dhe ditën e fundit le ta nderojë mysafirin e tij, dhe kushdo që beson me të vërtetë Allahun dhe ditën e fundit le të flasë mirë ose të heshtë.” [2]

Dhe në dy Sahihët ka ardhur saktësisht obligimi për të shmagur çfarëdolloj dëmi ndaj fqinjit dhe kjo vërtetohet nga transmetimi i Ebi Hurejras (radij-Allahu ‘anhu) se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë:

Kushdo që beson me të vërtetë Allahun dhe ditën e fundit të mos e dëmtojë fqinjin e tij, dhe kushdo që beson me të vërtetë Allahun dhe ditën e fundit le ta nderojë mysafirin e tij, dhe kushdo që beson me të vërtetë Allahun dhe ditën e fundit le të flasë mirë ose të heshtë.” [3]

I ngjashëm me këtë obligim në lidhje me mënjanimin e çfarëdolloj dëmi ndaj fqinjit është ajo çfarë transmeton sërish Ebu Hurejra nga Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) se ai ka thënë:

Pasha Allahun, ai nuk ka besuar, pasha Allahun ai nuk ka besuar, pasha Allahun ai nuk ka besuar.” Kështu që i thanë: “Kush o i Dërguari i Allahut?” Dhe ai tha: “Ai, nga dëmi [4] i të cilit nuk është i sigurt fqinji i tij.” [5]

Poashtu, është përmendur në lidhje me mirësjelljen duke u dhënë dhurata atyre që u takojnë etj, sikurse gjendet në transmetimin e Nënës së besimtarëve, A’ishes (radij-Allahu ‘anha) e cila ka thënë:

“Unë thashë: “O i Dërguari i Allahut, unë kam dy fqinj dhe cilit prej tyre duhet t’ia jap dhuratën time?” Ai tha: “Atij që është më afër derës tënde.” [6]

Ka edhe shumë tekste të tjera që tregojnë inkurajimin për të respektuar të drejtat e fqinjit. Por për sa i përket hadithit:

Fqinjët janë tri llojësh: Fqinji që ka një të drejtë - dhe ai është fqinji me të drejtën më të vogël; fqinji që ka dy të drejta dhe fqinji që ka tri të drejta. Fqinji që ka tri të drejta është ai që ka të drejtat më të mira.
Sa i përket fqinjit që ka një të drejtë, ai është mushriku i cili nuk ka lidhje me të; ai ka një të drejtë si fqinj.
Sa i përket fqinjit që ka dy të drejta, ai është fqinji Musliman i cili ka të drejtën e Islamit dhe të drejtën e fqinjit.
Kurse sa i përket fqinjit që ka tri të drejta, ai është fqinji Musliman që ka të bëjë me të (lidhje farefisnore), kështu që ai ka të drejtën e fqinjit, të drejtën e Islamit dhe të drejtën e lidhjeve (farefisnore).

Zinxhiri i transmetimit të këtij hadithi është shumë i dobët, përveç që domethënia e tij është e kuptueshme dhe diçka e prekshme në punët e njerëzve.

Kështu që, o vëlla Musliman, nëse i ke përmbushur këto tetë cilësi që vijojnë më poshtë, atëherë ti i ke respektuar të drejtat e fqinjit tënd:

Cilësia e parë:

Ta nderosh atë, dhe kjo bëhet duke i mësuar atij çështjet e Fesë së tij nëse ai është injorant rreth tyre dhe ti të mësosh nga ai nëse je injorant. Poashtu, që ta urdhërosh për të mirën dhe ta ndalosh nga e keqja dhe ta thërrasësh në rrugën e mirësisë dhe anasjelltas ta pranosh edhe ti një gjë të tillë prej tij sa herë që ai sjell diçka të tillë në shtëpinë e tij.

Cilësia e dytë:

Ta nderosh atë duke i blerë dhurata, për shkak se ajo largon ofendimet nga gjokset dhe u sjell zemrave dashuri e respekt dhe tregon një reagim të mirë e të drejtë.

Cilësia e tretë:

Të gëzohesh me gëzimin e tij për sa kohë që është i lejuar në Fe dhe t’i gjendesh pranë duke i ofruar ndihmë kur atij i vështirësohen punët dhe gjatë mundimeve e dëshpërimeve.

Cilësia e katërt:

Të ruash nderin, pasurinë dhe gjakun e tij qoftë kur ai është i pranishëm apo qoftë kur nuk është i pranishëm, duke e bërë këtë me sinqeritet vetëm duke kërkuar Fytyrën e Allahut.

Cilësia e pestë:

T’i parandalosh të gjitha rrugët të cilat mund t’i sjellin dëm apo bezdi atij dhe familjes së tij si dhe të tjerëve që që janë të njohurit e tij.

Cilësia e gjashtë:

Nëse atij i qe shkaktuar ndonjë lloj dëmi apo padrejtësie nga ty apo nga ndonjë anëtar i familjes tënde, atëherë kërkoi atij ndjesë menjëherë dhe vendos drejtësi e harmoni për veten tënde. Dhe në këtë mënyrë do ta bësh atë që të jetë i kënaqur me ty dhe të të besojë.

Cilësia e shtatë:

Nëse ai të shkakton ndonjë dëm apo bezdi, atëherë përpiqu që ta durosh sa më shumë që të kesh mundësi dhe Allahu ka për ta bërë këtë si rrugëdalje për ty (nga problemet që ke).

Cilësia e tetë:

Duke mos e ndaluar atë nëse ai lëviz ndonjë hu nga gardhi ndarës nëqoftëse ai e ka të nevojshme për ta bërë. Ndërkaq ti e di se kjo lëvizje e tij nuk do t’i shkaktojë asnjë dëm struktural shtëpisë tënde pasi Allahu është Mbrojtësi dhe Ruajtësi yt dhe Ai nuk do t’i lëjë veprat e tua që të humbasin.

Fundnota:
[1] Transmetuar nga Bukhari në librin e Edebeve, kapitulli: Këshillë në lidhje me fqinjin, vëll. 9, fq. 9; Muslimi në librin el-Birr ues-Sil-le, kapitulli: Këshillë në lidhje me fqinjin, vëll. 5, n. 2624, fq. 2025.
[2] Transmetuar nga Bukhari në librin e Edebeve, kapitulli: Kushdo që beson Allahun dhe ditën e fundit, vëll. 9, fq. 10; Muslimi në librin e Imanit, kapitulli: Inkurajimi për të nderuar fqinjin, vëll. 1, n. 47, fq. 68.
[3] Ibid.
[4] Buwa’ik do të thotë dashakeqje, ligësi e brendshme.
[5] Transmetuar nga Bukhari në librin e Edebeve, kapitulli: Gjynahu i atij, nga dëmi i të cilit nuk është i sigurt fqinji i tij, vëll, 10, fq. 9.
[6] Transmetuar nga Bukhari.

 

 Përktheu: Alban Malaj