Bismilah...

Autor: Shejkh Rabij’ Ibën Hadij el-Medkhalij

Burimi: http://ar.alnahj.net/audio/1689/10-1436

Të gjitha lavdet i takojnë Allahut, lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin për të Dërguarin e Allahut, si dhe për Familjen e tij, për Shokët e tij dhe për këdo që pason Udhëzimin e tij.

E më pas:

Unë këshilloj veten time dhe bijtë e mi Selefijinë, në Lindje dhe në Perëndim të botës, si dhe ata në Sri Lanka, të cilët kërkuan nga unë që t’u jap këtë këshillë. Këshilloj veten time dhe juve që të kemi frikë Allahun – Tebarake ue Te’ala -, të kemi sinqeritet në çdo fjalë e në çdo vepër, si dhe të jemi seriozë në kërkimin e dijes, sepse ne nuk mund ta kuptojmë Islamin saktësisht përveç se nëse tregohemi seriozë dhe përveshim mëngët në kërkimin e dijes. Kërkimi i dijes të jetë nga Libri i Allahut dhe nga Suneti i të Dërguarit të Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem. Të mësojmë përmendësh atë që mund ta mësojmë përmendësh nga Kur`ani dhe Suneti dhe t’i kuptojmë ato ashtu siç duhet. “Kujt ia do të mirën Allahu, i jep atij kuptimin e saktë në Fe.”

Prandaj mësoni o ju të rinj, përvishni mëngët në kërkimin e dijes dhe merrni kuptimin e saktë të Librit të Allahut dhe Sunetit të të Dërguarit të Allahut. Ndihmohuni në kuptimin e Librit të Allahut dhe Sunetit të të Dërguarit të Tij me kuptimin e Sahabëve dhe të Selefëve të Devotshëm – Allahu qoftë i kënaqur me ta.

U këshilloj që të keni vëllazëri mes veti, të keni harmoni, dashuri dhe mëshirë, deri sa të jeni si një trup i vetëm, sikurse ka thënë Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem. Dhe na ka këshilluar i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – që të kemi harmoni dhe dashuri, në një numër hadithesh, nga të cilat: “Besimtari Musliman nuk e braktis vëllain e tij Musliman, nuk e përbuz, nuk ka hased ndaj tij…” Lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë për të. Dhe ai thotë: “Jini robër të Allahut, vëllezër mes veti.”

Jini vëllezër mes veti, dhe largohuni nga shkaqet e mosmarrëveshjes dhe përçarjes, sepse Shejtani ngarend që të përçajë Njerëzit e Sunetit dhe t’i bëjë ata që të godasin njëri-tjetrin. Prandaj ruhuni nga kurthet e Shejtanit dhe mos u rrëmbeni nga emocionet, por jini të logjikshëm. Ju duhet të bëni durim dhe duhet të tregoheni të vetpërmbajtur. E nëse ndonjëri prej jush ofendohet, ai duhet të bëjë durim dhe duhet ta mbajë veten, e nuk duhet të ngutet që të kundërpërgjigjet, ashtu siç po bëjnë sot disa të rinj. Mësoni vetpërmbajtjen, durimin dhe urtësinë, në fjalë e në vepra.

Lus Allahun që t’ju japë sukses juve dhe neve dhe që të na drejtojë neve dhe juve. S’ka dyshim që Zoti ynë e dëgjon duanë.

Lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të Dërguarin e Allahut, si dhe për Familjen dhe Shokët e tij

Video në AudioSelefi.org

Përktheu Alban Malaj