Një njeri i tha Hasen el-Basriut, Allahu pastë mëshirë për të:
“Njerëzit ulen rreth teje që të kapin gabimet e tua!” E ai tha: “Vërtet, e kam nxitur shpirtin tim që të synojë Xhenetin, dhe ai atë synoi. Pastaj e nxita shpirtin tim që të synojë të shpëtojë nga Zjarri i Xhehenemit, dhe ai këtë gjë synoi. Pastaj e nxita shpirtin tim që të synojë të shpëtojë nga njerëzit, por ai nuk arriti dot. Vërtet, njerëzit nuk ishin të kënaqur nga Krijuesi i tyre, ndonëse është Ai që i furnizon ata, atëherë si mund të jenë të kënaqur me krijesat e tjera që janë njësoj si ata?” [1]
Musai, paqja qoftë mbi të, ka thënë: “Zoti im, njerëzit thonë për mua gjëra të cilat nuk janë të vërteta!” Kështu, Allahu i shpalli atij: “O Musa, Unë nuk ia dhashë këtë Vetes Sime, atëherë si mund të ta jap ty?” [2]
Malik ibn Dinar, Allahu pastë mëshirë për të, ka thënë: “Qëkur i kam njohur njerëzit, as nuk jam kënaqur me lavdërimin e tyre dhe as nuk e kam urryer kritikën e tyre.” I thanë: “Si kështu?” Ai tha: “Ai që lavdëron nga mesi i tyre e ekzagjeron lavdërimin e tij, kurse ai që kritikon nga mesi i tyre i kalon kufijtë në kritikë.” [3]
‘Aishah (radij-Allahu ‘anha) i shkroi Mu’auijes (radij-Allahu ‘anhu): “Selamun alejke. E më tej: e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) të thotë: “Kushdo që fiton Kënaqësinë e Allahut me zemërimin e njerëzve, Allahu do t’i mjaftojë atij për telashet me njerëzit. Dhe kushdo që fiton kënaqësinë e njerëzve me Zemërimin e Allahut, atëherë Allahu e lë atë në duart e njerëzve.” Ues-selamun alejk.” [4]
Imam esh-Shafi’i, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nuk ka njeri që të mos ketë dikë që e do dhe dikë që e urren atë. E meqë qenka kështu, atëherë le të jetë njeriu me ata të cilët janë të bindur ndaj Allahut ‘Azze ue Xhel!” (pasi ata duan dhe urrejnë për hir të Allahut) [5]
Fundnota:
[1] el-Bidaje uen-Nihaje e Ibn Kethirit (9/318).
[2] el-Adabush-Sher’ijeh e Ibn Muflih. (1/38).
[3] Tarikh Dimeshk e Ibn Asakirit (59/307).
[4] Transmetuar nga Tirmidhiu në Kitabuz-Zuhd (n. 2414) dhe është deklaruar sahijh nga Shejkhul-Albani.
[5] Hiljetul-Eulijah e Ebu Nu’ajmit (9/124).
Përktheu Alban Malaj