Bismilah...

Autor: Muhamed bin Salih el-Uthejmin (1421 h.)

Burimi: Sherhu Hiljeti Talibi el-Ilm, fq. 160 - 161

 

Shokët ndahen në tre lloje:

Lloji i pare: Shoku interesaxhi

Ky është shok me ty përderisa ka interes prej teje, siç është interesi i tij në pasuri, pozitë, etj. Kur ai nuk ka më interes, atëherë ai është armiku yt. As ai nuk të njeh ty dhe as ti nuk e njeh më atë. Eh! Sa të shumtë që janë këta që i qortojnë njerëzit për sadakatë, nëse atyre u jepet, ata kënaqen; e nëse nuk u jepet, ata zemërohen.

Ke një shok të ngushtë që ti beson dhe mendon se ai është nga njerëzit më të dashur te ti dhe ti je nga njerëzit më të dashur tek ai. Ky shok një ditë prej ditësh, të kërkon librin tënd e të thotë: “Ma jep librin tënd.” Ti i thua: “Sot më duhet libri, do ta jap nesër.” Kurse ai të armiqëson. Ky është shoku interesaxhi.

 

Lloji i dytë: Shoku i argëtimit

Pra, ky shoqërohet me ty vetëm se kënaqet kur rri me ty, i pëlqen muhabeti yt, bisedat që bën natën dhe rastet kur ti e ngushëllon atë, mirëpo ti nuk përfiton prej tij dhe as ai nuk përfiton prej teje; asnjëri nga ju dy nuk përfitoni prej njëri-tjetrit, porse ndenjja me të është vetëm humbje kohe. Nga ky lloj shoku është obligim që të ruhesh.

 

Lloji i tretë: Shoku besnik.

Ky shok të nxit për atë që të bën dobi dhe të ndalon nga ajo që të dëmton; t’i hap dyert e mirësisë dhe të drejton tek e mira; nëse ti gabon, ai të tërheq vërejtjen në atë mënyrë që nuk e dëmton nderin tënd.

Nga të gjithë këta lloj shokësh, shokët që të duan për interes janë më të shumtit në numër, ngase interesat janë shumë.

Nëse ti e sheh se një person shoqërohet me ty vetëm për të arritur interesin e tij, atëherë dije se ai është armik dhe nuk është shok.

Ndërsa shoku i argëtimit ta merr kohën dhe të argëton me muhabete duke ndenjur zgjuar natën, ta humb kohën duke dalë me të në shëtitje dhe piknike, etj. Nuk ka mirësi nga ky shok.

Shokun të cilin duhet ta mbash afër vetes është shoku besnik, i cili të nxit dhe të këshillon për çdo të mirë dhe çdo vlerë dhe të ndalon nga çdo e keqe dhe poshtërsi.

 

Përktheu: Jeton Shasivari