Bismilah...

Autor: Shejkh Muhamed Se’id Rraslan


“Si është kjo puna jonë? Ah sikur të kishte dijetar dhe nxënës dije në rrugën që do Allahu, Zoti i Botërave. Si është kjo puna jonë që ne nuk i ndjekim këto çështje? Ah sikur të gjendej në këtë Umet dijetar dhe nxënës, shejkh dhe pasues, por jo, që të gjithë janë ulema! Dhe kushdo që Allahu ia ka lënë gjuhën për të folur, si fëmija që ecën taj-taj, dhe kam për qëllim nxënësat e vegjël të dijes të cilët në një ditë prej ditëve do të çohen me dhëmbët e tyre të mëdhenj, por me mendjet e cekëta, dhe do ta shpartallojnë Umetin dhe do ta çojnë në humbje njerëzimin.

E kjo do të çojë në shkeljen e ndereve, formimin e grupacioneve që armiqësojnë për hir të përkatësive dhe do të shahet ajo që është e ndaluar të shahet, dhe do ta çojnë në humbje Umetin. U drejtohem atyre me fjalët e mia: mësoni normat e dijes dhe mos i kaloni kufijtë tuaj. Ju e keni detyrë të mësoni edukimin praktik. Ju e keni detyrë të mësoni normat e sjelljes.

Por ama, që të vijë dikush e të dalë para Shejkhut të vet, njeri gjuhë-lëshuar, derisa të bëhet si fëmija i vogël që ecën taj-taj, bën të çohet e bie me këmbët e veta, dhe flet mëk-mëk, mirëpo krejt papritur ai na bëhet “Shejkh” dhe fillon të mbledhë nxënësa rreth vetes!

Çfarë është kjo mendjelehtësi? A nuk po kuptoni? A kjo na qenka rruga që duhet ndjekur, të cilën po e ndoqe arrite objektivin? Çfarë është kjo kështu? Ti duhet ta marrësh dijen para këmbëve të dijetarëve që të bëhesh një Musliman i thjeshtë, po ta them këtë me çiltërsi.

Nuk mund të jesh nxënës dije... nxënësi i dijes i dedikohet tërësisht kërkimit të dijes, nuk rresht së kërkuari dije... atë nuk e largon nga kërkimi i diturisë diç nga gjërat e kësaj dynjaje, kurrë! Nuk e largon as gruaja, as fëmija, as grumbullimi i pasurisë, as arritja e ndonjë posti e as ndonjë gjë tjetër nga kjo dynja e poshtër. Po ku ta gjesh një të tillë!

Mirëpo ai ndjek rrugën e fames, që të tjerët t’i puthin duart aq sa t’ia pështymosin... kije frikë Allahun! Mos e kalo kufirin! Dhe sikur ne t’u testonim ju ashtu siç i ka hije diturisë, atëherë asnjëri nga ju s’do të kuptonte qoftë edhe një fjalë nga ajo që ju thuhet! Po ua them çiltërsisht.

Por prapë se prapë ne flasim me një nivel gjuhësor që konsiderohet ammijeh (gjuhë e përdorimit të përditshëm) tek ulematë. E megjithëkëtë ata çirren e thonë “S’po marrim vesh çfarë po thotë”! Po, me të vërtetë thonë “Çfarë po thotë”, porse s’po themi ndonjë gjë, ah mjerë! Me të vërtetë ne po flasim me gjuhën më të thjeshtë që përdorin njerëzit e dijes e jo me gjuhën e ultë të atyre mjeranëve. Po flasim me nivelin më të thjeshtë që përdorin njerëzit e dijes dhe ata prapëseprapë thonë “Nuk po kuptojmë”! Po si do të jetë çështja sikur ne të flasim me gjuhën e vërtetë të dijes, ajo gjuhë e cila meriton që të përdoret kur i flet kërkuesit të sinqertë të diturisë.

Prandaj, mbaje këtë fort në zemrën tënde... mos zhyt në iluzione duke shpresuar e duke u munduar të fluturosh me pupla... se ti mund të jesh shqiponjë apo skifter. Jo! Lëre më pastaj të mund të jesh ndonjë sorrë! S’ke për të qenë! Mos e shpreso këtë. Por shpreso të mësosh nga Feja atë që do të shpëtojë nga Dënimi i Zotit të Botëve.

Por ama, që të mendosh se kushdo që vë mbi kokë një takije, vesh një xhelabije dhe mban para vetes një libër, ky na u bë dijetar! Si mund të jetë dijetar? Çfarë është ky budallallëk!

Kijeni frikë Allahun, se me të vërtetë kjo rrugë është rruga e sinqeritetit. Rruga e dijes është rruga e sinqeritetit për Umetin. Rruga për të gjetur udhëzimin dhe për të udhëzuar të tjerët, siç ka thënë Zotëria i Pejgamberëve (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem). Pra, në hadithin e saktë muttefekun ‘alejhi, nga transmetimi i ‘Abdullah Ibn ‘Amr (radij-Allahu ‘anhu):

“Vërtetë Allahu nuk e heq dijen duke ua hequr atë njerëzve, por e heq dijen duke marrë ulematë derisa të mos mbetet më dijetar. Atëherë njerëzit do të marrin për udhëheqësa injorantët. Pastaj ata do të pyeten dhe do të japim fetva pa dije, kështu që do të humbasin vetet e tyre dhe do të humbasin të tjerët.” Kështu është thënë fjalë-për-fjalë.

“Do të marrin për udhëheqësa injorantët. Pastaj ata do të pyeten dhe do të japim fetva pa dije, kështu që do të humbasin vetet e tyre dhe do të humbasin të tjerët.”

Kështu që, shkaku i devijimit të vetvetes dhe devijimit të të tjerëve është injoranca. Kështu është thënë fjalë-për-fjalë. Dhe ajo që kuptohet prej tij është se shkaku i udhëzimit të vetvetes dhe udhëzimit të të tjerëve është dija. Dhe dija është rruga e shpëtimit. Por sikur njerëzit e arteve do t’i përbuzin të mëdhenjtë e tyre, çdo njëri të dalë kokë më vete, atëherë jeta e njerëzimit nuk do të rregullohet. Do t’i zhvlerësojnë artet... dhe çdo art ka mjeshtrin e vet.

Kurse ngadhënjimi vjen nga Allahu, Zoti i Botëve. Dituria është nder dhe krenari. Ajo nuk ta jep ty një pjesë të saj derisa ti të japësh krejt veten tënde. Dhe ti edhe nëse i dedikon asaj krejt veten tënde prapë se prapë je në rrezik: ajo ose mund të të japë diçka ose mund të mos japë. Dituria është nder. Nuk arrihet dija kështu, thjesht duke zgjatur duart dhe as duke e mbërthyer atë. Eh sa larg që është ajo! Dhe në këtë periudhë të hidhur të historisë së Umetit, duhet patjetër që gjithësecili t’i përmbahet takatit të tij e të mos i kalojë kufijtë e tij. Sikur ta mbyllte gojën injoranti do të kishin qenë i qetë dijetari.

Dhe kthimi është tek Allah, Zoti i Botëve dhe nuk ka ndryshim e as fuqi përveç se nga Allahu i Lartësuar e i Madhëruar. Mos e humbni kohën. Dhe mos i kaloni kufijtë tuaj o robër të Allahut!

Allahu, Zoti i Botëve, na udhëzoftë në Rrugën e Drejtë.

Lavdërimet dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë Muhamed; Allahu dhëntë lavdërimet dhe bekimet e Tij mbi të dhe mbi Familjen e tij.”

Përktheu Alban Malaj

{youtubejw}6EHffRv-Y-M{/youtubejw}