Bismilah...

Burimi: Sherhu Kitab el-Kebair, fq. 5-10

 

Parathënie nga Shejkh Salih el-Feuzan

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.

 

     Të gjitha lavdet dhe falenderimet i takojnë Allahut, Zotit të gjithësisë. Lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi robin dhe të dërguarin e Tij, Profetin tonë Muhamedin, si dhe mbi Familjen dhe të gjithë Shokët e tij.

     E më pas:

     Me të vërtetë që shejkhu i Islamit dhe ripërtëritësi i tij, Muhamed Ibën ‘Abdul-Uehhabi, Allahu e mëshiroftë, ka shkruar vepra të shumta, të rralla e të dobishme për sqarimin e Teuhidit dhe urdhrin për ta ruajtur atë, për sqarimin e Shirkut dhe ndalimin e tij, si dhe për sqarimin e veprave të mosbindjes dhe gjynaheve dhe ndalimin e tyre, sepse ato e cungojnë Teuhidin. Të gjithë këtë ai e ka bërë për të këshilluar muslimanët, për të thirrur tek Allahu i Plotëfuqishëm e i Madhërishëm dhe për të bërë përmirësim në tokë. E pikërisht kjo është rruga e të Dërguarve – ‘alejhimus-salatu ues-selam –.

     Prej çështjeve që duhet ta preokupojnë njeriun është se ai duhet të lëvizë e të mos qëndrojë në vend si i ngrirë, e vepra e tij ose do të jetë për mirë ose për keq. Për këtë arsye dërgoi Allahu të Dërguarit, që t’i thërrasë njerëzit tek e mira dhe t’i paralajmërojë që të mos bien tek e keqja. Gjithashtu, Allahu ka bërë dy vendbanime për shpërblimin: bëri Xhenetin, që është vendbanimi i të devotshmëve, atyre që kanë punuar me bindje ndaj Allahut, si dhe bëri Xhehenemin, që është vendbanimi i qafirave dhe atyre që kanë punuar me mosbindje ndaj Allahut dhe kanë bërë gjynahe. Ai bëri ndarje midis tyre dhe tha:

أَمْ حَسِبَ الَّذِينَ اجْتَرَحُوا السَّيِّئَاتِ أَن نَّجْعَلَهُمْ كَالَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ سَوَاءً مَّحْيَاهُمْ وَمَمَاتُهُمْ ۚ سَاءَ مَا يَحْكُمُونَ

     “A mos mendojnë ata që bëjnë të këqija se Ne do t’i bëjmë njësoj me ata që besojnë dhe punojnë vepra të mira, në jetën dhe vdekjen e tyre? Sa keq që gjykojnë ata!” [el-Xhathijeh, 21]

     Ai ka thënë gjithashtu:

أَمْ نَجْعَلُ الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ كَالْمُفْسِدِينَ فِي الْأَرْضِ أَمْ نَجْعَلُ الْمُتَّقِينَ كَالْفُجَّارِ

     “Apo mos vallë Ne do t’i bëjmë ata që besojnë dhe punojnë vepra të mira njësoj si ata që bëjnë shkatërrim në tokë, apo do t’i bëjmë të devotshmit njësoj si njerëzit e poshtër?!” [Sa’d, 28]

     Pra, Allahu i Madhëruar e i Lartësuar bën dallim midis veprave të robërve të Tij dhe nuk i bën padrejtësi askujt. Kështu, punëmirit Ai ia shumëfishon dhe ia shton të mirat nga Bujaria e Tij dhe e nderon atë. Kurse atij që bën vepra të këqija, Ai ose do ta falë atë ose do t’i japë ndëshkim për aq sa ka bërë vepra të këqija. Ka thënë Allahu i Lartësuar:

مَن جَاءَ بِالْحَسَنَةِ فَلَهُ عَشْرُ أَمْثَالِهَا ۖ وَمَن جَاءَ بِالسَّيِّئَةِ فَلَا يُجْزَىٰ إِلَّا مِثْلَهَا وَهُمْ لَا يُظْلَمُونَ

     “Kush vjen me një vepër të mirë, ai do të ketë shpërblim dhjetëfishin e tyre, e kush vjen me një vepër të keqe, ai do të shpërblehet vetëm për atë.” [el-En’am, 160]

     Pra, vepra e keqe ka shpërblim vetëm për të e nuk shumëfishohet, mirëpo ajo mund të jetë vepër e rëndë, e kjo është drejtësi nga Allahu i Madhëruar e i Lartësuar. Kurse veprën e mirë e shumëfishon Allahu, e shton dhe e zmadhon, e kjo është bujari nga ana e Tij. Ka thënë Allahu i Lartësuar:

إِنَّ اللَّـهَ لَا يَظْلِمُ مِثْقَالَ ذَرَّةٍ ۖ وَإِن تَكُ حَسَنَةً يُضَاعِفْهَا وَيُؤْتِ مِن لَّدُنْهُ أَجْرًا عَظِيمًا

     “Me të vërtetë që Allahu nuk bën padrejtësi as sa një grimcë, e nëse ka ndonjë vepër të mirë, Ai e shumëfishon dhe jep nga ana e Tij shpërblim madhështor.” [en-Nisaa, 40]

     Pra, shumëfishimi i shpërblimit për veprën e mirë është nga bujaria e Allahut, kurse shpërblimi që merr vetëm veprën e keqe pa shumëfishim, është drejtësi nga ana e Allahut – SubhaneHu ue Te’ala –.

     Veprat si bindje ndaj Allahut janë dy llojesh: vepra të obliguara dhe vepra të rekomanduara.

     Vepra e obliguar është ajo vepër për të cilën shpërblehet vepruesi i saj dhe dënohet lënësi i saj.

     Ndërsa vepra e rekomanduar është ajo vepër për të cilën shpërblehet vepruesi i saj dhe nuk dënohet lënësi i saj.

     Edhe veprat që janë mosbindje ndaj Allahut janë dy llojëshe: vepra që janë kufër e shirk dhe vepra që janë gjynahe të mëdha por jo shirk, si dhe veprat që janë gjynahe të vogla. Sa i përket kufrit apo shirkut, Allahu nuk e fal atë, përveç nëse pendohet vepruesi i tij përpara se të vdesë. Ama nëse ai vdes me kufër apo me shirk, ai do të jetë përgjithmonë në Xhehenem. Ka thënë Allahu i Pastër nga çdo mangësi:

إِنَّ اللَّـهَ لَا يَغْفِرُ أَن يُشْرَكَ بِهِ

“Me të vërtetë që Allahu nuk e fal që t’i bëhet shirk Atij.” [en-Nisaa, 48]

     E sa i përket gjynaheve të vogla, të cilat quhen ndryshe “el-lemem”, ato shlyhen me disa lloje veprash, siç është çdo vepër me të cilën i bindesh Allahut, prej të cilave janë pesë namazet obligative, me të cilat Allahu i shlyen gjynahet e vogla. Ka thënë Allahu i Lartësuar:

وَأَقِمِ الصَّلَاةَ طَرَفَيِ النَّهَارِ وَزُلَفًا مِّنَ اللَّيْلِ ۚ إِنَّ الْحَسَنَاتِ يُذْهِبْنَ السَّيِّئَاتِ

     “Fale namazin në dy skajet e ditës dhe në kohët e afërta të natës. S’ka dyshim që veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija.” [Hud, 114]

     Ka thënë i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –:

الصلوات الخمس والجمعة إلى الجمعة ورمضان إلى رمضان مكفرات ما بينهن إذا اجتنب الكبائرز

     “Pesë namazet, xhumaja deri në xhumanë tjetër dhe Ramadani deri në Ramadanin tjetër, i shlyejnë gjynahet që bëhet gjatë kohës ndërmjet tyre, nëse qëndron larg nga gjynahet e mëdha.” [E ka transmetuar Muslimi (233), nga Ebu Hurejrah – radijAllahu ‘anhu –.]

     Gjithashtu, ato shlyhen duke u penduar për ato që ke bërë, sepse pendimi shlyen çdo gjynah.

     Prandaj ka nxitur Allahu që të bëhet pendim dhe të kërkohet falje, sepse të dyja ato i fshijnë gjynahet, edhe nëse janë të mëdha apo janë kufër apo shirk. E kush pendohet dhe bën vepra të mira, Allahu ia pranon pendimin atij. Dera e pendimit është e hapur gjatë natës dhe gjatë ditës. Ka thënë i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –:

إنَّ اللهَ يَقْبَلُ تَوْبَةَ العبْدِ مَا لَمْ يُغرغر.

     “Me të vërtetë që Allahu e pranon pendimin e robit derisa atij nuk i ka filluar agonia e daljes së shpirtit.” [E ka transmetuar Ahmedi (6160), nga Ibën ‘Umeri – radijAllahu ‘anhuma –.]

     Gjithashtu, dera e pendimit është e hapur deri kur të lindë dielli nga perëndimi i tij, sepse atëherë nuk i pranohet askujt pendimi. Ka thënë Allahu i Lartësuar:

يَوْمَ يَأْتِي بَعْضُ آيَاتِ رَبِّكَ لَا يَنفَعُ نَفْسًا إِيمَانُهَا لَمْ تَكُنْ آمَنَتْ مِن قَبْلُ أَوْ كَسَبَتْ فِي إِيمَانِهَا خَيْرًا ۗ قُلِ انتَظِرُوا إِنَّا مُنتَظِرُونَ

     “Ditën kur të shfaqen disa nga shenjat e Zotit tënd, nuk i bën dobi asnjë shpirti besimi nëse nuk ka besuar më herët apo që të ketë bërë mirësi me besimin e tij.” [el-En’am, 158]

     Shiko hadithin te Bukhari me numër (4635) dhe hadithin te Muslimi me numër (157), të cilin e ka transmetuar Ebu Hurejrah – radijAllahu ‘anhu –.

     Pra, gjynahet ndahen në dy lloje: të mëdha e të vogla.

     Përkufizimi i gjynahut të madh është: çdo gjynah që Allahu ka përmendur se përfundimi i tij do të jetë Zjarri, apo mallkimi apo zemërimi apo ndëshkimi për të, atëherë ai është gjynah i madh, siç e ka thënë këtë Ibën ‘Abbasi – radijAllahu ‘anhuma –, dhe pikërisht fjala e tij është zgjedhur si përkufizim për gjynahun e madh nga dijetarët hulumtues, siç ishte Ibën Tejmijjeh e të tjerë.

     Janë shkruajtur disa vepra rreth gjynaheve të mëdha, prej të cilave është ky libri që kemi tani në dorë, si dhe libri “el-Keba`ir” i Dhehebiut dhe libri “ez-Zeuaxhir ‘an iktiraf el-keba`ir” i Ibën Haxher el-Hejtemi.

     Nëse gjynahet e mëdha – siç e përmendëm – janë shirk apo kufër ndaj Allahut, atëherë ato nuk falen kurrë, përveç nëse pendohesh. Kush vdes pa u penduar për ato, atëherë ai do të jetë përgjithmonë e përjetësisht në Xhehenem. Ka thënë Allahu i Lartësuar:

إِنَّ اللَّـهَ لَا يَغْفِرُ أَن يُشْرَكَ بِهِ وَيَغْفِرُ مَا دُونَ ذَٰلِكَ لِمَن يَشَاءُ

     “Me të vërtetë që Allahu nuk fal t’i bësh shirk Atij, porse fal ato që janë më poshtë shirk, kujt të dojë Ai.” [en-Nisaa, 48]

     Ka thënë gjithashthu Allahu i Pastër nga çdo mangësi:

إِنَّهُ مَن يُشْرِكْ بِاللَّـهِ فَقَدْ حَرَّمَ اللَّـهُ عَلَيْهِ الْجَنَّةَ وَمَأْوَاهُ النَّارُ ۖ وَمَا لِلظَّالِمِينَ مِنْ أَنصَارٍ

     “Se me të vërtetë kush i bën shirk Allahut, padyshim që Allahu ia ka bërë haram atij Xhenetin dhe vendbanimi i tij do të jetë Zjarri. Për zullumqarët s’do të gjesh assesi ndihmëtarë.” [el-Ma`ideh, 72]

     Ama nëse këto gjynahe të mëdha janë më poshtë se shirku, atëherë sipas Ehli Sunetit dhe Xhematit: ato të bëjnë gjynahqar dhe ta mangësojnë imanin, porse nuk të bëjnë qafir dhe personi që bën gjynahe të mëdha gjykohet që është gjynahqar dhe me iman të mangët, porse nuk shpallet qafir për to. Dhe argument është se Allahu i Lartësuar ka thënë:

إِنَّ اللَّـهَ لَا يَغْفِرُ أَن يُشْرَكَ بِهِ وَيَغْفِرُ مَا دُونَ ذَٰلِكَ لِمَن يَشَاءُ

     “Me të vërtetë që Allahu nuk fal t’i bësh shirk Atij, porse fal ato që janë më poshtë shirk, kujt të dojë Ai.” [en-Nisaa, 48]

     Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar për disa nga këto gjynahe si vjedhja, zinaja, pirja e pijeve dehëse, vrasja me dashje, agresioni dhe kusaria, përmendi masat ndëshkimore që merr vepruesit e tyre, ama po të kishin qenë ata qafira, atëherë ata nuk do të merrnin masat ndëshkimore për ato gjynahe porse do të vriteshin si felëshues (murrtedin). Pra, zbatimi i masës ndëshkimore për ato gjynahe është argument që vërteton se ato vepra nuk janë kufër porse janë gjynahe të mëdha dhe mosbindje, për të cilat duhet të zbatohen masat ndëshkimore përkatëse. Këto masa ndëshkimore janë ndaluese që të mos përsëriten më ose shlyerëse të gjynahut të tyre, prandaj kryhet në dynja masa ndëshkimore mbi vepruesin e tyre, e nuk përsëritet prapë ndëshkimi për to në botën tjetër.

     Ndërsa Khauarixhët gjykojnë me kufër mbi vepruesin e gjynaheve të mëdha dhe se ai do të jetë përgjithmonë e përjetësisht në Xhehenem. Ata nuk bëjnë dallim midis gjynahut të madh që është shirk e kufër, dhe gjynahut të madh që është mosbindje ndaj Allahut, porse thonë se të gjitha gjynahet e mëdha e bëjnë qafir vepruesin e tyre dhe e nxjerrin nga feja - Allahu na ruajttë! -, prandaj sipas atyre, vepruesit e gjynaheve të mëdha do të jenë përgjithmonë në Xhehenem.

     Pra, Khauarixhët u kapën mbas ajeteve kërcënuese dhe i lanë ajetet e mëshirës dhe përgëzimit. Ata morën një pjesë të ajeteve, kurse pjesën tjetër e lanë, ngaqë ata nuk kanë kuptim të drejtë dhe nuk kanë njohuri rreth Kur`anit dhe Sunetit, porse iu mbështetën kuptimit të tyre dhe i braktisën dijetarët. Kështu që, kjo gjendja e tyre ishte shkak që ata përfunduan në këtë devijim.

     Ata janë dy kategori: janë Muëtezilet që thonë se vepruesi i gjynaheve të mëdha del nga Imani porse nuk hyn në kufër, por qëndron në një gradë ndërmjet këtyre dy gradëve. Kështu që, ai nuk është as besimtar e as qafir. Ama po vdiq pa u penduar, atëherë ai do të jetë përgjithmonë e përjetësisht në Xhehenem.

     Pastaj janë Khauarixhët që thonë se vepruesi i gjynaheve të mëdha ka dalë nga imani dhe ka hyrë në kufër.

     Pra, Muëtezilët bashkohen me Khauarixhët në shpërblimin që do të marrë vepruesi i gjynaheve të mëdha në ditën e Kijametit, porse i kundërshtuan ata tek gjykimi që merr ai në dynja, prandaj shpikën gradën mes dy gradëve.

     Kurse Murrxhiat, që janë ata të cilët nuk besojnë se veprat hyjnë te domethënia e imanit, janë në kahun e kundërt të Khauarixhëve dhe Muëtezilëve, sepse thonë që imanit nuk i bëjnë dëm gjynahet. Kjo ngaqë imani – sipas pretendimit të tyre – është në zemër, se ai është veçse pohimi, se ai nuk shtohet e nuk pakësohet, e se gjynahet nuk e dëmtojnë, për sa kohë që njeriu me këtë iman beson me zemrën e tij, sepse gjynahet nuk e pakësojnë imanin e tij.

     Pra, Murrxhiat janë ata që thonë se vepra nuk hyn tek esenca e imanit, porse thonë se imani është thjesht besimi me zemër. Disa prej tyre madje thonë se Imani është besimi me zemër dhe shqiptimi me gjuhë. Kurse disa të tjerë prej tyre thonë se Imani është thjesht njohja, edhe në qoftë se nuk beson, siç kanë thënë disa prej Xhehmive. E pikërisht ky është lloji më i rëndë i irrxhasë.

     Ka edhe një kategori tjetër që thonë se Imani është fjalë me gjuhë pa besuar me zemër. Kjo është fjala që thonë Kerramijet.

     Pra, të katërta sektet e Murrxhieve, pavarësisht mospajtimeve që ekzistojnë mes tyre, nuk e fusin veprën tek Imani. Ata thonë se Imani është pohim i zemrës, as nuk shtohet as nuk pakësohet. Kështu që, sipas tyre, Imani i Ebu Bekrit është i njëjtë si Imani i njeriut më gjynahqar! Sepse përderisa njeriu është besimtar me zemrën e tij, atëherë kjo i mjafton atij!

     Kjo është doktrina e Murrxhiave, doktrinë e cila ndryshon nga doktrina e Khauarixhëve dhe bie ndesh me të. Porse të dyja sektet janë të devijuara dhe e kundërshtojnë të vërtetën.

     E sakta këtu është doktrina e Ehli Sunetit dhe Xhematit, doktrina e cila është nxjerrë nga Kur`ani dhe Suneti.

     Khauarixhët dhe Muëtezilët quhen ndryshe “kërcënuesit”, sepse ata u bazuan tek ajetet kërcënuese, ndërsa Murrxhiat u bazuan tek ajetet “përgëzuese” dhe i lanë ajetet kërcënuese. E nga ana tjetër shohim Ehli Sunetin dhe Xhematin që i bëjnë bashkë tekstet me përgëzime dhe tekstet me kërcënime, e pikërisht kjo është e vërteta.

     Kështu që, nuk lejohet që të thuhet për veprat e mosbindjes ndaj Allahut se ato nuk të dëmtojnë, ashtu siç kanë thënë Murrxhiat, përkundrazi ato të dëmtojnë, sepse ato e prishin imanin dhe të shpien në kufër. Gjithashtu, nuk bën që të thuhet se ato të nxjerrin nga feja, ashtu siç kanë thënë Khauarixhët dhe Muëtezilët, përkundrazi vepruesi i tyre është besimtar me iman të mangët. Pra, vepruesi i tyre është besimtar me aq iman sa ka ai, as nuk i jepet iman i plotë, siç kanë thënë Murrxhiat, e as nuk i hiqet Imani plotësisht, siç kanë thënë Khauarixhët dhe Muëtezilët.

     Kjo çështje duhet të kuptohet dhe duhet të njihet mirë dhe saktë, ngaqë kjo është prej çështjeve tejet të rëndësishme, sidomos në këtë kohë kur është përzier e vërteta me të pavërtetën, janë shfaqur shtinjakët e dijes, të cilët mësojnë nga librat dhe i mbështeten botëkuptimit të tyre pa u kthyer te dijetarët, e për rrjedhojë atyre iu përzien çështjet. Për këtë arsye dolën njerëz që neglizhojnë te kjo çështje, që janë Murrxhiat. Pra, ata janë në dy skaje të kundërta.

     Kështu që, duhet të njihet patjetër e vërteta te kjo çështje dhe duhet kapur fort mbas saj, që të mos devijojë njeriu dhe të bëhet prej ekstremistëve apo prej neglizhentëve. Porse njeriu duhet të jetë mesatar te kjo çështje, sepse te kjo rrëshqet këmba dhe devijon mendja. Për arsye se nëse ata i gjykojnë muslimanët me kufër, atëherë e kanë bërë të lejuar vrasjen e tyre dhe zhvatjen e pasurive të tyre, si dhe kanë hequr dorë nga bindja, e kështu do të ndodhë nga ata e njëjta gjë që ndodhi nga Khauarixhët më përpara, që ishte gjakderdhja.

     E nëse ata thonë të njëjtën fjalë që thanë Murrxhiat, atëherë do të vërshojnë njerëzit e kufrit, sherrit dhe hipokrizisë dhe do të thonë: “Ne besojmë me zemrat tona!” Ndonëse ata bëjnë imoralitet e vepra të ndryshme të mosbindjes. Pra, pavarsisht të gjitha këtyre, ata thonë: “Ne jemi besimtarë me iman.”

     Pra, të dyja doktrinat përbëjnë rrezik të madh ndaj fesë dhe besimtarëve.

 

Përktheu: Alban Malaj