Ka thënë i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem –:
خَصْلَتَانِ لا يُحَافِظُ عَلَيْهِمَا عَبْدٌ مُسْلِمٌ فِي يَوْمِهِ وَلَيْلَتِهِ إِلا أَدْخَلَتْهُ الْجَنَّةَ ، وَهُمَا يَسِيرَتَانِ، وَقَلِيلٌ مِنْ يُحَافِظُ عَلَيْهَا . قَالُوا : وَمَا هُمَا يَا رَسُولَ اللَّهِ ؟ قَالَ : تَسْبِيحُ الْعَبْدِ فِي دُبُرِ كُلِّ صَلاةٍ عَشْرًا ، وَيُحَمِّدُ عَشْرًا ، وَيُكَبِّرُ عَشْرًا فَتِلْكُ ثَلاثُونَ ، وَهِيَ خَمْسُونَ وَمِائَةٌ فِي يَوْمِهِ وَلَيْلَتِهِ ، فَهِيَ عِنْدَ اللَّهِ تَعَالَى أَلْفٌ وَخَمْسِ مِائَةِ حَسَنَةٍ ، وَيُسَبِّحُ ثَلاثَا وَثَلاثِينَ تَسْبِيحَةً ، وَيُحَمِّدُ ثَلاثًا وَثَلاثِينَ ، وَيُكَبِّرُ أَرْبَعًا وَثَلاثِينَ تَكْبِيرَةً ، فَتِلْكَ مِائَةٌ ، وَهِيَ عِنْدَ اللَّهِ تَعَالَى أَلْفُ حَسَنَةٍ ، فَذَلِكَ أَلْفَانِ وَخَمْسِ مِائَةٍ ، فَلا يَضُرُّ أَحَدَكُمْ أَنْ يُصِيبَ فِي يَوْمِهِ وَلَيْلَتِهِ أَلْفَيْنِ وَخَمْسِ مِائَةِ سَيِّئَةٍ " ، قَالُوا : يَا رَسُولَ اللَّهِ ، وَمَا لَنَا لا نُحَافِظُ عَلَى ذَلِكَ ؟ قَالَ : إِنَّ أَحَدَكُمْ إِذَا قَضَى صَلاتَهُ ، أَتَاهُ الشَّيْطَانُ ، فَذَكَّرَهُ حَوَائِجَهُ ، فَيَقُومُ قَبْلَ أَنْ يَقُولَهَا ، فَإِذَا أَوَى إِلَى فِرَاشِهِ أَتَاهُ فَأَلْهَاهُ عَنْهُ حَتَّى يَنَامَ
“Janë dy vepra të veçanta që nëse robi Musliman iu përmbahet përgjatë ditës dhe natës – të cilat janë të lehta – do ta fusin atë në Xhennet. Të pakët janë ata që i përmbahen atyre.”
E pyetën: Kush janë ato o i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem)?
Ai tha: “Nëse njeriu, pas çdo namazi, thotë dhjetë herë SubhanAllah, dhjetë herë ElhamduliLah dhe dhjetë herë Allahu Ekber, pra gjithsej janë tridhjetë. Të cilat bëhen njëqind e pesëdhjetë (150) herë gjatë ditës dhe natës (pas pesë namazeve), ndërkohë që tek Allahu janë njëmijë e pesëqind sevape (1500).
Gjithashtu të thotë (para se të flejë) tridhjetë e tre herë SubhanAllah, tridhjetë e tre herë ElhamduliLah dhe tridhjetë e katër herë Allahu Ekber, pra ato janë gjithsej njëqind (100). Ndërkohë që tek Allahu janë njëmijë sevape, dhe bashkë me ato të tjerat bëjnë dy mijë e pesëqind sevape (2500).
Kështu që, nuk e dëmton shpërblimin e asnjërit prej jush edhe nëse i bën gjatë ditës dhe natës dy mijë e pesëqind gjunahe (2500)!”
I thanë: O i Dërguari i Allahut, atëherë çfarë na pengon neve që të mos i përmbahemi kësaj?
Ai tha: “Kur ndonjëri prej jush e mbaron namazin, i vjen shejtani dhe ia përkujton nevojat e tij, dhe ai ngrihet para se t'i thotë ato! Dhe kur shtrihet për të fjetur, i vjen shejtani dhe e angazhon me diçka tjetër derisa ta zërë gjumi.”
Transmeton Ahmed (6616), Ebu Daud (5065), Tirmidhi (3410), Nesai (1331), ibn Maxheh (926), saktësoi Albani në Sahihut-tergib uet-terhib.
Përktheu: Servet Mata