Pyetje: Allahu ju dhëntë mirësi Hirësia juaj! Më është ofruar një vend pune në një bankë. Pasi që iu drejtova Allahut, 'Azze ue Xhel, me lutjen e istikhares më shumë se një herë, fillova punë në atë bankë por duke qëndruar larg transaksioneve bankare. Por, tani o hirësia juaj, a të qëndroj te kjo punë që bëj apo ta lë atë? Ju vë në dijeni se kam aplikuar për disa vende të tjera pune dhe jam duke pritur përgjigjen e tyre.

Përgjigje: Mos qëndro në këtë punë, sepse kjo është bashkëpunim me bankën në mëkate dhe armiqësi, ndërsa Allahu, i Madhëruar e i Lartësuar, thotë:

وَلَا تَعَاوَنُوا عَلَى الْإِثْمِ وَالْعُدْوَانِ

"Dhe mos e ndihmoni njëri-tjetrin në mëkate dhe armiqësi." [El-Maideh, 2]

Banka merret me kamatë dhe në përgjithësi punon me gjëra të ndaluara. Banka kryen shitblerje të ndaluara dhe kamatë dhe nuk shpëton nga këto gjëra sepse ndjek rregulloren e të huajve dhe nuk ndjek transaksionet Islame, por ndjek parimet ekonomike të të huajve, të cilat parime nuk janë të kushtëzuara sipas Sheriatit.

Kështu që, nëse punon në bankë si nëpunës, atëherë ti ke bashkëpunuar me të edhe nëse nuk merr pjesë në aktet e kamatës. Edhe në qoftë se punon aty si korrier apo portier, ti po bashkëpunon me të në këtë gjë (kamatën). Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - e ka mallkuar dhënësin kamatës, marrësin e kamatës, shkruesin e saj dhe dëshmitarët e saj! Përse e mallkoi shkruesin dhe dëshmitarët e kamatës? Sepse ata bashkëpunojnë me dhënësin e kamatës, bashkëpunojnë me të! Ky hadith përfshin çdokënd që bashkëpunon me bankën që merret me kamatë, çfarëdo lloj bashkëpunimi qoftë ai.

Dyert e furnizimit janë të shumta. Ai që i frikësohet Allahut, i jep rrugëzgjidhje dhe e furnizon atë andej nga nuk e pret. Prandaj, kërko punë në ndonjë vend tjetër përveç kësaj banke dhe nxito që të largohesh prej saj sa më shpejt!

 

Përktheu: Servet Mata