Bismilah...

Autor: Shejkh Salih el-Feuzan

Burimi: el-Mulakhasul-Fikhij, vëll. 2, fq. 319

 

 

Kapitulli rreth dispozitave të khul’u-it

 

El-Khul’u është ndarja e gruas nga burri i saj në këmbim të një kompensimi që e paguan gruaja (kthimin e mehrit), ndarje e cila bëhet me fjalë të caktuara. Është quajtur me fjalën “el-khul’u’”, ngase gruaja heq dorë (khal’ea) nga burri i saj ashtu siç i heq rrobat, sepse që të dy bashkëshortët janë petk për njëri-tjetrin. I Lartësuari ka thënë:

﴿هُنَّ لِبَاسٌ لَّكُمْ وَأَنتُمْ لِبَاسٌ لَّهُنَّ﴾

“Ato janë petk për ju dhe ju jeni petk për ato.” El-Bekare, 187

 

Të gjithë e dinë se martesa është një lidhje e ndërsjellë midis bashkëshortëve; një bashkëjetesë që ka obligime dhe të drejta reciproke midis burrit dhe gruas, lidhje nga e cila vjen ndërtimi i familjes dhe formimi i gjeneratës. I Lartësuari thotë:

﴿وَمِنْ آيَاتِهِ أَنْ خَلَقَ لَكُم مِّنْ أَنفُسِكُمْ أَزْوَاجًا لِّتَسْكُنُوا إِلَيْهَا وَجَعَلَ بَيْنَكُم مَّوَدَّةً وَرَحْمَةً  إِنَّ فِي ذَٰلِكَ لَآيَاتٍ لِّقَوْمٍ يَتَفَكَّرُونَ﴾

“Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë.” Er-Rum, 21

 

Nëse ky synim në martesë nuk realizohet; nuk ka dashuri ndërmjet dy palëve, ose burri nuk shfaq dashuri ndaj gruas, përkeqësohet bashkëjetesa dhe vështirësohet kurimi i problemit, atëherë burri është i urdhëruar që ta lëshojë gruan e tij me mirëkuptim:

I Lartësuari thotë:

فَإِمْسَاكٌ بِمَعْرُوفٍ أَوْ تَسْرِيحٌ بِإِحْسَانٍ

“...ose jetë e njerëzishme (bashkëshortore) ose shkurorëzim me mirëkuptim...” el-Bekare, 229

 

Po ashtu, i Lartësuari thotë:

وَإِن يَتَفَرَّقَا يُغْنِ اللَّـهُ كُلًّا مِّن سَعَتِهِ  وَكَانَ اللَّـهُ وَاسِعًا حَكِيمًا

“Por nëse ndahen prej njëri-tjetrit, Allahu begaton me mirësinë e Tij secilin prej tyre. Allahu është shumë Bujar dhe shumë i Urtë.” En-Nisa, 130

 

Por, nëse ekziston dashuri nga ana e burrit dhe kjo dashuri nuk ekziston nga ana e gruas, ajo e urren sjelljen e burrit, ose e urren fizionominë e tij, ose i urren të metat në fenë e tij, ose ka frikë se mos bën mëkat nëse nuk i përmbush të drejtat ndaj tij, atëherë i lejohet asaj që të kërkojë shkurorëzim, duke i paguar si kompensim një pasuri në mënyrë që ta lirojë veten e saj, ngaqë i Lartësuari thotë:

فَإِنْ خِفْتُمْ أَلَّا يُقِيمَا حُدُودَ اللَّـهِ فَلَا جُنَاحَ عَلَيْهِمَا فِيمَا افْتَدَتْ بِهِ

“...E nëse keni frikë se ata të dy nuk do të mund t'i ruajnë dispozitat (Sheriatin) e Allahut, atëherë nuk ka gjynah për ata dy për atë që ajo (gruaja) e jep (si shpagim)...” el-Bekare, 229

 

Që do të thotë: nëse burri apo gruaja e kuptojnë se nëse vazhdojnë të jenë të martuar, nuk do t’i përmbushin obligimet ndaj njëri-tjetrit, dhe si rrjedhojë burri do t’i bëjë padrejtësi gruas së tij, ose gruaja ka frikë se nuk do t’i bindet burrit të saj. Në këtë rast, nuk ka ndonjë pengesë për gruan që ta lirojë veten e saj nga burri duke i paguar një kompensim të caktuar, dhe nuk ka ndonjë pengesë që burri ta marrë këtë kompensim dhe t’ia lëshojë rrugën asaj.

 

Urtësia e kësaj është që gruaja të lirohet nga burri i saj duke mos iu kthyer më atij. Në këtë rast, ka zgjidhje të drejtë për të dy dhe është sunnet për burrin që t’i përgjigjet në atë rast (kur ajo kërkon shkurorëzim). Por në qoftë se burri e do atë, preferohet që gruaja të bëjë durim dhe të mos kërkojë që të lirohet prej tij.

 

Khul’u-i është i lejuar (mubah) nëse ekziston arsye që e ka treguar ajeti fisnik, e ajo është: frika e bashkëshortëve se nëse e vazhdojnë martesën e tyre, nuk do t’u përmbahen kufijve të Allahut. Nëse khul’u-i nuk është i nevojshëm, atëherë është e urryer (mekruh), dhe sipas disa dijetarëve khul’u-i në këtë rast është haram, për shkak të fjalës së tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –:

"‏ أَيُّمَا امْرَأَةٍ سَأَلَتْ زَوْجَهَا الطَّلاَقَ فِي غَيْرِ مَا بَأْسٍ فَحَرَامٌ عَلَيْهَا رَائِحَةُ الْجَنَّةِ ‏"

“Çdo grua që kërkon të ndahet nga burri i saj pa ndonjë arsye, ajo e ka haram erën e Xhennetit.” [1]

 

Shejkh Takijjuddin (Ibën Tejmijeh) thotë: “Khul’u-i me të cilin ka ardhur Sunneti është atëherë kur gruaja e urren burrin, kështu ajo e liron veten prej tij ashtu siç lirohet robi.” [2]

 

Në rast se burri nuk ka dashuri më për të, porse e mban atë me qëllim që ajo të bezdiset me të dhe të kërkoj të lirohet nga ai, në këtë rast ai është zullumqar dhe e ka haram që të marrë kompensim prej saj dhe në këtë rast khul’u-i është i pavlefshëm, për shkak të Fjalës së Lartësuarit:

وَلَا تَعْضُلُوهُنَّ لِتَذْهَبُوا بِبَعْضِ مَا آتَيْتُمُوهُنَّ

“...dhe as mos silleni ashpër me ato, me qëllim që t’u merrni diçka nga ajo (mehri) që u keni dhënë...” en-Nisa, 19

 

Ky ajet do të thotë: mos i dëmtoni ato gjatë bashkëjetesës, me qëllim që ajo t’ia kthejë atij një pjesë të mehrit që ia ka dhënë apo të tërin, ose që ajo të braktis një të drejtë të saj me të cilën është e obliguar ndaj burrit të saj, përveç në një rast të vetëm: nëse ai sillet ashpër me të kur ajo nuk e ka ruajtur nderin e saj. Burri i lejohet të veprojë në këtë mënyrë me qëllim që  t’ia marrë mehrin që ia ka dhënë, për shkak të Fjalës së Tij, të Lartësuarit:

إِلَّا أَن يَأْتِينَ بِفَاحِشَةٍ مُّبَيِّنَةٍ

“...vetëm në qoftë se ato bëjnë marrëdhënie intime jashtëmartesore.” En-Nisa, 19

 

Ibën Abbasi për domethënien e këtij ajeti, ka thënë: “Ky ajet vlen për burrin që ka një grua dhe e urren bashkëjetesën me të, dhe i ka dhënë mehër asaj më përpara, kështu ai e dëmton atë në mënyrë që ajo të kërkojë të lirohet nga ai. Këtë Allahu i Lartësuar e ka ndaluar, pastaj Ai ka thënë: 

إِلَّا أَن يَأْتِينَ بِفَاحِشَةٍ مُّبَيِّنَةٍ

“...vetëm në qoftë se ato bëjnë marrëdhënie intime jashtëmartesore.” En-Nisa, 19

 

Do të thotë: ka bërë zina. Në këtë rast, burrit i takon që t’ia kërkojë asaj atë që ia ka dhënë (mehrin), dhe ai e bezdis atë vazhdimisht derisa ajo t’ia lë mehrin dhe ta lëshojë atë.”

 

Argumenti për lejueshmërinë e Khul’u-it – kur ekzistojnë shkaqet e lejuara me Sheriat – gjendet në Kuran, Sunnet si dhe Ixhma.

 

Në Kuran, është ajeti që u përmend më sipër, e ajo është Fjala e të Lartësuarit:

فَإِنْ خِفْتُمْ أَلَّا يُقِيمَا حُدُودَ اللَّـهِ فَلَا جُنَاحَ عَلَيْهِمَا فِيمَا افْتَدَتْ بِهِ

“...e nëse keni frikë se ata të dy nuk do të mund t'i ruajnë dispozitat (Sheriatin) e Allahut, atëherë nuk ka gjynah për ata dy për atë që ajo (gruaja) e jep (si shpagim)...” el-Bekare, 229

 

Kurse në Sunnet: transmetohet në Sahihun (e Buhariut) se gruaja e Thabit ibën Kajsit (radijAllahu ‘anhu) tha:

“O i Dërguari i Allahut! Nuk shoh ndonjë të metë tek ai në moralin dhe fenë e tij, porse unë e urrej kufrin në Islam.” (d.m.th. te qenët mosmirënjohëse ndaj bashkëshortit të saj, gjë e cila është e ndaluar dhe që ai të tregohet i mangët ndaj asaj që është i obliguar, ngase gruaja ndjen urrejtje të madhe ndaj tij). Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –  i tha: “A do t’ia kthesh kopshtin e tij (që ia kishte dhënë si mehër)”. Ajo i tha: “Po”. Atëherë Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – i tha (Thabit ibn Kajsit): “Pranoje kopshtin dhe ndaje atë.” [3]

 

Kurse në Ixhma: Ibën Abul-Berr ka thënë: “Nuk dimë që dikush ta ketë kundërshtuar këtë (khul’u-in) vetëm se el-Muzenij. Ai pretendonte se ajeti është i shfuqizuar për shkak të Fjalës së Lartësuarit:

وَإِنْ أَرَدتُّمُ اسْتِبْدَالَ زَوْجٍ مَّكَانَ زَوْجٍ وَآتَيْتُمْ إِحْدَاهُنَّ قِنطَارًا فَلَا تَأْخُذُوا مِنْهُ شَيْئًا  أَتَأْخُذُونَهُ بُهْتَانًا وَإِثْمًا مُّبِينًا

“...nëse keni për qëllim ta ndërroni një grua me një tjetër dhe njërës prej tyre i keni dhënë shumë pasuri, mos merrni prej saj asnjë send. A do ta merrni atë pa të drejtë dhe duke qenë kjo një mëkat i qartë.” en-Nisa, 20

 

Për të qenë khul’u-i i vlefshëm, janë disa kushte:

1 – Pagesa e kompensimit duhet të bëhet nga ai që është i vlefshëm për ta bërë pagesën (e që është ai i cili ka mbërritur moshën e pjekurisë dhe nuk është në kujdestarinë e ndonjë gruaje apo ndonjë të huaji [4]).

2 – Khul’u-i duhet të jetë nga një burrë, shkurorëzimi i të cilit është i vlefshëm (ai i cili është i rritur dhe është mendërisht i shëndoshë [5])

3 – Burrit nuk i lejohet ta dëmtojë gruan me pa të drejtë, me qëllim që ajo ta paguajë atë kompensim.

4 – Khul’u-i duhet të thuhet me fjalë.

 

Nëse bëhet ndarja me fjalë “talaak – shkurorëzim” apo me një fjalë e cila është metaforike për shkurorëzimin duke pasur nijet që ta ndajë atë, atëherë ai konsiderohet shkurorëzim dhe ai nuk ka të drejtë ta kthejë atë, por ai mund të martohet përsëri me të duke bërë akt të ri martesor, edhe në qoftë se ajo nuk është martuar me ndonjë tjetër dhe nëse numri i ndarjeve nuk i ka kaluar tre ndarje (shkurorëzime).

 

Në qoftë se ndarja është bërë duke u shprehur me fjalën khul’u ose feskh (zgjidhje të aktit martesor), ose fida (lirim) dhe burri nuk ka për qëllim shkurorëzimin (talak-un), kjo nuk llogaritet tek numri i shkurorëzimeve. Ky mendim është transmetuar nga Ibën Abbasi – Allahu qoftë i kënaqur me të – i cili argumentohet me fjalën e të Lartësuarit:

﴿الطَّلَاقُ مَرَّتَانِ﴾

“Shkurorëzimi është dy herë.” El-Bekare, 229

 

Pas kësaj, i Lartësuari thotë:

فَلَا جُنَاحَ عَلَيْهِمَا فِيمَا افْتَدَتْ بِهِ

“...atëherë nuk ka gjynah për ata dy për atë që ajo (gruaja) e jep (si shpagim)...” el-Bekare, 229

 

Pas kësaj, i Lartësuari thotë:

فَإِن طَلَّقَهَا فَلَا تَحِلُّ لَهُ مِن بَعْدُ حَتَّىٰ تَنكِحَ زَوْجًا غَيْرَهُ

“Dhe nëse ai e ka ndarë atë (për herë të tretë), atëherë që këtej e mbrapa ajo nuk është më e ligjshme për të derisa ajo të martohet me burrë tjetër.” El-Bekare, 230

 

Pra, Allahu përmendi dy shkurorëzime, pastaj përmendi khul’u-in, pastaj përmendi një akt të shkurorëzimit pas tij, kështu që nëse khul’u-i do të ishte shkurorëzim (talak), do të kishte katër shkurorëzime (jo tre).

 

Allahu e di më së miri.

 

Fundnotat:

[1]Transmeton Ebu Daudi (2177, 2178), Ibën Maxheh (2018).

[2] Mexhmu’u Fetaua, 32/282

[3] Sahihu i Bukhariut, 5273.

[4] Shënim i përkthyesit: Nejlul-Mearib fi Teh’dhibi Sherhi Umdeti Talib, vëll. 4, fq. 96, botimi i pestë – Muesesetu el-Emirah.

[5] Shënim i përkthyesit: Nejlul-Mearib fi Teh’dhibi Sherhi Umdeti Talib, vëll. 4, fq. 96, botimi i pestë – Muesesetu el-Emirah.

 

Përktheu: Jeton Shasivari