Bismilah...

Autor: Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz

Burimi: Fetaua el-Xhamië el-Kebir,

 

Pyetje: Poligamia është një gjë të cilën e ka ligjësuar Allahu për burrin. Cila është urtësia e poligamisë? Nëse burri martohet me grua të dytë, gruaja e parë fillon të ndjehet keq dhe ndodhin disa probleme të cilat mund të çojnë në ndarje të përhershme, duke patur parasysh faktin se ata kanë fëmijë të cilët kanë nevojë për praninë e nënës dhe babait. Andaj, çfarë këshille keni për burrin, e në veçanti për gruan?

Përgjigje: Poligamia është një gjë të cilën Allahu e ka ligjësuar për robërit e Tij, nëse ata i kanë mundësitë. Në poligami ka dobi të shumta për të dy bashkëshortët, si për burrat ashtu edhe për gratë.

Disa nga ato dobi janë:

  Burrit ndoshta nuk i mjafton një grua dhe burri mund të ketë shumë epsh, epsh të fortë saqë nuk i mjafton një grua; dikujt nuk i mjaftojnë dy dhe dikujt nuk i mjaftojnë edhe tre. Kështu që, Allahu ka caktuar një rrugë për të ruajtur nderin në mënyrë të lejuar, duke e lejuar martesën me katër gra.

  Njeriu mund të plotësojë dëshirën e tij duke patur katër gra dhe të jetë në gjendje të mirë shpirtërore dhe të largohet nga lidhjet e ndaluara. Kjo e ndihmon atë që të mos shikojë në harame dhe të largohet nga ato që ia ka ndaluar Allahu.

  Njerëzit ruajnë nderin e tyre. Jo çdo grua mund të gjejë një burrë sepse mund të ndodhë që numri i burrave të jetë më i vogël, sidomos kur ndodhin luftëra dhe të jetë afruar Kijameti, siç ka lajmëruar Pejgamberi - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem. Kështu që, është mëshirë nga Allahu për burrin që ai të ketë katër gra, në mënyrë që ta ruajë nderin e vet përmes këtyre katër grave dhe t’i mbajë materialisht këto katër gra. Në këtë gjë ka dobi për vet gratë. Është më mirë që gruaja të jetë gruaja e katërt e dikujt sesa që të mos martohet fare; më e mira është që të jetë gruaja e katërt e dikujt, apo gruaja e tretë, apo gruaja e dytë sesa që të mos martohet fare, sepse kështu ajo ruan nderin e saj. Po ashtu, ajo do të ketë mbështetje financiare dhe do të jetë nën mbrojtjen dhe përkujdesin e një burri.

  Shtimi i numrit të fëmijëve dhe pasardhësve; shtohet Ummeti, sepse i Dërguari - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - ka thënë:

تزوجوا الودود الولود؛ فإني مكاثر بكم الأمم يوم القيامة

“Martoni ato gra që janë të dashura dhe që lindin shumë, sepse Ditën e Gkykimit unë do të mburrem para popujve të tjerë me numrin tuaj të madh.”

Në një transmetim tjetër ka ardhur:

الأنبياء يوم القيامة

“...unë do të mburrem para Pejgamberëve me numrin tuaj të madh.”

Andaj, prania e pasardhësve dhe numri i madh i fëmijëve në këtë Ummet është gjë që kërkohet dhe synohet.

  Nëse njeriu martohet me një grua nga një vend, me një tjetër nga një vend tjetër dhe me një tjetër nga një vend tjetër, kështu do të krijohen lidhje midis familjeve dhe do të ketë bashkëpunim, dashuri dhe harmoni të ndërsjelltë. Në këtë mënyrë do të forcohen lidhjet në shoqëri dhe në shumicën e rasteve njeriu bashkëpunonon me atë që ka lidhje familjare dhe miqësi përmes martesës. Njeriu do të këtë bashkëpunim me ata dhe do të ekzistojë një lidhje dashamirësie. Kështu, njeriu do ta ndihmojë veten për punët e dunjasë dhe fesë. E kemi sqaruar se kjo është një nga urtësitë përse Pejgamberi - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - u martua me gra nga disa fise të ndryshme, me qëllim që Islami të përhapej në mesin e tyre dhe ato fise të bashkëpunojnë me Muslimanët, si dhe që zemrat e tyre të zbuteshin për të hyrë në Islam, për shkak të lidhjeve martesore të Pejgamberit – alejhis-salatu ues-selam – me ata.

Allahu i Madhëruar dhe i Lartësuar ka thënë:

فَانْكِحُوا مَا طَابَ لَكُمْ مِنَ النِّسَاءِ مَثْنَى وَثُلَاثَ وَرُبَاعَ

“Martohuni me dy, tre a katër gra që ju i pëlqeni.” [en-Nisa, 3]

E gjithë kjo është në dobi dhe interes të të gjithve, në dobi të të dyja gjinive, burrave dhe grave. Kështu, shtohet umeti, ruhet nderi, nuk shikohet ajo që është e ndaluar dhe do të ndihmohen gratë të cilat kanë nevojë për mbështjete financiare; do të ketë afrim dhe lidhje të ndërsjellë midis familjeve; do të ketë dashuri të ndërsjellë për të gjithë. Kështu që, dobitë janë të shumta, siç i dëgjuat disa prej tyre.

Andaj, gratë e kanë detyrë që të bëjnë durim me gruan tjetër të burrit; gruaja që beson në Allahun dhe Ditën e Fundit duhet të bëjë durim dhe ta dijë se poligamia është e drejtë e burrit. Nuk i lejohet gruas që të bëjë veprime të pahijshme në rast se burri martohet me grua të dytë, përderisa burri është i drejtë me gratë dhe ua jep të drejtat e tyre. Ajo duhet të bëjë durim dhe nuk i lejohet që të ikë nga burri, apo të kërkojë shkurorëzim.

Kjo gjë nuk lejohet përdërisa burri i përmbush të drejtat ndaj tyre. Burri ndan kohën e qëndrimit me gratë dhe i mbështet ato materialisht, atëherë nuk i takon gruas së parë që të kundërshtojë apo të kërkojë shkurorëzim, apo ta dëmtojë burrim me qëllim që ai ta ndajë atë. Pra, gruaja duhet që të marrë këshilla, të mësojë, të marrë udhëzime dhe furnizohet me gjërat e nevojshme në mënyrë që të ketë dituri të qartë për Sheriatin e Allahut në lidhje me poligaminë.

 

Përktheu: Jeton Shasivari