Bismilah...

Autor: Muhamed ibën Salih el-Uthejmin (1420 h.)

Burimi: Telkhisu Kitab Ahkamu el-Ud’hijeti ue edh-Dhekat, fq. 14-18

 

Kapitulli i dytë

Kushtet e Kurbanit

Kurbani ka gjashtë kushte:

Kushti i parë: të jetë nga bagëtitë, e ato janë: deveja, lopa dhe bagëtitë e imta (delja dhe dhia). Për arsye se Allahu i Lartësuar ka thënë:

وَلِكُلِّ أُمَّةٍ جَعَلْنَا مَنسَكًا لِّيَذْكُرُواْ اسْمَ اللَّهِ عَلَى مَا رَزَقَهُمْ مِّن بَهِيمَةِ الاَنْعَمِ فَإِلَهُكُمْ إِلَهٌ وَحِدٌ فَلَهُ أَسْلِمُواْ وَبَشِّرِ الْمُخْبِتِينَ

“Për çdo popull, Ne kemi caktuar një ritual adhurimi, në mënyrë që ata ta përmendin emrin e Allahut për bagëtitë me të cilat Ai i ka furnizuar. I adhuruari juaj është një i adhuruar i vetëm, prandaj vetëm Atij nënshtrohuni dhe përgëzoi ata që janë të bindur dhe të përulur.” El-Haxh, 34

Bagëtitë janë: deveja, lopa dhe bagëtitë e imta. Këto njihen si bagëti tek arabët. Këtë e ka thënë El-Haseni, Katade-ja dhe të tjerë.

Kushti i dytë: të ketë arritur moshën e caktuar sipas Sheriatit, që të jetë qengj (mashkull apo femër) që ka mbushur moshën apo kafshë tjetër e rritur. Për arsye se i Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: 

لاَ تَذْبَحُوا إِلاَّ مُسِنَّةً إِلاَّ أَنْ يَعْسُرَ عَلَيْكُمْ فَتَذْبَحُوا جَذَعَةً مِنَ الضَّأْنِ

“Thereni për kurban atë dele që është e rritur, përveç nëse nuk gjeni një të këtillë, atëherë therni një qengj që i ka mbushur pesë muaj.” [1]

Delja duhet të ketë mbushur 6 muaj.

Deveja duhet të ketë mbushur 5 vite.

Lopa duhet të ketë mbushur 2 vite.

Dhia duhet të ketë mbushur 1 vit.

Nëse mosha e këtyre bagëtive është më pak se kaq, nuk lejohet të theren për kurban.

 

Kushti i tretë: Të mos ketë mangësi që e privojnë atë nga të qenët i vlefshëm për kurban. Këto mangësi janë katër:

E para: verbëria e dukshme. Ajo që e ka syrin e errët, ose duket qartë se syri i është bërë si kopsë, ose e ka syrin shumë të bardh që tregon qartë se ai sy është i verbër.

E dyta: sëmundja e dukshme. Ajo sëmundje që i shfaq simptomat e saj te bagëtia, siç janë: ethet të cilat e ndalojnë atë nga kullotja dhe ia ndalin oreksin; zgjebja e dukshme që ia prish mishin apo ndikon në shëndetin e saj; plaga e thellë që ndikon në shëndetin e saj.

E treta: çalimi i dukshëm, që e pengon bagëtinë të ecë normal.

E katërta: dobësia e bagëtisë nga e cila nuk del palcë nga eshtrat ngaqë ajo është thatanike dhe e dobët. Për arsye se i Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë:

الْعَرْجَاءُ الْبَيِّنُ ظَلْعُهَا وَالْعَوْرَاءُ الْبَيِّنُ عَوَرُهَا وَالْمَرِيضَةُ الْبَيِّنُ مَرَضُهَا وَالْعَجْفَاءُ الَّتِي لاَ تُنْقِي

“Ajo që çalon dhe duket qartë çalimi i saj; ajo që është e verbër në njërin sy dhe duket qartë verbëria e saj në atë sy; ajo që është e sëmurë dhe duket qartë sëmundja e saj; dhe ajo që është kockë e lëkurë prej së cilës nuk del palcë.” [2]

Kurse në një transmetim tjetër në Sunen po nga ai, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Katër nuk lejohen për t’u bërë kurban” [3] dhe përmendi një hadith të ngjashëm si ai më lart.

Këto katër mangësi e ndalojnë kafshën për të qenë e vlefshme për kurban dhe të njëjtin gjykim marrin edhe bagëtitë tjera që kanë mangësi sikur këto apo që kanë më shumë mangësi.

Bagëtitë që kanë këto mangësi nuk lejohet që të bëhen kurban, e ato janë:

1 - Kafsha e verbër që nuk shikon me të dy sytë.

2 - Kafsha e fryrë derisa të shfryhet dhe të largohet ky rrezik nga ajo.

3 - Kafsha barrëse që ka vështirësi në lindje, derisa të largohet ky rrezik prej saj.

4 - Kafsha e goditur për vdekje, siç është varja, rrëzimi nga ndonjë vend i lartë, e gjëra të ngjashme, derisa të largohet prej saj ky rrezik.

5 - Kafsha me sëmundje kronike, e cila nuk është e aftë të ecë.

6 - Kafsha që ka të prerë njërën këmbë të përparme apo të pasme.

Këto gjashtë mangësi që u përmendën, kur ia bashkëngjisim edhe katër mangësitë që janë përmendur në hadith, bëhen gjithsej dhjetë mangësi për bagëtinë që nuk theret për kurban.

Kushti i katërt: Kafsha që do të theret të jetë pronë e personit, ose personi të jetë prej atyre që Sheriati ia lejon ta ther atë, ose t’i jetë dhënë leje për therje nga pronari i kafshës. Nuk vlen për kurban kafsha që nuk është pronë e personit, siç është e uzurpuara, e vjedhura dhe ajo që është marrë me akuza dhe pretendime të pavërteta, sepse nuk vlen dhe nuk është i saktë afrimi tek Allahu me mëkate dhe padrejtësi.

Gjithashtu, është i lejuar kurbani që ther kujdestari i jetimit nga pasuria e vet jetimit, nëse është traditë një gjë e tillë dhe jetimi ndjehet keq nëse nuk theret kurban për të. Po ashtu, nëse dikush e ngarkon dikë tjetër që të ther kurbanin për të, kjo gjë lejohet.

Kushti i pestë: Kurbani të mos ketë ndonjë lidhje me të drejtën e dikujt tjetër. Pra, nuk vlen dhe nuk lejohet të theret për kurban kafsha që është marr peng. [4]

Kushti i gjashtë: Të ther kurban në kohën që është caktuar me Sheriat, e që është pas namazit të Bajramit e deri në perëndimin e diellit në ditën e fundit të ditëve të Teshrikut, e ajo është dita e trembëdhjetë e Dhul-Hixhes. Pra, ditët e therjes së kurbanit janë katër: Dita e bajramit pas namazit të bajramit dhe tre ditë pas bajramit. Kështu që, ai që ther kurban para mbarimit të namazit të bajramit, ose pas perëndimit të diellit në ditën e trembëdhjetë, kurbani i tij nuk është i vlefshëm. Për shkak se Bukhariu transmeton nga el-Bera bin ‘Azib, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë:

من ذبح قبل الصلاة فإنما هو لحم قدمه لأهله وليس من النسك في شيء

“Ai që ther kurban para namazit (të bajramit), ai është thjeshtë mish që ia ka ofruar familjes së tij dhe nuk llogaritet aspak si kurban.” [5]

Po ashtu Bukhariu transmeton nga Xhundub bin Sufjan el-Bexhelij, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë:  

من ذبح قبل أن يصلي فليعد مكانها أخرى

“Ai që ther kurban para se të falet, le të pres një tjetër në vend të tij.” [6]

Transmetohet nga Nubejsheh el-Hudhejli, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë:

أَيَّامُ اَلتَّشْرِيقِ أَيَّامُ أَكْلٍ وَشُرْبٍ, وَذِكْرٍ لِلَّهِ عَزَّ وَجَلَّ

“Ditët e teshrikut janë ditët e ngrënies, pirjes dhe përmendjes së Allahut të Plotfuqishëm e të Madhëruar.” Transmeton Muslimi. [7]

Por, nëse ka ndonjë arsye për mos therjen e kurbanit gjatë ditëve të teshrikut, ta zëmë se i ka ikur kurbani pa mos neglizhuar ai dhe e gjen kafshën pas mbarimit të kohës, ose ngarkon dikë që ta ther kafshën, kurse i ngarkuari ka harruar që ta ther atë derisa ka mbaruar koha, në këtë rast nuk ka problem që të theret kafsha edhe pse ka mbaruar koha, për shkak të këtij justifikimi, duke e krahasuar këtë me atë që e ka zënë gjumi dhe ka dalë koha e namazit apo atë që ka harruar, atëherë ai e falë namazin kur të zgjohet apo kur t’i kujtohet.

Therja e kurbanit lejohet të bëhet natën ose ditën, por më parësore është që therja të bëhet ditën; therja në ditën e bajramit më e mirë është që të bëhet pas hutbes së bajramit. Çdo ditë e mëparshme është më e vlefshme se ajo që vijon, për shkak se ai që ther kurban sa më përpara, shpejton drejt veprës së mirë.  

____________________________

[1] Transmeton Muslimi në “Librin e kurbaneve, kapitulli mosha e kurbanit” nr. 1963

[2] Transmeton Maliku në “Muetta” nga hadithi i el-Bera bin ‘Azib, Kitabu Dahaja (1).

[3] Transmeton Ebu Daudi “Libri i Kurbaneve, kapitulli: ajo që nuk preferohet në lidhje me kurbanet, nr. 2802, Tirmidhiu, “Libri i Kurbaneve, kapitulli: kafshët që nuk lejohen për kurban,” nr. 1497, Nesaiju “Libri i Kurbaneve, kapitulli: ajo që është ndaluar për kurban” nr. 4369, Ibën Maxheh, “Libri i Kurbaneve, kapitulli: ajo që është e papëlqyeshme për t’u bërë kurban” nr. 3144, Ahmedi (4/300).

[4] Këto pesë kushte vlejnë për kurbanet dhe për çdo lloj tjetër që ka ardhur në Sheriat, siç është kurbani që bën haxhiu me llojin e haxhit temettuë dhe kiran, si dhe ai që ther kurban për fëmijën e porsalindur (‘akikah).

[5] Transmeton Bukhariu, “Libri I Kurbaneve, kapitulli: Suneti i kurbanit,” nr. 5545, Muslimi, Libri i Kurbaneve, kapitulli: koha e kurbanit,” nr. 1961

[6] Transmeton Bukhariu në “Librin e kurbaneve, kapitulli: ai që ther kurban para namazit, ther kurban tjetër,” nr. 2562, Muslimi “Libri i kurbaneve, kapitulli: Koha e therjes së kurbanit” nr. 1960.

[7] E ka nxjerrë Muslimi “Libri i kurbaneve, kapitulli: ndalimi i agjërimit gjatë ditëve të teshrikut,” nr. 1141.

 

 

Përktheu: Jeton Shasivari