Autor: Muhamed ibën Salih el-Uthejmin (1420 h.)
Burimi: Telkhisu Kitab Ahkamu el-Ud’hijeti ue edh-Dhekat, fq. 38-43
Kapitulli i tetë
Kushtet e therjes
Therja është: vepra me të cilën kafsha bëhet e lejuar për t’u ngrënë dhe pa këtë nuk lejohet ngrënia e mishit të saj, siç janë “en-nahru,” “edh-dhebhu,” dhe “el-xherhu.”
“En-Nahru” është therja e devesë (e cila theret duke qëndruar ajo në këmbë).
“Edh-Dhebhu” është therja e bagëtive tjera përveç devesë.
“El-Xherhu” është plagosja e kafshës për shkak se nuk mund të gjuhet vetëm se në këtë mënyrë.
Therja ka nëntë kushte:
Kushti i parë: Therësi të jetë i shëndoshë mendërisht dhe të jetë mumejjiz (që ka mbushur moshën shtatë vjeç dhe që e dallon të mirën nga e keqja, kupton kur i flet, etj.). Kështu që, nuk lejohet të hahet ajo që ka therur i çmenduri, ose i dehuri, ose i vogli që nuk është mumejjiz apo është i rritur porse nuk bën dallim midis të mirës dhe të keqes.
Kushti i dytë: Therësi të jetë Musliman, ose ithtar i Librave, e që është ai i cili i atribuohet fesë së Jehudëve apo të Krishterëve. Kafsha që theret nga dora e Muslimanit, lejohet që të hahet, qoftë ai burrë apo grua, i devotshëm apo mëkatar, të jetë me abdes apo pa abdes. Kurse atë që ther i Krishteri ose Jehudiu, lejohet të hahet, edhe nëse prindërit e tij janë nga ithtarët e Librave apo nuk janë. Muslimanët kanë ixhma (unanimitet) se atë që e ther ithtari i Librave, lejohet të hahet. Argument për këtë është fjala e Allahut të Lartësuar:
وَطَعَامُ الَّذِينَ أُوتُواْ الْكِتَبَ حِلٌّ لَّكُمْ
“... ushqimet e atyre që u janë dhënë Libra, janë të lejuara për ju.” El-Maide, 5
Po ashtu është argument se Pejgamberi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, hëngri nga mishi i deles që i dhuroi një grua Jehude [1]. Po ashtu, ai hëngri bukë elbi e përzier me dhjamë, që e ftoi për të ngrënë një Jehudi. [2]
Kurse pabesimtarët tjerë përveç Ithtarëve të Librave, nuk lejohet që të hahet ajo që therin ata, për shkak të kuptimit të ajetit:
وَطَعَامُ الَّذِينَ أُوتُواْ الْكِتَبَ
“...dhe ushqimet e atyre që u janë dhënë Libra.” El-Maide, 5
Imam Ahmedi ka thënë: “Nuk di që dikush tjetër të ketë thënë të kundërtën, përveç njeriut të bidatit.”
Gjithashtu edhe El-Khazini e ka përcjellë ixhmanë për këtë çështje në tefsirin e tij.
Duke u bazuar në këto gjëra, themi: nuk lejohet që të hahet atë që therin komunistët dhe mushrikët, edhe nëse shirku i tyre është me vepra, siç është: sexhdeja për idhujt, ose me fjalë, siç është: ai që i lutet dikujt tjetër veç Allahut.
Po ashtu, nuk lejohet të hahet atë që e ka therur ai që e ka lënë namazin, sepse ai është pabesimtar sipas mendimit të saktë, qoftë nëse e le atë nga përtacia, apo e mohon obligimin e namazit. Nuk lejohet të hahet kafsha që ther ai i cili e mohon obligueshmërinë e pesë kohëve të namazit, edhe në qoftë se ai vet falet, me përjashtim të rastit kur ai nuk ka dituri për këtë çështje për shkak se ai sapo ka hyrë në Islam.
Nuk është detyrë që të pyetet për mënyrën se si e ka therur kafshën Muslimani apo Ithtari i Librave; a ka thënë “bismilah” apo nuk ka thënë, madje, kjo nuk duhet të bëhet sepse konsiderohet ekstremizëm në fe. Pejgamberi, paqja dhe lavdërimi qofshin mbi të, hëngri nga mishi që therën Jehudët dhe nuk i pyeti ata se si e therën.
Transmetohet në Sahihun e Bukhariut dhe te të tjerët, nga Aisheja, Allahu qoftë i kënaqur me të, se disa njerëz i thanë Pejgamberit, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të: “Disa njerëz na sjellin mishin, e ne nuk e dimë se a e kanë përmendur emrin e Allahut kur e kanë therur atë!” Ai tha: “Thuani ju ‘bismilah’ dhe hani prej tij.” [3] Aisheja tha: “Këta ishin njerëz që sapo kishin dalë nga kufri dhe kishin hyrë në Islam.”
Kështu, Pejgamberi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, i urdhëroi të hanë prej atij mishi pa i pyetur ata që kishin ardhur tek ai, të cilët mund edhe të mos i dinin dispozitat e Islamit, për shkak se sapo kishin hyrë në Islam.
Kushti i tretë: Të ketë për qëllim therjen, për shkak të fjalë së Tij, të Lartësuarit:
إِلاَّ مَا ذَكَّيْتُمْ
“...përveç asaj që therni...” el-Maideh, 3
Therja është vepër e veçantë që ka nevojë për nijet. Nëse njeriu nuk e ka nijet therjen, nuk është lejuar që të hahet kafsha e therur. Për shembull: nëse një kafshë e sulmon personin dhe ai e ther atë për të mbrojtur veten.
Kushti i katërt: Therja të mos jetë për dikë tjetër përveç Allahut. Nëse ajo bëhet për dikë tjetër përveç Allahut, atëherë ajo ndalohet të hahet. Siç është shembulli i atij që ther kurban për të madhëruar idhullin, të vdekurin në var, apo prindërit, etj, për shkak se Allahu i Lartësuar thotë:
حُرِّمَتْ عَلَيْكُمُ الْمَيْتَةُ وَالْدَّمُ
“Juve ju janë ndaluar (që t’i hani): ngordhësirën, gjakun...” el-Maideh, 3
E deri te i njëjti ajet ku thotë:
وَمَا ذُبِحَ عَلَى النُّصُبِ
“...dhe ajo që është therur për idhujt...” el-Maideh, 3
Kushti i pestë: Ai që nuk e përmend emrin e Allahut para therjes, si për shembull të thotë: “Në emër të Pejgamberit, ose Xhibrilit, ose filanit.” Nëse e përmend emrin e dikujt tjetër përveç Allahut, kjo kafshë nuk lejohet të hahet, edhe nëse përkrah atij emri e përmend edhe emrin e Allahut bashkë me të. Argument për këtë është fjala e Allahut të Lartësuar:
حُرِّمَتْ عَلَيْكُمُ الْمَيْتَةُ وَالْدَّمُ
“Juve ju janë ndaluar (që t’i hani): ngordhësirën, gjakun...” el-Maideh, 3
E deri te fjala ku thotë:
وَمَآ أُهِلَّ لِغَيْرِ اللَّهِ بِهِ
“...dhe ajo që është therur për dikë tjetër përveç Allahut.” El-Maideh, 3
Në një hadith të saktë kudsij, Allahu i Lartësuar ka thënë:
مَنْ عَمِلَ عَمَلاً أَشْرَكَ فِيهِ مَعِي غَيْرِي تَرَكْتُهُ وَشِرْكَهُ
“Ai që bën një vepër për Mua duke më shoqëruar dikë tjetër në atë vepër, Unë e lë atë dhe veprën në të cilën më shoqëron ortak.” [4]
Kushti i gjashtë: Ta përmend emrin e Allahut para therjes. Të thotë para therjes: “Bismilah – me emrin e Allahut.” Argument për këtë është fjala e Tij, të Lartësuarit:
فَكُلُواْ مِمَّا ذُكِرَ اسْمُ اللَّهِ عَلَيْهِ إِن كُنتُم بِآيَتِهِ مُؤْمِنِينَ
“Hani nga ajo që është përmendur emri i Allahut, nëse besoni në ajetet e Allahut.” El-En’am, 118
Po ashtu Pejgamberi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë:
مَا أَنْهَرَ الدَّمَ وَذُكِرَ اسْمُ اللَّهِ فَكُلُوا
“Asaj që i derdhet gjaku dhe është përmendur emri i Allahut, atëherë hani prej atij (mishi).” Transmetojnë Bukhariu dhe të tjerët. [5]
E nëse nuk është përmendur emri i Allahut, nuk lejohet ngrënia e saj. Argument për këtë është fjala e Allahut të Lartësuar:
وَلَا تَأْكُلُوا مِمَّا لَمْ يُذْكَرِ اسْمُ اللَّـهِ عَلَيْهِ
“Mos hani nga ajo që nuk është përmendur emri i Allahut.” El-En’am, 121
Nuk ka dallim midis asaj kafshe që theret dhe nuk është përmendur emri i Allahut qëllimisht duke e ditur se duhet të thuhet bismilah, dhe midis asaj kafshe që nuk përmendet emri i Allahut nga harresa ose nga padija, [6] për shkak se ajeti është i përgjithshëm për të gjitha këto raste si dhe për shkak të faktit që Pejgamberi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, fjalën “bismilah” para therjes e quajti kusht për lejueshmërinë e ngrënies së mishit, kurse kushti nuk zhvleftësohet për shkak të harresës apo padijes.
Gjithashtu, përderisa nuk lejohet ngrënia e kafshës që nëse i del shpirti pa u derdhur gjaku i saj nga harresa apo padija, gjithashtu nuk lejohet ngrënia e asaj që nuk është përmendur emri i Allahut para therjes, sepse të njëjtat fjalë vlejnë për të dyja rastet. Sepse Ai që ka folur është Një. Kështu që, nuk ka vend për të bërë dallim midis tyre.
Nëse therësi i kafshës është memec që nuk mund ta shqiptojë fjalën “bismilah”, mjafton që ai të bëjë me shenjë që tregon për veprimin që ka ndërmarrë, sepse Allahu i Lartësuar thotë:
فَاتَّقُواْ اللَّهَ مَا اسْتَطَعْتُمْ
“Kini frikë Allahun aq sa të keni mundësi...” et-Tegabun, 16
Kushti i shtatë: Therja e kurbanit të bëhet me vegël të mprehtë që e derdh gjakun, qoftë vegël hekuri, guri, qelqi, etj. për arsye se Pejgamberi, paqja dhe lavdërimi Allahut qofshin mbi të, ka thënë:
ما أنهر الدم وذكر اسم الله عليه فكلوا، ما لم يكن سنّاً أو ظفراً وسأحدثكم عن ذلك: أما السن فعظم، وأما الظفر فمدى الحبشة
“Asaj që i derdhet gjaku dhe është përmendur emri i Allahut, atëherë hani prej atij (mishi), përderisa (vegla e therjes) nuk është dhëmb apo thua. Po ju tregoj pse (ndalohet): sa i përket dhëmbit, ai është eshtër dhe sa i përket thoit, ai është mjet (lloj thike) e banorëve të Abisinisë.” [7]
Transmetohet në Dy Sahihat se një robëreshë e K’ab Ibën Malikut, Allahu qoftë i kënaqur me të, po i ruante bagëtitë e tij të imta rreth një kodrine të quajtur “Selë,” dhe ajo pa se një dele ishte duke ngordhur; ajo e theu një rrasë guri dhe e theri me të. Këtë rast ia treguan pejgamberit, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, dhe ai i urdhëroi ata që të hanin prej kësaj kafshe.
Nëse kafshës i del shpirti duke përdorur ndonjë mjet që nuk është i mprehtë apo me ndonjë mënyrë tjetër. Si për shembull që t’ia zë frymën kafshës, ose të përdor korentin (elektroshokin), ose me gjëra tjera të ngjashme, derisa të ngordh kafsha. Nëse i përdor këto mjete, saqë kafsha i humb ndjenjat dhe pastaj e ther me thikë sipas Sheriatit duke qenë e gjallë ajo, kjo është e lejuar të hahet. Për shkak të fjalë së Allahut të Lartësuar:
حُرِّمَتْ عَلَيْكُمُ الْمَيْتَةُ وَالْدَّمُ
“Juve ju janë ndaluar (që t’i hani): ngordhësirën, gjakun...” el-Maideh, 3
E deri te fjala në ajet ku thotë:
وَالْمُنْخَنِقَةُ وَالْمَوْقُوذَةُ وَالْمُتَرَدِّيَةُ وَالنَّطِيحَةُ وَمَآ أَكَلَ السَّبُعُ إِلاَّ مَا ذَكَّيْتُمْ
“...kafshës (së ngordhur) që i është zënë fryma, asaj që është goditur, asaj që është rrëzuar, asaj që është shpuar nga ndonjë kafshë tjetër dhe atë që e ka ngrënë egërsira, përveç asaj që arrini ta therni (e cila ka shpirt ende).” El-Maideh, 3
Ka dy shenja që tregojnë se kafsha ka shpirt:
E para: që kafsha të lëviz.
E dyta: që t’i rrjedhë gjaku i kuq rrëke.
Kushti i tetë: derdhja e gjakut. Që do të thotë: derdhja e gjakut me therjen e kafshës. Argument për këtë është fjala e Pejgamberit, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të:
مَا أَنْهَرَ الدَّمَ وَذُكِرَ اسْمُ اللَّهِ فَكُلُوا
“Asaj që i derdhet gjaku dhe është përmendur emri i Allahut, atëherë hani prej atij (mishi).”
Pastaj, nëse është e pamundur që të bëhet therja e kafshës, siç është kafsha që është egërsuar e që nuk kapet, ajo që ka rënë në pus apo në ndonjë shpellë, atëherë mjafton që të derdhet gjaku i saj në çfarëdo vendi në trupin e saj, por më e mira dhe më parësore është që të bëhet përpjekje për t’u theret në atë vend që i del shpirti më shpejt, sepse kjo është më e lehtë dhe më pak e dhimbshme për kafshën.
E nëse kafsha mund të kapet, atëherë patjetër duhet që të derdhët gjaku i saj duke e therur atë në qaf nga poshtë ku mbarojnë eshtrat e nofullave, ku duhet t’i priten dy venat, të cilat janë dy damarë të trashë që janë rreth gurmazit. Plotësimi i therjes bëhet me prerjen e këtyre dy venave bashkë me gurmazin, ku gjenden kanali i frymëmarrjes dhe ezofagu në të cilin kalojnë ushqimi dhe uji në stomak, në mënyrë që të dalë elementi kryesor që e mban kafshën në jetë, e ai është gjaku. E nëse njeriu mjaftohet vetëm me prerjen e dy venave kryesore të qafës, lejohet ngrënia e kafshës.
Kushti i nëntë: Kafsha që theret të jetë kafshë e lejuar sipas Sheriatit. Ajo kafsha që nuk lejohet të theret është dy llojesh:
Lloji i parë: kafsha që është e ndaluar të theret, ngaqë është e drejtë e Allahut. Siç janë: gjahu i kafshëve të Haremit dhe gjahu i kafshëve duke qenë i veshur me ihram (rrobat e bardha që i vesh Haxhiu). Kjo kafshë nuk lejohet të hahet, edhe nëse theret. Argument për këtë është fjala e të Lartësuarit:
أُحِلَّتْ لَكُم بَهِيمَةُ الْأَنْعَامِ إِلَّا مَا يُتْلَىٰ عَلَيْكُمْ غَيْرَ مُحِلِّي الصَّيْدِ وَأَنتُمْ حُرُمٌ
“...ju është lejuar ngrënia e bagëtive, përveç atyre (kafshëve që do të njoftoheni) dhe përveç gjuetisë kur keni veshur ihramin (për të bërë Haxh ose Umre)...” el-Maideh, 1
Si dhe fjala tjetër e Allahut:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لَا تَقْتُلُوا الصَّيْدَ وَأَنتُمْ حُرُمٌ ۚ
“O ju që besoni, mos gjuani duke qenë në ihram...” el-Maideh, 95
Lloji i dytë: të jetë kafshë e ndaluar sepse është e drejtë e ndonjë njeriu tjetër, siç janë: e uzurpuara, e vjedhura, të cilat i ther uzurpuesi dhe hajduti. Në lidhje me lejueshmërinë e tyre, dijetarët kanë dy mendime. Lexoi këto dy mendimet dhe argumentet e tyre në librin bazë [8].
_____________
[1] Transmetojnë Bukhariu, “Libri i Dhuratës, kapitulli: pranimi i dhuratës nga mushrikët,” nr. 2617, Muslimi, “Libri i Mjekësisë, “Kapitulli i helmit”, nr. 2190
[2] Transmeton Ahmedi (3/210).
[3] Transmeton Bukhariu “Libri i therjeve së kafshëve dhe gjuetisë, kapitulli: kafsha e therur nga beduinët,” nr. 5507.
[4] Transmeton Muslimi, “Libri i asketizmit, kapitulli: Ai që i shoqëron ortak Allahut në veprën e tij,” nr. 2985.
[5] Bukhariu (nr. 2488), Muslimi (nr. 1968), Ebu Daudi (nr. 2821), Tirmidhiu (nr. 149), Nesaiju (nr. 4409, 4410), Ibën Maxheh (nr. 3178).
[6] Shiko në librin bazë “Ahkamu el-Ud’hijeti ue edh-Dhekat”, (fq. 71-77).
[7] E kanë transmetuar “el-Xhema’ah” (Bukhariu, Muslimi, Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibën Maxheh). Kurse Bukhariu ka edhe një transmetim tjetër ku nuk e përmend dhëmbin dhe thoin.
[8] Shiko në librin bazë (fq. 88-90).
Përktheu: Jeton Shasivari