Vlera e kuptimit të fesë
Autor: Shejkh Salih el-Feuzan
Burimi: Mulakhasul-Fikhij, vëll.1 fq.7
Të gjitha lavdërimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve. Lavdërimet dhe begatitë qofshin mbi Pejgamberin tonë Muhamedin, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij si dhe ata që i ndoqën ata me mirësi deri në Ditën e Gjykimit.
Më tej:
Vërtetë të kuptuarit e fesë është prej veprave më të vlefshme dhe ajo është shenjë e mirësisë. I Dërguari – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:
من يرد الله به خيرا يفقه في الدين
“Kujt ia do Allahu të mirën, e bën që ta kuptoj fenë.”
Për arsye se të kuptuarit e fesë arrihet përmes dijes së dobishme e cila bazohet mbi veprën e mirë.
Allahu i Lartësuar ka thënë:
هُوَ الَّذِي أَرْسَلَ رَسُولَهُ بِالْهُدَىٰ وَدِينِ الْحَقِّ
“Është Ai që ka sjellë të Dërguarin e Tij (Muhamedin) me udhëzim dhe me fenë e së vërtetës (Islamin).” Et-Teubeh, 33
Pra, udhëzimi është dija e dobishme dhe feja e së vërtetës është vepra e mirë. Allahu e urdhëroi Pejgamberin e Tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – të kërkojë nga Ai që t’i shtojë dijen. I Lartësuari ka thënë:
وَقُل رَّبِّ زِدْنِي عِلْمً
Thuaj: O Zoti im, ma shto dijen.” Taha, 114
Hafidh ibën Haxheri ka thënë: “Ky është një argument i qartë për vlerën e dijes, ngase Allahu nuk e urdhëroi Pejgamberin e Tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – që të kërkojë t’i shtohet ndonjë gjë përveç diturisë.” Fet’hul-Barij, 178/1
Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – i ka quajtur “kopshte të xhennetit” takimet ku mësohet dija e dobishme dhe ka treguar se dijetarët janë trashëguesit e Pejgamberëve.
Pa dyshim se njeriu përpara se të marrë përsipër një punë të caktuar, duhet patjetër të dijë metodën me të cilën do ta kryejë atë punë ashtu siç duhet, në mënyrë që kjo punë të jetë korrekte, për të cilat kihet shpresë se të sjellin në rezultate. Atëherë si është puna kur njeriu i bën një adhurim Zotit të tij, adhurim nga i cili varet shpëtimi i tij nga zjarri dhe hyrja e tij në Xhennet, si mund ta kryejë atë adhurim pa dije?!
Për këtë arsye, për sa i përket dijes dhe veprës njerëzit ndahen në tre grupe:
Grupi i parë: Ata që kanë bashkuar në mes dijes së dobishme dhe veprës së mirë. Ata i ka udhëzuar Allahu në rrugën e drejtë, e ata janë: Pejgamberët, besnikët, shehidët dhe të devotshmit. Sa shok të mirë që janë këta!
Grupi i dytë: Ata që kanë marrë dije të dobishme dhe nuk kanë punuar me të. Mu këta janë ata që kanë fituar zemërimin e Allahut, siç janë Jehudët dhe ata që ndoqën shembullin e tyre.
Grupi i tretë: Ata që kanë punuar pa dije. Ata janë prej pasuesve të devijimit, siç janë të Krishterët dhe ata që ndoqën shembullin e tyre.
Dhe këto tre grupe i përfshin Fjala e Tij, e të Lartësuarit, në Suren el-Fatiha të cilën e lexojmë në çdo rekat të namazeve tona:
اهْدِنَا الصِّرَاطَ الْمُسْتَقِيمَ صِرَاطَ الَّذِينَ أَنْعَمْتَ عَلَيْهِمْ غَيْرِ الْمَغْضُوبِ عَلَيْهِمْ وَلَا الضَّالِّينَ
“Na udhëzo në Rrugën e Drejtë, në Rrugën e atyre të cilëve Ti u ke dhuruar Mëshirën Tënde, Jo në (rrugë) të atyre që e merituan Zemërimin Tënd mbi vete dhe as në (rrugë) të atyre të cilët e humbën veten.” El-Fatiha, 5 - 7
Imami, Shejkhu, Muhamed ibën Abdul-Uehhab – Allahu e mëshiroftë – ka thënë: “Kurse Fjala e Tij: “Jo në (rrugë) të atyre që e merituan Zemërimin Tënd mbi vete dhe as në (rrugë) të atyre të cilët e humbën veten.” Ata që e kanë merituar Zemërimin e Allahut janë dijetarët të cilët nuk kanë punuar me dijen e tyre, kurse të humburit janë ata që kanë punuar pa dije. Kështu që, e para është cilësi e Jehudëve kurse e dyta është cilësi e të Krishterëve. Shumë njerëz kur shohin në tefsir se Jehudët janë ata që kanë merituar zemërimin e Allahut dhe të Krishterët janë të humburit, injoranti mendon se ky (ajet) është i kufizuar vetëm për ata, kurse ai lexon se Zoti i Tij ia ka bërë obligim atij që të lutet me këtë lutje dhe të kërkojë mbrojtje nga rruga e pasuesve të këtyre cilësive. I Pastër nga çdo e metë je Ti o Allah. Si ka mundësi që Allahu e mëson atë, dhe i zgjedh atij dhe e obligon atë që t’i lutet gjithmonë Zotit të Tij, mëgjithëkëtë ai nuk ka kujdes ndaj kësaj dhe nuk mendon se vepra e tij është mendim i keq për Allahun?” Mbaroi fjala e Shejkhut, Allahu e mëshiroftë.
Ky na sqaron urtësinë në lidhje me obligueshmërinë e leximit të kësaj sureje të madhe – Sureja el-Fatiha – në çdo rekat të namazit tonë, farze apo nafile, Sure e cila ngërthen në vete fsheftësi të mëdha, dhe një prej saj është kjo lutje madhështore: Që Allahu të na japë sukses në ndjekjen e rrugës së pasuesve të dijes së dobishme dhe veprës së mirë, e cila është rruga e shpëtimit në këtë botë dhe në botën tjetër dhe të na shpëtojë nga rruga e atyre shkatërrimtarëve, të cilët i braktisën veprat e mira dhe dijen e dobishme.
Pastaj, dije! O ti lexues i nderuar se dituria e dobishme merret prej Kur’anit dhe Sunnetit duke i kuptuar ato dhe duke medituar për to, e cila arrihet përmes ndihmës së mësuesve këshillues, dhe përmes librave të tefsirit dhe shpjegimeve të haditheve, dhe librave të fik’hut, librave të gramtatikës dhe gjuhës Arabe, në të cilën gjuhë ka zbritur Kur’ani Fisnik. Këto libra janë një rrugë për ta kuptuar Kur’anin dhe Sunnetin.
Andaj, o ti vëlla musliman – që vepra jotë te jetë e saktë – e ke për detyrë të mësosh atë që të bën të qëndrueshëm në fenë tënde, e që është namazi yt, agjërimi yt dhe Haxhi yt. Të mësosh dispozitat e Zekatit të pasurisë tënde dhe po ashtu të mësosh dispozitat e shitblerjes për të cilat ke nevojë, që të marrësh prej tyre atë që e ka lejuar Allahu për ty dhe të zmbrapsesh prej asaj që e ka ndaluar Allahu për ty, në mënyrë që përfitimi jot të jetë hallall, ushqimi jot të jetë hallall, me qëllim që lutja jote të pranohet.
Për të gjitha këto ke nevojë që të mësosh dhe kjo është e lehtë me lejen e Allahut nëse vendosmëria jote është e saktë dhe qëllimi jot është i sinqertë. Andaj, ki zell për të lexuar librat e dobishëm (të fesë) dhe lidhu me dijetarët që t’i pyesësh për atë që je në mëdyshje, merri prej tyre dispozitat e fesë tënde. Gjithashtu kujdesu që të prezantosh në seminaret dhe ligjëratat e tyre fetare që mbahen nëpër xhamia apo diku tjetër, dhe dëgjoi programet fetare në radio, lexo revistat fetare, transmetimet si dhe broshurat që flasin për çështjet e fesë. Nëse ti ke zell dhe i ndjek këto linja të mirësisë, të shtohen informatat e tua dhe shkëlqen dija jote.
Mos harro o vëlla se dituria shtohet dhe rritet me vepra. Pra, nëse ti punon me atë që mëson, Allahu ta shton dijen. Siç thotë një fjalë e urtë:
من عمل بما علم أورثه الله علم ما لم يعلم
“Kush punon me atë që e mëson, Allahu do ta trashëgojë me një dije që nuk e ka ditur.”
Për këtë është dëshmi Fjala e Tij, të Lartësuarit:
وَاتَّقُوا اللَّـهَ ۖ وَيُعَلِّمُكُمُ اللَّـهُ ۗ وَاللَّـهُ بِكُلِّ شَيْءٍ عَلِيمٌ
“Dhe ia kini frikën Allahut; dhe Allahu ju mëson ju. Dhe Allahu është i Gjithëdituri për çdo gjë.” El-Bekare, 282
Dija është ajo që ka më shumë të drejtë që ta shpenzosh kohën për të, ata që kanë logjikë të shëndoshë bëjnë gara për ta fituar atë (dijen) dhe përmes dijes ngjallen zemrat dhe shtohen veprat (e mira).
Allahu – e Madhëruar është Përmendja e Tij dhe të Shenjtë janë Emrat e Tij – i ka lavdëruar dijetarët që kanë vepra (e jo vetëm fjalë, sh.p) dhe ua ka ngritur pozitën e tyre në Librin e qartë. I Lartësuari ka thënë:
هَلْ يَسْتَوِي الَّذِينَ يَعْلَمُونَ وَالَّذِينَ لَا يَعْلَمُونَ ۗ إِنَّمَا يَتَذَكَّرُ أُولُو الْأَلْبَابِ
“A janë ata që dinë, njësoj me ata që nuk dinë?” Janë vetëm njerëzit e brumosur me mendje të shëndoshë të cilët me të vërtetë do të përkujtojnë (e do të marrin mësim nga Fjalët dhe Shenjat e Allahut).” Ez-Zumer, 9
Po ashtu, i Lartësuari ka thënë:
يَرْفَعِ اللَّـهُ الَّذِينَ آمَنُوا مِنكُمْ وَالَّذِينَ أُوتُوا الْعِلْمَ دَرَجَاتٍ ۚ وَاللَّـهُ بِمَا تَعْمَلُونَ خَبِيرٌ
“Allahu i lartëson në grada të larta ata që besojnë dhe atyre që u është dhënë dija. Dhe Allahu është i Mirënjohur për gjithçka që ju punoni.” El-Muxahdele, 11
Allahu – Subhanehu ue Te’ala – e tregoi meritën e atyre që u është dhënë dije që është e lidhur me iman, më pas tregoi se ai është i Gjithëdijshëm për atë që punojmë dhe Ai e vëzhgon atë vepër, që të na tregojë neve se duhet patjetër të bëhet bashkim në mes dijes dhe veprës dhe të gjitha ato vepra të vijnë si pasojë e imanit dhe dije se Allahu – Subhanehu ue Te’ala – e vëzhgon atë.
Dhe ne – duke mbaruar detyrën e bashkëpunimit në punë të mira dhe devotshmëri – do t’ju ofrojmë me Fuqinë e Allahut dhe Madhërinë e Tij përmes këtij libri disa informata nga kapitali i jurisprudencës që dijetarët tanë i kanë nxjerrë për neve dhe i kanë shkruar në librat e tyre. Do t’ju ofrojmë atë që është e lehtë, shpresojmë që kjo t’ju shtyjë që të përfitoni dhe ta shtoni dijen e dobishme.
E lusim Allahun që të na shtojë neve dhe juve dijen e dobishme, dhe të na japë sukses në bërjen e veprave të mira. Dhe e lusim Atë – të Pastrin nga çdo mangësi – që të na bëjë ta shohim të vërtetën si të vërtetë dhe të na begatojë me ndjekjen e saj dhe të na bëjë ta shohim të pavërtetën si të pavërtetë dhe të na begatojë me largimin prej saj. Vërtetë, Ai dëgjon gjithçka dhe u përgjigjet lutjeve.
Përktheu: Jeton Shasivari