Bismilah...

Autor: Shejkh Muhamed bin Salih el-Uthejmin

Burimi: http://www.ibnothaimeen.com/all/noor/article_1468.shtml

Pyetje: Allahu ua shpërbleftë me të mira, shejkh i nderuar ky pyetës, 'Ala Husejn, thotë: A lejohet dhënia mes'h mbi çorapet e grisura kur merr abdes?

Përgjigje: Mendimi i saktë është se lejohet dhënia mes'h mbi papuçet e grisura dhe çorapet e holla prej të cilave duket lëkura, ngase nuk ka argument që të jetë kusht mosqënia e grisur apo e shqepur apo të mos jetë e hollë; dhe sikur të ekzistonte një kusht i tillë do të kishte ardhur në Kuran dhe Sunet. Dhe origjina në lejimin e dhënies mes'h mbi çorape dhe papuçe, është lehtësimi i Umetit. Dhe nëse vendosim kushte të cilat nuk kanë argument në Librin e Allahut dhe në Sunetin e të Dërguarit të Tij - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem -, atëherë lehtësimi kthehet në rëndim, prandaj më e sakta është lejimi i dhënies mes'h mbi çorape, për aq kohë sa ajo ka atë emër, qoftë e hollë, e trashë, e grisur apo e saktë. Dhe afati i mesteve për jo-udhëtarin është një ditë e një natë, me kusht që t'i veshë ato kur është i pastër (dmth pasi ka marrë abdes ose gusl sh.p.) dhe të mos bëhet xhunub. E nëse i vesh pa qënë i pastër, nuk i lejohet dhënia mes'h. Dhe nëse bëhet xhunub, e ka obligim t'i heqë ato dhe të lajë këmbët. Ndërsa për udhëtarin, afati është tre ditë dhe llogaritja bëhet sipas kohës, jo sipas namazeve. Kurse ajo që është përhapur tek njerëzit se afati është pesë namaze, kjo është gabim. Në sunet ka ardhur një ditë e një natë për jo-udhëtarin dhe tre ditë për udhëtarin. Dhe koha e mesteve fillon që nga fshirja e parë, pasi që je bërë i papastër (pasi ke prishur abdesin sh.p.). Nëse supozojmë se një burrë i veshi çorapet kur mori abdes për namazin e sabahut ditën e dielë, dhe e mbajti pastërtinë (abdesin) gjithë ditën dhe u dha mes'h çorapeve për herë të parë në namazin sabahut të ditës së hënë, atëherë fillimi i kohës së mesteve është dita e hënë, sepse koha përpara se t'u jepet mes'h çorapeve nuk konsiderohet dhe as nuk llogaritet prej kohës së mesteve.

Përktheu: Umm 'Akil