Bismilah...

Autor: Shejkhul-Alameh Muhamed Ibn Salih el-‘Uthejmin (rahimehullah)

Burimi: http://www.sahab.net/forums/index.php?showtopic=116617

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirëshmit, Mëshirëplotit.

E gjithë lavdia i takon Allahut të Lartësuar e të Madhëruar. I vetmi që krijon dhe sistemon gjithçka, Ai i Cili i nderoi të dashurit e Tij me ndihmën e Tij dhe i poshtëroi armiqtë e Tij me braktisjen e Tij. E mbrojtësi ynë më i mirë është Zoti ynë dhe Ai është Ndihmuesi më i mirë. Dhe dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përpos Allahut të vetëm e të pashokë, i Tij është Sundimi dhe Lavdia dhe Ai është i Plotëfuqishëm për gjithëçka; dhe dëshmoj se Muhamedi është robi i Tij dhe i Dërguari i Tij, përgëzuesi dhe paralajmëruesi dhe kandili ndriçues, lavdërimi i Allahut qoftë mbi të, mbi Familjen e tij, mbi Shokët e tij dhe mbi ata që e pasuan atë në mirësi deri në Ditën e Gjykimit, mbi ta qofshin bekime të shumta.

E më pas:

Vërtet, në këtë muaj - muaji Muharram – ka ndodhur shpëtimi i Musait - ‘alejhis-salatu ues-selam - dhe i popullit të tij nga armiku i Allahut Faraoni dhe ushtria e tij. Dhe pasha Allahun, ai shpëtim është padyshim nga mirësitë madhështore që obligojnë falenderimin për Allahun - ‘Azze ue Xhel-le. E për këtë arsye, kur Pejgamberi - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - erdhi në Medine i gjeti Jehudët të agjëronin ditën e Ashures në këtë muaj. Tha Pejgamberi - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem:

فَأَنَا أَحَقُّ بِمُوسَى مِنْكُمْ

“Ne e meritojmë më shumë Musain sesa ju.”

Pastaj e agjëroi atë ditë dhe urdhëroi (Sahabët) që ta agjëronin. Dhe ai u pyet për vlerën e agjërimit të asaj dite dhe tha - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem :

أحتسب على الله أن يكفر السنة التي قبله

“Llogaris që Allahu që të më shlyejë vitin e kaluar.” (d.m.th. gjynahet e vogla të vitit të kaluar).

Dhe vërtetë ai urdhëroi më mbas që të kundërshtoheshin Jehudët duke agjëruar ditën e dhjetë (të muajit Muharram) dhe ditën para saj, që është dita e nëntë, ose ditën mbas saj, që është dita e njëmbëdhjetë.

Dhe më e mira është që robi të agjërojë ditën e dhjetë dhe t’i bashkangjisë ditën para saj ose ditën mbas saj. Po të agjërojë me të ditën e nëntë është më mirë sesa të agjërojë ditën e njëmbëdhjetë.

Pra, ti vëlla Musliman duhet të agjërosh ditën e Ashures dhe poashtu ditën e nëntë që t’i kundërshtosh kështu Jehudët, gjë për të cilën na urdhëroi i Dërguari - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.

Allahu na dhëntë sukses neve dhe juve që ta falenderojmë për mirësitë e Tij dhe ta adhurojmë ashtu siç meriton dhe të na ruajë nga e keqja e veteve tona me mbrojtjen e Tij. Vërtet, Ai është Fisnik e Bujar.

Lejoj publikim e këtyre fjalëve.

Shkroi: Muhamed es-Salih el-‘Uthejmin 21/12/1409 Hixhrij

Përktheu: Alban Malaj