Autor: Muhamed ibën Salih el-Uthejmin
Burimi: Likaul-Babil-Meftuh, kaseta, 186, pjesa e dytë, min. 18:00
Pyetje: Tani thuhet se faraonin të cilin e fundosi Allahu, trupi i tij ekziston në një muze arkeologjik dhe se e vizitojnë atë duke paguar një shumë të caktuar parash në atë muze arkeologjik dhe shkruan poshtë statujës së tij, mendoj se quhet Ramzesi i Dytë. Thonë se ky është ai që e ka fundosur Allahu në atë kohë (kohën e Musait) dhe se Allahu e ka bërë atë mësim për ata që do të jetojnë pas tij. Ata argumentohen me ajetin:
فَالْيَوْمَ نُنَجِّيكَ بِبَدَنِكَ لِتَكُونَ لِمَنْ خَلْفَكَ آيَةً
“Sot do ta shpëtojmë trupin tënd (të vdekur), që të jetë një shenjë për ata që vijnë pas teje.” Junus, 92
Përgjigje: Ata që ishin pas tij, kush ishin? Ishin Bijtë e Israilit, ngase faraoni i frikësonte Bijtë e Israilit, ua futi frikën në palcë dhe i tmerroi ata; sikur ata të mos e shihnin trupin e tij të vdekur, do t’u kishte vajtur mendja te shumë gjëra dhe do thonin: “Ndoshta ka shpëtuar ai!” Por, kur ata e panë atë me sytë e tyre, u siguruan dhe u rehatuan. A mendon se sikur faraoni do të mbetej me trup dhe Bijtë e Israilit ta trashëgonin tokën e tij, e pastaj t’i bënin atij muze? Unë nuk po të pyes ty se ç’thonë njerëzit, unë po të parashtroj pyetje logjike. A është e mundur kjo? Nëse atyre do t’ju kishe rënë në duar trupi i tij, do ta kishin bërë atë copë e çikë.
Çdo gjë që thonë për trupin e tij se ekziston në këtë, të gjitha janë gënjeshtra. Por, me keqardhje, sot një shtet Islam ka filluar të festojë dhe të mburret me faraonin, sipas pretendimit të tyre se ky është faraoni i Musait – lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të; ata mburren me të. Nëse e shikon këtë nga një këndvështrim tjetër, kjo është njësoj sikur mburrja e të Krishterëve me kryqin, në të cilin është kryqëzuar Isa – lëvdata dhe shpëtimi qoftë mbi të – pasi që është vrarë. Nëse të Krishterët do të logjikonin, ata duhej që ta thyenin kryqin nëse e shihnin atë, por ata kanë injorancë.
Kryesorja, është obligim që të besosh se ky njeri nuk është faraoni i Musait, porse ai është një prej faraonëve apo statujave që është bërë me dorë. E lusim Allahun që ta na shpëtojë nga faraoni dhe populli i tij, si dhe nga rruga e tij; t’i udhëzojë shokët tanë në atë që është mirësi dhe përmirësim.
Përktheu: Jeton Shasivari