Autorë: Taberiu, Sem’ani, Begauiju, Ibën Kethiri, Sadi, Uthejmini

 

 

Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:

 

﴿وَالسَّمَاءَ بَنَيْنَاهَا بِأَيْدٍ وَإِنَّا لَمُوسِعُونَ﴾

“Ne e kemi ndërtuar qiellin me fuqinë (Tonë) dhe Ne e kemi zgjeruar atë.” edh-Dharijat, 47  [1]

 

 

 

(1) Imam Taberiu (v. 310 h), Allahu e mëshiroftë, për këtë ajet thotë:

 

Na ka treguar Ibën Humejdi, na ka treguar Mehrani nga Sufjani i cili për ajetin:

 

﴿وَالسَّمَاءَ بَنَيْنَاهَا بِأَيْدٍ ﴾

“Ne e kemi ndërtuar qiellin me fuqinë (Tonë)...” edh-Dharijat, 47

Ka thënë (se fjala “بِأَيْدٍ”) do të thotë: “ me forcë - بقوة.”

 

Dhe për Fjalën e Tij:

 

وَإِنَّا لَمُوسِعُونَ

“...dhe Ne e kemi zgjeruar atë.” edh-Dharijat, 47

Sufjani ka thënë se domethënia e këtij ajeti është se: “Ne, pa dyshim kemi pasuri. Ne kemi krijuar atë që kemi dashur të krijojmë dhe Ne kemi fuqi mbi këtë krijim.”

 

Ky ajet më sipër është i ngjashëm me ajetin në Fjalën e Tij:

 

﴿عَلَى الْمُوسِعِ قَدَرُهُ وَعَلَى الْمُقْتِرِ قَدَرُهُ﴾

“...pasaniku sipas mundësisë së tij dhe i varfëri sipas mundësisë së tij...” el-Bekare, 236

Me këtë ajet është për qëllim ai që ka fuqi (mundësi).

 

Ibën Zejdi ka thënë për këtë ajet atë që i ka treguar Junusi, i cili thotë: na ka treguar Ibën Uehbi, na ka treguar Ibën Zejdi, i cili për Fjalën e Tij:

 

وَإِنَّا لَمُوسِعُونَ

“...dhe Ne e kemi zgjeruar atë.” edh-Dharijat, 47

 

Ka thënë: “E ka zgjeruar atë – i Madhëruari.”

 

Burimi: Xhami’ul-Bejan, (22/438).

 

 

 

(2) Ebu Mudhaffer es-Sem’anij (v.489), Allahu e mëshiroftë, thotë:

 

﴿وَالسَّمَاءَ بَنَيْنَاهَا بِأَيْدٍ وَإِنَّا لَمُوسِعُونَ﴾

“Ne e kemi ndërtuar qiellin me fuqinë (Tonë) dhe Ne e kemi zgjeruar atë.” edh-Dharijat, 47

 

Fjala e Tij:

 

﴿وَإِنَّا لَمُوسِعُونَ﴾

“...dhe Ne e kemi zgjeruar atë.”

 

Muhaxhidi ka thënë: “Domethënia e këtij ajeti është se “Ne kemi fuqi të krijojmë edhe një qiell tjetër si ky.””

 

Po ashtu, thuhet për ajetin:

 

﴿وَإِنَّا لَمُوسِعُونَ﴾

 

Se do të thotë: “Ne kemi mundësi të krijojmë atë që është ende më i qëndrueshëm dhe më i lartë se ky qiell që e shikoni.”

 

Ndërsa kuptimi i vërtetë i ajetit është: “Kjo që e kemi krijuar Ne, nuk është e gjithë fuqia që posedojmë, porse Ne kemi mundësi të bëjmë si ky krijim edhe shumë të tillë.”

 

Po ashtu, thuhet për ajetin:

 

﴿وَإِنَّا لَمُوسِعُونَ﴾

Se do të thotë: “në furnizimin e robërve.”

Gjithashtu, thuhet edhe për: “sistemimin e çështjeve të robërve.”

 

Burimi: Tefsirul Kuran (5/262).

 

 

 

(3) Begauiju (v. 516), Allahu e mëshiroftë, për këtë ajet thotë:

 

﴿وَالسَّمَاءَ بَنَيْنَاهَا بِأَيْدٍ﴾

“Ne e kemi ndërtuar qiellin me fuqinë (Tonë)...” edh-Dharijat, 47

 (Fjala “بِأَيْدٍ”) do të thotë: “me forcë.”

 

﴿وَإِنَّا لَمُوسِعُونَ﴾

“...dhe Ne e kemi zgjeruar atë.”

 

Ibën Abbasi – radijAllahu te’ala ‘anhu – ka thënë se: “مُوسِعُونَ” do të thotë قادرون – Ne jemi të Plotfuqishëm.”

Po ashtu është transmetuar nga ibën Abbasi se për domethënien e këtij ajeti ka thënë: “Jemi të Plotfuqishëm për t’i furnizuar krijesat Tona.”

Po ashtu është thënë se kjo fjalë “مُوسِعُونَ” do të thotë: “Ai që ka bujari dhe fuqi të madhe.”

Ed-Dahak ka thënë se kjo fjalë “مُوسِعُونَ” do të thotë: “Ne jemi të Pasur.” Argumenti i tij është Fjala e Tij – të Plotfuqishmit e të Madhëruarit:

 

﴿عَلَى الْمُوسِعِ قَدَرُهُ وَعَلَى الْمُقْتِرِ قَدَرُهُ﴾

“...pasaniku sipas mundësisë së tij dhe i varfëri sipas mundësisë së tij...” el-Bekare, 236

Haseni ka thënë: “Ne kemi fuqi.”

 

Burimi: Me’alimu Tenzil fi Tefsiril Kuran (4/286).

 

 

 

(4) Ibën Kethiri (v.774 h.), Allahu e mëshiroftë, për këtë ajet thotë:

 

Allahu i madhëruar thotë duke u treguar krijesave të botës së poshtme (tokësore) dhe botës së epërme (qiellore) se: “Qiellin e kemi ndërtuar me fuqinë Tonë,” pra e kemi bërë kulm mbrojtës e të lartë.

(Fjala)  “بِأَيْدٍ” do të thotë: me fuqi. Këtë e ka thënë Ibën Abassi, Muxhahidi, Katade, Theurij, si dhe të tjerë.

Fjala وَإِنَّا لَمُوسِعُونَ – Ne e kemi zgjeruar atë,” do thotë se: “Ne i kemi zgjeruar anët e tij dhe e kemi ngritur atë pa shtylla, saqë ai rri ashtu i mëvetësishëm.”

 

Burimi: Tefsirul Kuranil ‘Adhim (7/395).

 

 

 

(5) Abdur-Rahman es-Sadij (v. 1376), Allahu e mëshiroftë, për këtë ajet thotë:

 

﴿وَإِنَّا لَمُوسِعُونَ﴾

“...dhe Ne e kemi zgjeruar atë.”

I kemi zgjeruar caqet dhe anët e tij.

 

(Po ashtu, ky ajet):

 

﴿وَإِنَّا لَمُوسِعُونَ﴾

“...dhe Ne kemi fuqi.”

 

Do të thotë: “Ne kemi fuqi për t’i furnizuar robërit Tanë.” Ai, Allahu, i Cili nuk ka lënë asnjë gjallesë në tokat e thata, në thellësirat e deteve dhe kufijtë e botës së epërme e të poshtme, vetëm se ia ka dërguar furnizimin që i mjafton dhe i jep të mira aq sa e bën të pavarur nga tjerët.

Andaj, i Pastër nga çdo mangësi është Ai, që i ka përshirë me Bujarinë e Tij të gjitha krijesat; dhe i Madhëruar është Ai që me Mëshirën e Tij i ka përfshirë të gjitha krijesat që jetojnë në tokë.

 

Burimi: Tejsirul Kerimi Rahman (fq. 811).

 

 

 

(6) Uthejmin (v.1421), Allahu e mëshiroftë, për këtë ajet thotë:

 

﴿وَإِنَّا لَمُوسِعُونَ﴾

“...dhe Ne e kemi zgjeruar atë.” edh-Dharijat, 47

 

Do të thotë që: “Ne i kemi zgjeruar anët e tij.” Ngase qielli është shumë i gjerë. Për këtë arsye, qielli është shumë më i madh se toka dhe ai e rrethon tokën nga të gjitha anët. Duke u bazuar te kjo (themi) se qielli është më i gjerë se toka. Toka në krahasim me qiellin është tepër e vogël.

 

Burimi: Tefsirul Kuranil Kerim, minel Huxhurat ilel Hadid (fq. 180).

 

 

Fundnota:

[1] (Shënim i përkthyesit): Në përkthimet e Kuranit të Sherif Ahmetit dhe Hasan Nahit (botimi i vitit 2011), një pjesë e këtij ajeti, nuk është përkthyer sipas bazave dhe kritereve të tefsirit, por është përkthyer duke u bazuar në teoritë dhe hipotezat e krijimit të universit, siç është teoria e “Big Bengut” që pretendon se universi zgjerohet vazhdimisht. Kjo pjesë e fundit e ajetit është përkthyer: “...Ne e zgjerojmë atë.”

 

 

Përktheu: Jeton Shasivari