‘Abdullah Ibn ‘Abbasi - radij-Allahu ‘anhuma - ka thënë: “Shkova tek Pejgamberi - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - në fundin e natës dhe e gjeta në këmbë duke u falur dhe u lidha në namaz mbas tij. Ai më kapi për dore dhe më tërhoqi derisa më vendosi përbri tij. Dhe kur Pejgamberi - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - u rikthye në namazin e tij (d.m.th. në këmbë) unë u tërhoqa mbrapa. E me të mbaruar namazin, Pejgamberi - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - tha:
“Si është kjo puna jote, unë të vendos përbri meje kurse ti tërhiqesh mbrapa?”
Unë thashë: “A është e drejtë që dikush të falet përbri teje, ndërsa ti je i Dërguari i Allahut, të cilin Allahu e ka bekuar?” Atij i pëlqeu ajo ç’ka thashë dhe pastaj bëri dua që Allahu të më shtojë diturinë dhe fik’hun.”
Transmetuar nga Imam Ahmedi në Musnedin e tij (1/330) dhe është saktësuar nga Shejkhul-Albani në Silsiletul-Ehadijthis-Sahijhah (n. 6060). Dhe ka thënë Shejkhul-Albani - rahimehullah -:
“Prej fik’hut të këtij hadithi është se personi i vetëm nëse falet me imamin qëndron përbri tij (d.m.th. anash tij), njësoj me të, në të djathtën e tij (d.m.th. në të djathtë të imamit), e nuk del para tij e as mbrapa tij. Dhe ky poashtu është mendimi i Hanbelive, siç gjendet edhe tek Menar es-Sebiil…”
Përktheu: Alban Malaj