Autor: Shejkh ‘Abdul-‘Azijz bin Baz
Burimi: Mexhmu’u Fetaua ue Mekalat Muteneu’iah, 6/355
Burimi: http://www.binbaz.org.sa/fatawa/325
Pyetje: Çfarë do të thotë fjala e të Dërguarit – ‘alejhi salatu ue selam – në hadith:
مُمِيلاَتٌ مَائِلاَتٌ
“...(gra) devijuese dhe të devijuara...” [1]
Përgjigje: Ky hadith është i saktë, e ka transmetuar Imam Muslimi në Sahihun e tij nga Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – se ka thënë:
صِنْفَانِ مِنْ أَهْلِ النَّارِ لَمْ أَرَهُمَا قَوْمٌ مَعَهُمْ سِيَاطٌ كَأَذْنَابِ الْبَقَرِ يَضْرِبُونَ بِهَا النَّاسَ وَنِسَاءٌ كَاسِيَاتٌ عَارِيَاتٌ مُمِيلاَتٌ مَائِلاَتٌ رُءُوسُهُنَّ كَأَسْنِمَةِ الْبُخْتِ الْمَائِلَةِ لاَ يَدْخُلْنَ الْجَنَّةَ وَلاَ يَجِدْنَ رِيحَهَا وَإِنَّ رِيحَهَا لَيُوجَدُ مِنْ مَسِيرَةِ كَذَا وَكَذَا
“Dy lloje njerëzish që janë nga banorët e Zjarrit, nuk i kam parë (akoma).
(Lloji i parë): Njerëz që kanë kamxhikë si bishtat e lopëve, me të cilët i godasin njerëzit (padrejtësisht);
(Lloji i dytë): Gra të veshura, të zhveshura; të devijuara, devijuese! Kokat e tyre i kanë si gungat e anuara të devesë. Këto lloj grash s’kanë për të hyrë në Xhennet dhe as që kanë për ta nuhatur aromën e tij, ndërsa aroma e tij nuhatet nga shumë larg.” [2]
Ky është kërcënim i rëndë. Është detyrë që të kemi kujdes nga këto gjëra për të cilat flet ky hadith.
Pra, burrat të cilët mbajnë në duar kamxhikë si bishtat e lopëve, janë ata të cilët marrin përsipër t’i rrahin njerëzit me pa të drejtë, e ata janë policët; qoftë kjo me urdhrin e shtetit apo pa urdhrin e shtetit. Shtetit i bindesh në atë që është e mirë. I Dërguari i Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – ka thënë:
إِنَّمَا الطَّاعَةُ فِي الْمَعْرُوفِ
“Me të vërtetë që bindja është në të mira.” [3]
Dhe ka thënë i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem:
لاَ طَاعَةَ لِمَخْلُوقٍ فِي مَعْصِيَةِ الْخَالِقِ
“Nuk ka bindje ndaj krijesës kur kundërshtohet Krijuesi.” [4]
Ndërsa fjala e tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem:
وَنِسَاءٌ كَاسِيَاتٌ عَارِيَاتٌ مُمِيلاَتٌ مَائِلاَتٌ
“Gra të veshura, të zhveshura; devijuese dhe të devijuara.” [5]
Njerëzit e dijes e kanë shpjeguar këtë, duke thënë se domethënia e fjalës:
(Fjala) “ كَاسِيَاتٌ – të veshura”, do të thotë të mbuluara me mirësitë e Allahut;
(Fjala) “عَارِيَاتٌ – të zhveshura”, do të thotë janë të zhveshura nga falenderimi për këto mirësi. Nuk i binden Allahut dhe nuk i lënë mëkatet dhe veprat e këqija, megjithëse Allahu i ka begatuar me mirësi, siç është pasuria dhe gjëra të tjera.
Gjithashtu, ky hadith është shpjeguar me një kuptim tjetër; e ai është se ato janë të veshura me rroba që nuk i mbulojnë siç duhet, ose janë rroba të holla (të tejdukshme) ose janë të shkurtra, kështu që nuk mbulohet ajo që kërkohet të mbulohet. Për këtë arsye, ai tha se janë “عَارِيَاتٌ – të zhveshura”, pasi që rrobat e tyre nuk e mbulojnë auretin (pjesët e turpshme) e tyre.
(Fjala) “مَائِلاَتٌ – të devijuara,” d.m.th. janë të devijuara dhe të mënjanuara prej nderit dhe qëndrueshmërisë në Fe. Pra, ato kanë mëkate dhe vepra të këqija, siç janë ato gra që merren me punë dhe fjalë të këqija, apo janë të mangëta në përmbushjen e obligimeve të fesë, si namazet apo të tjera.
(Fjala) “مُمِيلاَتٌ – devijuese,” do të thotë se ato janë devijuese për të tjerët, thërrasin për vepra të këqija dhe degjenerim. Pra, me veprat dhe fjalët e tyre, i devijojnë dhe i bëjnë gratë e tjera që të anojnë nga degjenerimi dhe mëkatet; merren me punë të këqija për shkak të mungesës së Imanit, apo dobësisë së Imanit dhe pakësimit të tij.
Qëllimi i këtij hadithi të saktë është paralajmërimi nga padrejtësia dhe llojet e ndryshme të degjenerimit, si nga ana e meshkujve ashtu edhe nga ana e femrave.
Gjithashtu, fjala e tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –:
رُءُوسُهُنَّ كَأَسْنِمَةِ الْبُخْتِ الْمَائِلَةِ
“Kokat e tyre i kanë si gungat e anuara të devesë.” [6]
Kanë thënë disa dijetarë: ato i zmadhojnë kokat me format dhe rrotullimet e flokëve që u bëjnë, derisa u ngjanë gungave të anuara të devesë. Ndërsa “البخت – el-bukht”, është një lloj deveje që ka dy gunga, mes dy gungave është vendi i ulët dhe i pjerrët, njëra gungë anon nga njëra anë, dhe gunga tjetër anon nga ana tjetër. Pra, këto gra përderisa i zmadhojnë dhe i rrisin kokat e tyre (me format që u japin flokëve), u përngjajnë gungave të deveve.
Ndërsa fjala e tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –:
لاَ يَدْخُلْنَ الْجَنَّةَ وَلاَ يَجِدْنَ رِيحَهَا
“Nuk do të hyjnë në Xhennet dhe nuk do ta nuhasin aromën e tij.” [7]
Ky është kërcënim i rëndë. Nuk kuptohet detyrimisht prej kësaj se ata konsiderohen kafire, dhe as që do të jenë përgjithmonë në zjarr. Këto gjynahe janë si gjynahet e tjera, nëse vdesin në Islam. Por, ato dhe të ngjashmet me to prej grave mëkatare, të gjithë janë të kërcënuar me Zjarr për shkak të gjynaheve të tyre. Megjithatë, ata janë nën Mëshirën e Allahut; nëse Ai – i Lartësuari nga çdo e metë – do, i fal dhe i mëshiron. E nëse do, i dënon. Siç ka thënë Allahu – ‘Azze ue Xhel-le – në Suren Nisa, në dy vende:
إِنَّ اللَّهَ لا يَغْفِرُ أَنْ يُشْرَكَ بِهِ وَيَغْفِرُ مَا دُونَ ذَلِكَ لِمَنْ يَشَاءُ
“Me të vërtetë Allahu nuk fal që t’i bësh Atij shok në adhurim, dhe përveç kësaj Ai e fal kë të dojë.” [En-Nisa, 48 dhe 116]
Ai që hyn në Zjarr prej gjynahqarëve, nuk do jetë përgjithmonë në të, sikurse kafiri (i cili do të jetë përgjithmonë në zjarr). Por, ai do të qëndrojë një kohë të caktuar, siç thonë pasuesit e Sunetit dhe Xhematit. E që është e kundërta te Khauarixhët, M’utezilit dhe ata që pasuan metodologjinë e tyre nga pasuesit e bidatit.
Sepse hadithet e sakta, janë transmetuar në numër të shumtë nga i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – që tregojnë për ndërmjetësimin e tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – për gjynahqarët e umetit të tij. Allahu – ‘Azze ue Xhel-le – do ta pranojë shumë herë ndërmjetësimin e tij; çdo herë i cakton atij një numër të kufizuar, dhe i nxjerr ata nga Zjarri.
Kështu do të veprojnë të Dërguarit e tjerë, besimtarët, Melaiket dhe të devotshmit; që të gjithë do të ndërmjetësojnë me lejen e Tij – Të Pastrit nga çdo e metë. Ai – ‘Azze ue Xhel –, i bën ndërmjetësues për ata që dëshiron prej pasuesve të Teuhidit, të cilët kanë hyrë në Zjarr për shkak të gjynaheve, ndërkohë që janë Muslimanë. Në Zjarr do të mbesin pjesa tjetër e gjynahqarëve (Muslimanë), të cilët nuk i përfshin ndërmjetësimi i ndërmjetësuesve, dhe i nxjerr ata Allahu – i Pastër nga çdo e metë – me Mëshirën dhe Mirësinë e Tij. Nuk ngelin në Zjarr, vetëm se kafirat, të cilët do të qëndrojnë në të përgjithmonë, siç thotë Allahu – ‘Azze ue Xhel-le – për kafirat:
كُلَّمَا خَبَتْ زِدْنَاهُمْ سَعِيرًا
“Sa herë që pushojnë flakët e Zjarrit, Ne ua shtojmë atyre flakët e tij.” [El-Isra, 97]
Dhe thotë i Lartësuari:
فَذُوقُوا فَلَنْ نَزِيدَكُمْ إِلا عَذَابًا
“Pra, shijojeni vuajtjen pasi Ne nuk do t’ju shtojmë vetëm se dënim.” [En-Nebe, 30]
Dhe thotë i Pastri nga çdo e metë për kafirat që adhurojnë idhujt:
كَذَلِكَ يُرِيهِمُ اللَّهُ أَعْمَالَهُمْ حَسَرَاتٍ عَلَيْهِمْ وَمَا هُمْ بِخَارِجِينَ مِنَ النَّارِ
“Gjithashtu Allahu do t’ua paraqesë atyre veprat e tyre si dëshpërim për ta, dhe kurrë nuk do të dalin prej Zjarrit.” [El-Bekareh, 167]
Dhe thotë i Lartësuari:
إِنَّ الَّذِينَ كَفَرُوا لَوْ أَنَّ لَهُمْ مَا فِي الْأَرْضِ جَمِيعًا وَمِثْلَهُ مَعَهُ لِيَفْتَدُوا بِهِ مِنْ عَذَابِ يَوْمِ الْقِيَامَةِ مَا تُقُبِّلَ مِنْهُمْ وَلَهُمْ عَذَابٌ أَلِيمٌ * يُرِيدُونَ أَنْ يَخْرُجُوا مِنَ النَّارِ وَمَا هُمْ بِخَارِجِينَ مِنْهَا وَلَهُمْ عَذَابٌ مُقِيمٌ
“Ata që mohuan, nëse do të ishte e tyre gjithçka ka në tokë dhe njëherë aq; dhe ta jepnin atë si kompensim për të shpëtuar prej dënimit të Ditës së Gjykimit, nuk u pranohet atyre! Dhe ata do të kenë dënim të dhembshëm. Ata duan të dalin nga Zjarri, por kurrë nuk do të dalin prej tij. Dhe do të kenë dënim të përhershëm.” [El-Maideh, 36-37]
Ajetet me këtë kuptim janë të shumta, Allahut i kërkojmë mirëqenie dhe shpëtim prej gjendjes së tyre.
Fundnotat:
[1] Sahihu i Muslimit (2128).
[2] Sahihu i Muslimit (2128), Musnedi i Ahmed bin Hanbel (2/365).
[3] Sahihu i Buhariut (7145), Sahihu i Muslimit (1840), Suneni i Nesaiut (4205), Suneni i Ebu Daudit (2625), Musnedi i Ahmed bin Hanbel (1/82).
[4] Sahihu i Buhariut (7275), Sahihu i Muslimi (1840), Suneni i Nesaiut (4205), Suneni i Ebu Daudit (2625), Musnedi i Ahmed bin Hanbel (1/94).
[5] Sahihu i Muslimit (2128), Musnedi i Ahmed bin Hanbel (2/365), Mueta e Imam Malik (1694).
[6] Sahihu i Muslimit (2128), Musnedi i Ahmed bin Hanbel (2/440), Mueta e Imam Malik (1694).
[7] Sahihu i Muslimit (2128), Musnedi i Ahmed bin Hanbel (2/440), Mueta e Imam Malik (1694).
Përktheu: Servet Mata