I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Kërkoni ndihmë nga Allahu për përmbushjen e nevojave duke i fshehur ato, sepse vërtet për çdo begati që i jepet dikujt, ka njerëz që kanë zili për të.” [1]
اسْتَعِينُوا على إنجاحِ الحَوَائِجِ بالكِتْمانِ فإنَّ كُلَّ ذِي نِعْمَةٍ مَحْسُودٌ
_____________________
Ibën Kethiri , Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
Allahu i Lartësuar thotë në Kuran:
قَالَ يَا بُنَيَّ لَا تَقْصُصْ رُؤْيَاكَ عَلَىٰ إِخْوَتِكَ فَيَكِيدُوا لَكَ كَيْدًا
“Ai (Jakubi) tha: “O biri im, mos ua trego ëndrrën vëllezërve të tu, se ata të thurin ndonjë kurth kundër teje...” Jusuf, 5
"Nga ky ajet mësohet se begatia duhet të fshihet në mënyrë që të vazhdojë të ekzistojë dhe të jetë e pranishme, ashtu siç është transmetuar në hadith: “Kërkoni ndihmë nga Allahu për kryerjen e nevojave duke i fshehur ato, sepse vërtet për çdo begati që i jepet dikujt, ka njerëz që kanë zili për të.” [2]
Muhamed Abdur-Rauf el-Menauij, Allahu e mëshiroftë, në shpjegimin e këtij hadithi ka thënë:
“Ky hadith do të thotë: fshihni begatitë nga njerëzit dhe kërkoni ndihmë nga Allahu që t’i realizoni ato. Pastaj ai (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) e tregoi arsyen e fshehjes së begative duke thënë “...sepse për çdo begati që e posedon dikush, ka njerëz që kanë zili për të.” Që do të thotë: nëse ju ua shfaqni nevojat tuaja njerëzve, ata do t’ua kenë zilinë juve dhe kështu do të dalin kundër synimeve tuaja.” [3]
Po ashtu el-Menauij ka thënë:
Fjala “Kërkoni ndihmë nga Allahu për përmbushjen e nevojave...” do të thotë: duke kërkuar ndihmë që të arrini atë që është e dobishme dhe të largoheni nga ajo që ju dëmton.
Fjala “...sepse vërtet për çdo begati që i jepet dikujt, njerëzit kanë zili për të.” Do të thotë: Fshehja e begatisë nga ziliqari është mëshirë për të dhe mëshirë për veten tënde.” [4]
.............
[1] Sahihul-Xhami, nr. 943, es-Silsiletu es-Sahihah, nr. 1453
[2] Tefsir Ibën Kethir, 4/318
[3] Fejdul-Kadiir, 1/493
[4] Fejdul-Kadiir, 1/491
Përktheu: Jeton Shasivari