Autor: Shejkh Muhamed Bazmul
Shkëputur nga shpjegimi i librit “Me’arixhul-Kabul”
Këtu ka vetëm një çështje për të cilën po ju tërheq vëmendjen, e cila është fjala e tij - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – te ky:
لمْ يعملوا عملا خيرا قط
“…nuk kanë punuar asnjë vepër të mirë!”
Në dukje, ky hadith sikur të lë të kuptosh se ata njerëz u shpërblyen me Xhenet dhe se Allahu ndërmjetësoi për ta dhe i nxori nga Zjarri i Xhehenemit, ndërkohë që ata nuk kishin bërë asnjë vepër të mirë. Pra, shtylla e veprës tek Imani nuk ekziston!
Për këtë ne themi: Jo, nuk është ashtu! Ata njerëz, Allahu i gjykoi me Zjarr dhe me Dëshirën e Tij i dënoi me Zjarr, pastaj fundi i tyre ishte në Xhenet. Kurse fjala e tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –: “…nuk kanë bërë asnjë vepër të mirë!” – nuk tregon që u vërtetua Imani i tyre apo që u vërtetua merita e tyre për të hyrë në Xhenet pa egzistuar vepra në Imanin e tyre. Sepse domethënia e fjalës së tij: “…nuk kanë punuar asnjë vepër të mirë!” – është se ata nuk kanë punuar asnjë vepër tamam, të plotë, ashtu siç kërkohet në Sheriat!
Me këtë shpjegim e ka komentuar hadithin Ibën Khuzejmeh në librin e tij “Kitaab et-Teuhid”. Për këtë, ai u argumentua me hadithin e atij burrit që kishte vrarë 99 veta. Pastaj i plotësoi 100 veta kur vrau edhe atë personin që bënte shumë ibadet por që ishte xhahil. Pas kësaj, ai shkoi takoi një dijetar. Dijetari i tha atij: “E kush ta ka ndaluar ty pendimin?! Ama ti ndodhesh në një vend të keq prandaj dil nga ky vend dhe shko në filan vend sepse atje do të gjesh njerëz të mirë. Shko atje dhe bashkohu me ta që të adhurosh Allahun!” Ai doli nga ai vend dhe gjatë rrugës vdiq. Atëherë, u kundërshtuan Melaiket e Mëshirës me Melaiket e Dënimit.
Melaiket e Dënimit thanë: “Këtë po e marrim ne po e fusim në Xhehenem sepse ai nuk ka punuar asnjë vepër të mirë!”
Melaiket e Mëshirës thanë: “Por ai u nis për të shkuar te fshati ku ishin njerëzit e mirë!”
Pika e diskutimit këtu është se Melaiket e Dënimit e përshkruan atë si njeri që nuk ka punuar asnjë vepër të mirë, ndonëse ai u nis, doli nga vendi ku ishte dhe ndoqi rrugën për të shkuar te vendi i njerëzve të mirë. Pra, qëllimi i tyre me fjalën “nuk ka punuar asnjë vepër të mirë” është se ai nuk punoi asnjë vepër tamam, të plotë. Kjo ishte për qëllim.
Kështu që, ky hadith nuk pohon që ka Iman pa vepër. Kishte vepër por ajo nuk ishte e plotë. Rrjedhimisht, ata e merituan vet dënimin, që Allahu t’i fusë në Zjarr me Dëshirën e Tij!
إنَّ اللهَ لا يغْفِرُأنْ يُشْرَكَ بِهِ وَيَغْفِرُ مَا دُونَ ذلِكَ لِمَنْ يشاءُ
“Me të vërtetë që Allahu nuk fal që t’i bëhet shirk Atij, por fal ato që janë më pak se shirku, kujt të dojë Ai!” [en-Nisaa`, 48]
Ky është kuptimi i fjalës “nuk kanë punuar asnjë vepër të mirë!” Domethënë ata nuk kanë punuar asnjë vepër të plotë, ashtu siç duhet. Ata nuk e plotësuan veprën prandaj e merituan dënimin. Njësoj si hadithi:
ارْجِعْ فَصَلِّ فَإنَّكَ لَمْ تُصَلِّ
“Ik kthehu e falu sepse ti nuk u fale!”
[E ka transmetuar Bukhari (757) dhe Muslimi (397).]
Edhe pse ai bëri ruku, bëri sexhde, u çua, qëndroi në këmbë dhe u ul! Saktë apo jo? Ai bëri një vepër por ama nuk e bëri veprën ashtu siç duhet, vepër të plotë! Prandaj i tha i Dërguari – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –:
ارْجِعْ فَصَلِّ فَإنَّكَ لَمْ تُصَلِّ
“Ik kthehu e falu sepse ti nuk u fale!”
Kështu janë edhe ata (që përmenden në hadithin e Ndërmjetësimit), bëjnë vepra të mira por nuk i bëjnë ashtu siç duhet, të plota. E nëse do Allahu që t’i dënojë ata në Zjarr, i dënon dhe pastaj i nxjerr nga Zjarri, ngaqë përfundimi i çdokujt që thotë me sinqeritet “La ilahe il-lAllah, Muhamedun RasulUllah”, ka për të qenë në Xhenet, ka për të dalë nga Zjarri me Ndërmjetësimin e Allahut të Patëmeta e të Lartësuar, ka për të dalë ngaqë do ta çlirojë Allahu nga Zjarri. Për këtë arsye, ata janë përshkruar se nuk kanë bërë asnjë vepër të mirë, sipas këtij kuptimi.
Kështu që, te hadithi i Ndërmjetësimit nuk përmban argument që Imani mund të jetë pa vepër. Nuk ka Iman pa vepër!
Përktheu: Alban Malaj