Shejkh Albani:
قُلْ هَـٰذِهِ سَبِيلِي أَدْعُو إِلَى اللَّـهِ عَلَىٰ بَصِيرَةٍ أَنَا وَمَنِ اتَّبَعَنِي وَسُبْحَانَ اللَّـهِ وَمَا أَنَا مِنَ الْمُشْرِكِينَ
“Thuaj: ‘Kjo është rruga ime: të thërras për tek Allahu me dituri të plotë, unë dhe çdokush që më pason mua. I Pastër është Allahu nga çdo mangësi; unë nuk jam prej idhujtarëve!” Jusuf, 108
Ne duam prej të gjitha xhemateve islame që të pajtohen me ne, në disa gjëra:
E para: Në aspektin e kuptimit dhe të dijes, se menhexhi në të cilin thërrasim ne është menhexhi i vërtetë.
Së dyti: Të bëhen bashkë me ne aq sa munden në çdo gjë që është vërtetuar në Kuran dhe Sunnet dhe mos të thonë siç tha ai muftiu injorant: “Për këtë çështje ka dy mendime. Ai që e pason verbërisht një dijetar, e takon Allahun duke qenë i larë.” Kjo është ajo që kisha për të thënë si përgjigje për atë që erdhi në atë pyetje.
(Shejkh Albani i thotë Shejkh Rabijs): Urdhëro! Urdhëro!
Shejkh Rabij:
Me emrin e Allahut. Paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin për të Dërguarin e Allahut.
Në lidhje me pasimin e verbër të Selefijve ndaj shujukhëve të tyre, kjo është një gjë për të cilën besoj se është, siç tha Shejkhu (Albani): shpifje e trilluar. Nëse njëri nga ne apo dikush që është më i vogël se ne, i jep përparësi mendimit të filan Shejkhut, apo i jep përparësi fjalës së Shejkh Albanit përpara mendimeve të Imamëve dhe mendimeve të Sahabëve, nëse vjen mendimi i Shejkh Albanit, e pranojnë atë me krahë të hapur, ndërsa kur vjen mendimi i Sahabëve, thonë: “Ata janë njerëz, edhe ne jemi njerëz.” Kjo, pasha Allahun, është një shpifje e madhe. I Pastër nga çdo mangësi je Ti, kjo është shpifje e madhe!
Unë e kam njohur Shejkh Albanin që kur isha student në vitin e parë në Universitetin Islamik (të Medines). Kur unë dhe shokët e mi diskutonim për ndonjë çështje me të (Shejkh Albanin), ndërkohë ne ishim nxënësit e tij, ne debatonim me Shejkh Albanin për atë çështje. Kështu, e mbyllnim debatin duke e pasuar atë nëse na bindte me argumente “Ka thënë Allahu dhe ka thënë i Dërguari i Allahut”, ose e mbyllnim debatin duke patur mendime të ndryshme dhe nuk e merrnim mendimin e tij. Madje, ka gjëra me të cilat nuk pajtohem me të edhe sot e kësaj dite.
Unë i lexoj librat e Shejkh Albanit ashtu siç i lexojnë të tjerët; marr prej tyre atë që mendoj unë se është hak dhe refuzoj ato gjëra që unë mendoj se nuk janë hak. Unë sillem dhe e trajtoj atë si një prej dijetarëve. Ne e respektojmë atë, sepse ai është profesor dhe një njeri që i ka shërbyer Sunnetit me një shërbim të pashembullt. Pa dyshim se këtë që e them tani, nuk po ia them vetëm tani në fytyrë, por e them edhe kur ai nuk është i pranishëm në mesin tonë.
Po ashtu, Ibën Tejmijeh për ne është më i madh se Shejkh el-Albani. Nëse shohim se Ibën Tejmijeh thotë: “Ka thënë Allahu, ka thënë i Dërguari i Allahut.” Ne themi: fjalën e Allahut dhe fjalën e të Dërguarit të Allahut e mbajmë mbi kokat tona. Por nëse fjala e tij e kundërshton fjalën e Allahut dhe fjalën e të Dërguarit të Allahut, bie ndesh me një hadith apo ajet, i themi: Esselamu alejkum (d.m.th. nuk e marrim). Nuk e duam këtë mendim sepse e kundërshton fjalën e Allahut.
Ky është menhexhi i Selefijve, marrin nga Shejkh Albani, nga Ibën Tejmijeh, nga Ibën ‘Abdul-Uehhabi, nga Shafiju, nga Ahmedi, nga çdo imam tjetër: “Ka thënë Allahu, ka thënë i Dërguari i Allahut.” Nëse Selefijt shohin mendimin e ndonjë imami, kushdo qoftë ai, dhe ai mendim bie ndesh me fjalën e Allahut apo fjalën e të Dërguarit të Allahut, atëherë ata i japin përparësi fjalës së Allahut. Ky është menhexhi i Kuranit dhe menhexhi i Sunnetit, menhexhi i Selefëve të Devotshëm, menhexhi i Imamëve të udhëzimit të cilët u pasuan, e që është: t’i jepet përparësi fjalës së Allahut dhe fjalës së të Dërguarit të Allahut përpara fjalëve të njerëzve dhe t’i jepet përparësi udhëzimit të Allahut dhe udhëzimit të të Dërguarit të Tij përpara udhëzimit të të gjithë njerëzve.
Kjo është pikënisja jonë ku ne bazohemi. Ne shohim se dy nxënësit e Ebu Hanfies (Ebu Jusufi dhe Muhamedi), e kanë kundërshtuar Ebu Hanifen në një të tretën e medh’hebit të tij apo dy të tretat e medh’hebit të tij, jo me qëllimin për të pasuar epshet e tyre e as për ta poshtëruar imamin e tyre, porse e kanë bërë për ta pasuar hakun.
Po ashtu, shohim se Shaf’iu, nxënësi i ... Ne shpresojmë që këto gjëra të mos i thotë Muslimani i cili e ka frikë Allahun dhe beson se Allahu ka për ta marrë në llogari për atë që thotë.
Ne i këshillojmë vëllezërit tanë që ta ndjekin këtë menhexh, sepse është rruga drejt lumturisë në dunja dhe ahiret. Kjo është rruga e ngadhënjimit dhe fuqisë së Muslimanëve. Nëse ata nuk e ndjekin këtë rrugë, atëherë nuk kanë për të shtuar gjë tjetër vetëm se poshtërim dhe nënçmim, sepse Allahu i Madhëruar dhe i Lartësuar thotë:
فَإِن تَنَازَعْتُمْ فِي شَىْءٍ فَرُدُّوهُ إِلَى اللَّهِ وَالرَّسُولِ
“E nëse ju nuk pajtoheni për ndonjë çështje, atëherë kthejeni atë çështje tek Allahu dhe tek i Dërguari i Tij.” en-Nisa, 59
Dhe thotë:
وَلاَ تَنَازَعُواْ فَتَفْشَلُواْ
“Mos e kundërshtoni njëri-tjetrin, e kështu të humbisni dhe të dështoni.” el-Enfal, 46
Ne po e shohim këtë dështim të plotë në jetën e Muslimanëve ku ata janë bërë njerëzit më të nënçmuar të cilëve u mungon fuqia dhe janë bërë pre në duart e armiqve të Islamit, e gjithë kjo si pasojë e largimit të tyre nga menhexhi i Allahut, të Madhëruar e të Lartësuar.
Ne bëjmë përpjekje për lumturinë e Muslimanëve në dynja dhe ahiret, ngulim këmbë dhe i durojmë të gjitha mundimet për të qenë të dobishëm për Muslimanët dhe për atë që i bën ata të lumtur. Kurse ata që nuk pajtohen me ne, le të thonë ç’të duan nëse nuk janë të kënaqur me këtë menhexh.
E lusim Allahun e Madhëruar e të Lartësuar, që t’i bashkojë zemrat e Muslimanëve në hak dhe të vazhdojnë të kapen për Litarit të Tij, ashtu siç ka urdhëruar Allahu i Madhëruar e i Lartësuar. Ues-selamu alejkum.
Përktheu: Jeton Shasivari