Bismilah...

Autor: Shejkh Rabij ibën Hadi el-Medkhalij

Burimi: Shpjegim i kapitullit të Imanit në Sahihun e Bukhariut, kaseta 3, min. 07:06

I këshilloj të rinjtë që të kenë vëllazëri në mes tyre. Të mos bëjnë dallim në mes Sauditit, Jemenasit, Pakistanezit, Sindit, Amerikanit, të gjithë janë vëllezër për hir të Allahut. Të gjithë ata i lidh lidhja e Islamit dhe lidhja e këtij menhexhi. I këshilloj ata që merren me edukim dhe mësim: t’i edukojnë nxënësit e tyre në këtë menhexh, të kenë dashuri për çdo selefij në Lindje dhe Perëndim. Të mos ketë fanatizëm për shejkhun e tij, kurrësesi! Nuk lejohet fanatizmi ndaj një grupi apo personaliteti përveç personalitetit të Muhamedit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – dhe as ndaj një grupi përveç shokëve të Muhamedit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.

I Dërguari kishte fanatizëm për personalitetin e tij sepse haku ishte me të nga do që të ishte. Kihet fanatizëm për Sahabët sepse ata kapeshin pas hakut ngado që ishte haku. Kurse të tjerët, siç janë Tabi’inët e deri në kohën tonë, mos u bëj fanatik pas ndonjë personi as pas ndonjë grupi vetëm se për hir të hakut. Nëse shkon pas hakut, do ta gjesh atë tek Ehli Sunneti, nëse ata bashkohen dhe largohen nga epshet.

Andaj, i këshilloj të rinjtë që të kenë vëllazëri në mes veti, s’ka dallim në mes atyre që janë nga Rijadi, Medineja, Karaki, Delhi, Amerika, të jenë vëllezër për hir të Allahut – të Madhëruar e të Lartësuar.

Ata i lidh lidhja e Islamit të vërtetë dhe i këshilloj edukatorët që dalin në krye për t’i edukuar të rinjtë selefij kudo qofshin ata, t’i edukojnë të rinjtë e tyre me këtë frymë të mirë që është larg fanatizmit dhe grupimit. UAllahi (fjalë e paqartë) përveç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë pos Tij, në Medine nuk gjen studentë të filanit apo studentë të filanit, të gjithë janë një gjë e vetme. Në Mekke po ashtu, në Veri (të Arabisë Saudite si: Xhezani, sh.p.) po ashtu nuk e gjen këtë fanatizëm, porse kjo dukuri mbetet e pranishme në Rijad dhe ndoshta gjendet edhe në vendet tjera.

Kjo dukuri duhet zhdukur. Selefijtë – qofshin dijetarë apo nxënësa dije – të gjithë janë vëllezër si një trup i vetëm, nëse një gjymtyrë sëmuret, i gjithë trupi i përgjigjet me pagjumësi dhe temperaturë. Kjo është ajo që e do Allahu për neve.

Nëse shejkhu yt gabon dhe e kritikon një shejkh tjetër, dhe haku është me këtë shejkhun tjetër, atëherë ji me këtë tjetrin dhe këshilloje shejkhun tënd. Këshilloje atë! Mos u bëj fanatik. Nuk të lejohet që të kesh fanatizëm për të. Nëse ti je fanatik pas tij, Shejkhul-Islam ibën Tejmije i përngjason këto cilësi (fanatizmin) me Tatarët. Këto janë fanatizma të xhahilijetit.

Islami dhe menhexhi selefij janë larg tij (fanatizmit) dhe ne në këtë edukojmë, dhe distancohemi tek Allahu nga edukimi i cili e kundërshton edukimin që Allahu është i Kënaqur me të për neve dhe e ka ligjësuar atë për neve. Nëse gabon Ibën Bazi, Ibën Tejmije dhe e kritikon atë ndonjë me hak, atëherë mos u zemëro. Ai e ka kritikuar me dije dhe argumente për hir të Fytyrës së Allahut – të Plotfuqishmit dhe të Lavdëruarit. Mos thuaj: “UAllahi, ky flet për Ibën Bazin dhe për Ibën Tejmijen.”

Nëse (refuzimi) është me hak, edukatë dhe respekt, sepse synimi (i refuzimit) është lidhja e njerëzve me menhexhin e Allahut dhe nuk i lidhim ata me gabimet e njerëzve kushdo qoftë ai. Edhe në qoftë se gabon një Sahabij, nuk e pranojmë gabimin e tij, nuk e pranojmë gabimin e tij. Njëri nga Sahabët gaboi në çështjen e tejemmum-it dhe mendonte se nëse njeriu është i papastër (xhunub), nuk i lejohet atij që të falet me tejemmum aspak derisa të lahet. Selefët thanë: “Jo!” Siç ishin Sahabët, Tabi’inët, e morën mendimin Ammarit dhe e lan mendimin e Umerit dhe Ibën Mes’udit. Si dhe shumë çështje të tjera si kjo (çështje ixhtihadi) që kanë ndodhur tek Sahabët, Tabi’inët dhe imamët.

Shafiu e refuzoi shejkhun e tij Malikun, megjithëkëtë askush nuk e respektonte Malikun ashtu siç e respektonte Shafiu, dhe thoshte: “Nëse përmenden dijetarët, Maliku është ylli me shkëlqim të fortë.” Megjithatë, ai e kritikonte atë. Po ashtu, edhe Lejthi e kritikonte dhe i shkruante (Malikut), kurse ai e donte dhe e lavdëronte atë – Allahu ju bekoftë.

Kështu ata shkëmbenin këshilla me njëri-tjetrin dhe për këtë nuk hidhëroheshin pasuesit, përveç se pasuesit e Malikut, të cilët kishin fanatizëm. Ata u bënë fanatikë kundër Shafiut dhe vazhduan me këtë fanatizëm të papërmbajtur deri në ditët tona, gjë që është shumë për të ardhur keq. Kur filloi kjo gjë, u përhap fryma e fanatizmit.

Darakutnij dhe të tjerët e kritikonin Bukhariun, uAllahi, askush nuk kishte fanatizëm për Bukhariun, ndërsa ai ishte Emirul-Muminin (prijësi i besimtarëve) në Hadith. Përse?! Sepse Ehlul-Hadithi ishin të pasionuar pas menhexhit të të Dërguarit dhe menhexhin e Selefu-Salih. Ebu Hatim dhe Ebu Zur’ah e kritikuan Bukhariun përafërsisht për 700 transmetues që gjenden në librin e tij “et-Tarikh”, megjithëkëtë, nuk gjen dikë që të jetë fanatik pas Ebu Hatimit dhe as pas Ebu Zur’as. E kështu me radhë.

Nëse vëllai jot të kritikon me hak, përpara kësaj këshillohet (fjalë të paqarta) nëse e pranon, mirë, e nëse nuk pranon, thuaj atij: “Më justifiko”. Dhe thuaj: “Do t’u sqaroj njerëzve se ti ke qenë gabim”. Ai sqaron me edukatë dhe respekt për vëllain e tij – Allahu ju bekoftë –, kjo s’ka gjë të keqe, kjo është luftë kundër fanatizmit injorant – Allahu ju bekoftë.

Këto forma dhe këto epshe që ekzistojnë – Allahu ju bekoftë – nuk i kemi njohur. I kemi njohur tani pas përhapjes së grupeve hizbije kurthngritëse ndaj këtij vendi, u përhap kjo frymë. Edhe tek disa selefijin e gjen këtë. Andaj, ne themi: Kjo (kritika, refuzimi) ndaj tyre është nga aspekti i vëllazërisë, nga aspekti i këshillës dhe se ata janë të rinj dhe nuk e kanë mbërritur historinë e Ehli Sunnetit dhe Xhematit as edhe në këtë kohë – Allahu ju bekoftë.

Ju e kuptuat se si Albani, Ibën Bazi dhe Ibën Uthejmini shkëmbenin dashuri dhe vëllazëri, ndihmë dhe këshillë të ndërsjellë në të njëjtën kohë. Albani e kritikoi Ibën Bazin në mënyrë shumë të hidhur rreth çështjes së vendosjes së duarve në gjoks (pas ngritjes nga rukuja) dhe e quajti bidat vendosjen e duarve në gjoks pas ngritjes nga rukuja, e quajti bidat. Ibën Bazi nuk u zemërua, ata vazhduan me ixhtihadin e tyre, por ai nuk e luftoi Albanin dhe nuk u zemërua me të, e lavdëronte atë, e nderonte, i shkruante letra, e donte, e ndihmonte, e mbronte atë. Po kështu vepronte edhe Albani, edhe Ibën Uthejmini – Allahu ju bekoftë. Ata janë shëmbëlltyra më e afërt për ne, kurse Selefët ishin akoma në gjendje më të mirë: ata kapeshin edhe pas gjërave më të vogla nga ato që i keni ndjerë në këto kohët e fundit.

Po e them këtë dhe po e përsëris: Lëreni fanatizmin e marrosur. Unë di se një person në shtetet e Gjirit – nuk dua ta përmend shtetin me emër – nëse nxënësit e tij udhëtojnë për te dijetarët e këtij vendi (Arabisë Saudite), ai zemërohet dhe thotë: “Si më braktisni mua e shkoni!? A dyshoni tek unë!? Ju jeni kështu e ashtu!”

O mendjelehtë! Një person i vetëm nga imamët e hadithit kishte njëmijë apo dymijë shujukhë (mësues). Me sa mbaj mend Ibën Hibbani kishte dymijë shujukhë që nga lindja e Azisë e deri në perëndim të saj. Kështu që, numri i shumtë i shujukhëve është shenjë se i përkushtohet vetëm Allahut dhe se kërkon hakun. Dhe shujukhët e tij (Ibën Hibbanit) asnjëri nga ata nuk largohej nga tjetri, madje e furnizonte atë (studentin) që të mbërrijë e të udhëtojë deri tek vëllai tjetër i tij. Kurse ky (personi nga njëri prej shteteve të Gjirit) thoshte: “Mos shko tek dijetarët (e tjerë në Saudi) sepse ti dyshon tek unë!”

Ky është fanatizëm i marrosur dhe injorancë (xhahilijeh) e tërbuar. Është detyrë që ky fanatizëm të luftohet vazhdimisht dhe është detyrë që të rrëzohen njerëzit e fanatizmit nëse refuzojnë t’i kthehen rrugës së qartë – Allahu ju bekoftë.

Ju porosis që të keni vëllazëri për hir të Allahut – të Madhëruar e të Lartësuar – dhe ta doni njëri-tjetrin për hir të Tij, të bashkëpunoni me njëri-tjetrin në punë të mira dhe në devotshmëri dhe t’i asgjësoni këto dukuri të fëlliqura të cilat janë futur tinëzisht tek radhët e Ehli Sunnetit dhe i kanë përçarë ata përmes tij (fanatizmit) – Allahu ju bekoftë.

Ata (Ehli Sunneti) i luftojnë këto dukuri dhe Ehli Sunneti janë në shënjestër nga çdo fraksion i devijuar dhe nga të gjitha grupet e liga në mënyrë që t’i përçajnë ata (Ehli Sunnetin). Sepse ata (grupet e devijuara) kanë parë se nuk i sqarojnë gabimet dhe nuk paralajmërojnë kundër tyre vetëm se Ehli Sunneti; i gjetën ata në një menhexh të vetëm në Lindje dhe Perëndim, andaj nxituan që t’i copëtojnë, t’i përçajnë e t’i ndajnë saqë e gjen këtë dukuri edhe te Arabët dhe të huajt për shkak të sulmeve, kurtheve, komploteve dhe grackave të armiqve të këtij menhexhi.

Andaj, hapni sytë, merrni mësim nga ajo që ndodhi, zgjohuni dhe kthehuni rrugës së drejtë. Edukoni vetet tuaja, nëse bëheni nga njerëzit e dijes, edukoni të rinjtë me këtë frymë; frymën e dashurisë, vëllazërisë ndaj Muslimanëve të mëhershëm, bashkëkohorëve dhe atyre që do vijnë më vonë.

رَبَّنَا اغْفِرْ لَنَا وَلِإِخْوَانِنَا الَّذِينَ سَبَقُونَا بِالْإِيمَانِ وَلَا تَجْعَلْ فِي قُلُوبِنَا غِلّاً لِّلَّذِينَ آمَنُوا رَبَّنَا إِنَّكَ رَؤُوفٌ رَّحِيمٌ

“Zoti ynë, na fal ne dhe vëllezërit tanë që na kanë paraprirë në iman (fe) dhe mos lë në zemrat tonë urrejtje për ata që besuan. Zoti ynë, Ti je Mëshirues i Madh.” El-Hashr, 10

Tani, selefijt e urrejnë njëri-tjetrin për shkak të veprave të kujt? Për shkak të veprave të armiqve të këtij menhexhi. Disa mendje të dobëta ndikohen nga këto kurthe dhe u nënshtrohen atyre dhe si rrjedhojë kanë pasoja nga këto kurthe, dhe kështu i sheh këto gjurmë tek ata.

Andaj, e ka për detyrë që të zgjohet ai që ka rënë në diçka si kjo - Allahu ju bekoftë – dhe të pendohet te Allahu dhe të kthehemi që të gjithë në rrugën e drejtë dhe të ecim drejt një udhe të vetme duke ngritur një menhexh të vetëm, një flamur të vetëm për hir të Fjalës së Allahut – të Madhëruar dhe të Lartësuar.

E lus Allahun që të na jap sukses neve dhe juve në atë që e do Ai dhe kënaqet.

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

Përktheu: Jeton Shasivari

17 Maj 2015