Autor: Shejkh Muhamed Nasirud-Din el-Albani (rahimehullah)
Burimi: Shkëputur nga revista ‘el-Esale’, çështja n. 18.
Pyetje: A ka ndonjë ndryshim midis (1) debateve që ndodhin brenda Ehli-Sunetit dhe (2) deklaratave të një personi nga Ehli-Suneti kundër një bidatçiu? Dhe kush janë ato?
Përgjigje: Nuk ka dyshim se ka ndryshime midis të dyjave dhe ndonjëherë ato nuk janë të shumta. Fusha e dallimit midis debateve dhe grindjeve që ndodhin mes vetë rradhëve të Ehli-Sunetit dhe atyre që ndodhin ndërmjet Ehli-Sunetit nga njëra anë dhe bidatçijve nga ana tjetër është e qartë dhe e dallueshme. Kjo për shkak të obligimit që është në rastin kur ndodhin debate dhe refuzime ndërmjet vetë Ehli-Sunetit, dhe kjo duhet të jetë nga aspektet që përmban thënia e Allahut:
وَالْعَصْرِ (١)إِنَّ الإنْسَانَ لَفِي خُسْرٍ (٢)إِلا الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ وَتَوَاصَوْا بِالْحَقِّ وَتَوَاصَوْا بِالصَّبْرِ (٣)
“Betohem në kohën. Vërtet njerëzimi është në një humbje të sigurtë, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, si dhe këshillojnë njëri-tjetrin për të vërtetën dhe këshillojnë njëri-tjetrin për durim.” [el-‘Asr, 1-3]
Pra, çdo debat apo grindje që ndodh mes Ehli-Sunetit duhet të bazohet te pjesa e ajetit:
وَتَوَاصَوْا بِالْحَقِّ وَتَوَاصَوْا بِالصَّبْرِ (٣)
“...dhe këshillojnë njëri-tjetrin për të vërtetën dhe këshillojnë njëri-tjetrin për durim.” [el-‘Asr, 1-3]
Kështu duhet të jenë debatet që ndodhin ndërmjet Ehli-Sunetit nga njëra anë dhe ata që i kundërshtojnë në lidhje me Sunetin - të cilët janë bidatçijtë - që janë në anën tjetër. Megjithatë, edukata e të sjellurit mund të jetë e ndryshme midis debateve që ka Ehli-Suneti brenda rradhëve të tij dhe midis debateve që ka Ehli-Suneti me bidatçijtë. Kështu që, ajo që është detyrë në rastin kur ndodh një debat mes rradhëve të Ehli-Sunetit është që ata të kenë parasysh thënien e Allahut:
رُحَمَاءُ بَيْنَهُمْ
“Të mëshirshëm me njëri-tjetrin.” [el-Fet’h, 29]
Ndërsa kur ndodh një debat midis Ehli-Sunetit dhe njerëzve të bidatit, atëherë aty mund të ketë njëfarë ashpërsie dhe vrazhdësie në sjellje, e cila i shkon për shtat bidatit dhe i kundërvihet atij. Ky është një dallim midis debatit që ndodh mes rradhëve të Ehli-Sunetit nga një këndvështrim, dhe këndvështrimi tjetër është kur Ehli-Suneti debaton apo refuzon bidatçijtë.
Megjithatë, ne duhet të kemi parasysh diçka për të dyja palët, me të cilën ne nuk ngrejmë asnjë grup mbi një tjetër e as nuk kritikojmë një grup para një tjetri, dhe kjo për shkak se ne nuk e shkelim rregullin që gjendet në thënien e Allahut:
ادْعُ إِلَى سَبِيلِ رَبِّكَ بِالْحِكْمَةِ
“Thirr në Rrugën e Zotit tënd me urtësi.” [en-Nahl, 125]
Shumë herë kur një person i Sunetit refuzon një person tjetër të Sunetit, refuzimi nuk kërkon vetëm urtësi, por kërkon atë që është më e rëndësishme se urtësia, e cila është përmendur në thënien e Allahut:
وَلا يَجْرِمَنَّكُمْ شَنَآنُ قَوْمٍ عَلَى أَلا تَعْدِلُوا اعْدِلُوا هُوَ أَقْرَبُ لِلتَّقْوَى
“Le të mos ju shtyjë urrejtja ndaj njerëzve që të bëheni të padrejtë. Bëhuni të drejtë, se kjo është më afër devotshmërisë.” [el-Ma’ide, 8]
Por, shumë herë shfaqen sjellje të pahijshme kur ata refuzojnë njëri-tjetrin. Dhe fatkeqësisht, kjo gjë është shfaqur kohët e fundit në një mënyrë që ne do të dëshironim të mos ndodhte brenda xhematit Sunij, të cilin ne e quajmë xhemati Selefij. Kjo ishte ajo që munda të thoja në përgjigje të kësaj pyetjeje.”
Përktheu Alban Malaj