Autor: Shejkh Ahmed bin Jahja en-Nexhmi (rahimehullah)
Burimi: el-Fetaua el-Xhelijje ‘anil-Menahixh ed-Da’uijeh (fq. 21-27)
[titulli është i përkthyesit]
Pyetje: Shejkh i nderuar! Shumë nga njerëzit nuk i verifikojnë dhe nuk i konfirmojnë çështjet e tebdijit (deklarimin e dikujt bidatçi) dhe tefsikut (deklarimin e dikujt si gjynahqar, të prishur) dhe i llogarisin njerëzit duke u bazuar në mendimet, hamendësimet e tyre. Për këtë arsye, mes Umetit të Islam ka përçarje, sikurse ka ndodhur gjatë këtyre kohëve. A ka ndonjë udhëzim të prerë lidhur me verifikimin e çështjeve të tebdijit, tefsikut dhe tekfirit? Dhe a duhet që personi të kthehet tek Dijetarët e këtij vendi për këto çështje? Allahu ju dhëntë sukses dhe ua shpërbleftë me të mira.
Përgjigje: Nuk ka dyshim se është obligim për personin që ai ta verifikojë dhe ta konfirmojë çështjen, sepse duhet patjetër që të kërkosh argument për një deklaratë të tillë, ose përndryshe ti do të merresh në pyetje përpara Allahut ‘Azze ue Xhel. Dhe kushdo që flet për njerëzit e ka detyrë që të thotë diçka për të cilën ai është i sigurtë, e nëse jo, atëherë ai do të flasë me hamendësime. Kurse personi që është i heshtur, atëherë për të thuhet se ai po rri i heshtur dhe ai nuk është këta dhe as me ata. Ehli-Suneti njihen dhe rruga e Selefëve njihet nëpërmjet ndjekjes së rrugës së tyre me këtë menhexh, duke i dashur njerëzit (e këtij menhexhi) dhe duke u bashkuar me ta nën flamurin e tyre.
Ka edhe njerëz që ndoshta janë mashtruar nga disa persona që janë nga njerëzit e bidatit, të cilët në pamje të jashtme shfaqin mirësi. Sidoqoftë, pas kësaj mirësie fshihet një çështje të cilën shumë prej njerëzve nuk e njohin. Kështu që, për sa i përket këtij personi, deklaratat e atyre që e njohin atë merren, nëse ata janë të besueshëm. Dhe kur erdhën prijësat e fiseve tek Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), ai u dha atyre njëqind deve, ose pesëdhjetë deve ose dele. Një burrë erdhi dhe i tha: “Vërtet, me këtë ndarje nuk kërkohet Fytyra e Allahut.” Kështu, Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) tha: “I mjeri ti! Unë jam besuar nga Ai që është mbi qiej, kurse ti nuk po më besoke mua?” Që do të thotë: Allahu më ka besuar mua për njerëzit e tokës, prandaj Ai më dërgoi tek ata. Pra, ai më bëri të Dërguar për ta kurse ti megjithatë nuk më besoke mua për diçka nga gjërat e pavlera të kësaj dynjaje? Një prej Sahabëve u çua dhe tha: “Më lër t’ia heq kokën këtij munafiku.” Kurse Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) u përgjigj: ““Vërtet, nga shpina e këtij personi do të dalin disa njerëz para të cilëve ju do ta nënçmoni namazin tuaj në krahasim me namazin e tyre dhe agjërimin tuaj në krahasim me agjërimin e tyre. ata do të dalin nga Feja ashtu si shtiza që del tejpërtej presë së saj.” [1]
Dhe ai tha kur ishte duke i përshkruajtur ata: “Tuba (një pemë në Xhenet) është për këdo që i vret ata.” [2]
Dhe ai tha kur ishte duke i përshkruajtur ata: “Vërtet, ata janë qentë e Zjarrit.” [3] Por pavarsisht kësaj, ai tha: “...ju do ta nënçmoni namazin tuaj para në krahasim me namazin e tyre.” Dhe në të vërtetë, ata që shkonin në kampin e Khauarixhëve i dëgjonin ata duke gumëzhirë sikur gumëzhimat e bletëve. Dhe nga namazi i tyre i shumtë, gjunjtë e tyre ishin bërë me kallo dhe dukeshin sikur të ishin gjunjtë e deveve. Magjithatë, pavarsisht këtij fakti, Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) tha se ata ishin qentë e Zjarrit. Kush ishin ato mendime që i çuan ata në një gjendje të tillë:
1. Ata i deklarojnë Muslimanët qafira.
2. Ata e konsiderojnë të lejuar rebelimin kundër udhëheqësve.
3. Ata besojnë se gjynahqarët do të banojnë përjetësisht në Zjarr.
4. Ata e refuzojnë Sunetin.
Pra, këto katër mendime i bënë ata që ta meritonin një kërcënim të tillë. Kështu që, nuk lejohet që të mashtrohesh nga gjendja e jashtme e një personi. Nuk ka dyshim se ne themi që gjendja e jashtme e këtij personi është e mirë, për sa kohë që ne nuk jemi në dijeni për ndonjë të keqe tek ai. Dhe kur na thonë se ky person fsheh këtë e këtë, atëherë ne e kemi obligim që ta pranojmë këtë nga ai që po na e thotë, nëse ky person (që po na jep këtë lajm) është i besueshëm. Dhe kur njerëzit e dijes (d.m.th. Dijetarët) thonë për një person se ai është nga bidatçijtë, atëherë ata nuk e bëjnë këtë deklaratë kuturu. Ata e thonë këtë vetëm pasi që e kanë verifikuar dhe e kanë konfirmuar ata: qoftë nëpërmjet asaj që ka pohuar vetë personi, ose nëpërmjet fjalëve të atyre që janë shoqëruar me të dhe e kanë braktisur atë, e kështu me rradhë... Çështjet që kanë të bëjnë me ata janë të shumta dhe ata duhet të kenë forma të ndryshme të verifikimit dhe konfirmimit.
Megjithatë, problemi qëndron se Khauarixhët e kohëve tona pajtohen me Khauarixhët e hershëm në bërjen e tekfirit mbi njerëzit që kanë bërë gjynahe të mëdha dhe në rebelimin kundër udhëheqësve. Ata pajtohen me ta në këto pika në mënyrë të fshehta, por e mohojnë në pamje të jashtme, ndonëse ata përgatisin ç’të mundin për të bërë kryengritje kundër udhëheqësve sapo t’u jepet rasti.
Fundnota:
[1] Sahih: Transmetuar nga Nesaiu (n. 2578) dhe Ebu Davudi (n. 4768). Është saktësuar nga Shejkhul-Albani në Sahihul-Xhami (n. 2223).
[2] Sahih: Transmetuar nga Ibn Ebi ‘Asim në Kitabus-Sunneh (n. 906) dhe Ebu Davudi (n. 4765). Është saktësuar nga Shejkhul-Albani në Sahihul-Xhami (n. 3562).
[3] Sahih: Transmetuar nga Ahmedi në Musnedin e tij (n. 21282), Tirmidhiu (n. 2926) dhe Ibn Maxheh (n. 169). Është saktësuar nga Shejkhul-Albani në Sahihul-Xhami (n. 3347).
Përktheu Alban Malaj