Autor: esh-Shejkh Rabij’ bin Hadi el-Medkhalij hafidhahullah
Pyetje: Pjesa më e madhe e çoroditjes dhe mosmarrëveshjes që ka ndodhur mes të rinjve Selefijinë ka ardhur si rezultat i kundërshtarëve të Menhexhit të Selefëve të cilët tërhiqen apo pretendojnë se tërhiqen (nga devijimi i tyre) dhe kthehen në Menhexhin Selefij. Atëherë, çfarë këshille do t’u jepnit të rinjve, pasi disa prej tyre e pranojnë teuben ndërsa disa të tjerë nuk e pranojnë.
Përgjigje: “Sido që të jetë, kur personi bie në ndonjë gjynah apo bie në ndonjë dyshim apo bie në ndonjë bidat, ai pendohet dhe kthehet me pendim tek Allahu. Atëherë, askujt nuk i lejohet që t’ia mbyllë atij para syve derën e teubes, ngase dera e teubes është e hapur deri kur dielli të lindë nga Perëndimi. Dhe kur një person bën teube dhe tërhiqet, atëherë ne e kemi detyrë që ta lavdërojmë atë dhe t’i japim kurajo.
Megjithatë, ka të ngjarë që disa nga këta njerëz të jenë njohur për gënjeshtra dhe mashtrime, porse tani ai shfaq haptazi teube. Atëherë ne i themi atij: Inshaa’Allah, teubeja jote do të pranohet. Por gjithsesi, ne tregohemi të kujdesshëm me atë derisa ai ta bëjë të qartë teuben e tij.
Ebul-Hasen el-Esh’arij e deklaroi haptazi teuben e tij nga minberi. Më përpara ai ishte një Mu’tezil fanatik. Madje ai ishte një ndër udhëheqësit e Mu’tezilëve dhe ai vazhdoi me ngulm duke luftuar për dyzetë vjet për këtë medh’heb të poshtër. Pastaj ai u pendua haptazi dhe e deklaroi teuben e tij. Dhe prej argumenteve që vërtetojnë teuben e tij është se ai filloi të shkruante libra në refuzimin e Mu’tezilëve që ua mbyllte gojën atyre. Ai i refuzoi dyshimet e tyre.
Pra, ka shenja që tregojnë teuben e vërtetë. Veprat largojnë dyshimet. Domethënë, njeriu do ta bëjë të ditur dhe do ta shfaqë hapur atë që ka deklaruar haptazi para njerëzve, se ai ndjek të vërtetën. Ka shenja që tregojnë vërtetësinë e tij dhe poashtu mund të ketë rrethana që tregojnë se ai po gënjen. Dhe kur ka shenja që tregojnë vërtetësinë e tij, atëherë atij i duhet dhënë kurajo. Dhe kur ka rrethana që tregojnë se teubeja e tij është thjesht një pretendim, atëherë Selefitë duhet të ruhen nga ky person sepse ai është veç një mashtrues. Kjo për shkak se ne jetojmë sot në një kohë ku luhet politikë, ka hipokrizi dhe gënjeshtra për të mbrojtur vetveten. Grupacionet janë përhapur gjithandej dhe ata nuk janë të aftë t’i shkatërrojnë të rinjtë Selefijinë dhe t’i devijojnë nga Menhexhi Selefij përveç se duke pretenduar Selefizmin ose duke pretenduar se janë tërhequr nga gabimet që kundërshtojnë Menhexhin Selefij. Dhe kur i riu Selefij fillon t’u besojë atyre, ata janë të aftë që të tërheqin drejt menhexhit të prishur këdo që mundin. Kjo ka ndodhur.
Dhe sido që të jetë, ai që e shfaq hapur teuben e tij duhet t’i jepet kurajo, ndërsa kush duket sheshit që bën lojra, atëherë është obligim që të paralajmërohet kundër tij dhe që Selefitë të ruhen nga njerëz të tillë.”
Përktheu Alban Malaj