Bismilah...

Autor: Shejkh Muhamed Ibn Hadij el-Medkhalij
Burimi: http://www.sahab.net/forums/index.php?showtopic=135440

 

Ky pyetës thotë: Prej bazave të Ehli-Sunetit dhe Xhematit është bashkimi tek e vërteta dhe mos-përçarja, siç dihet mjaft mirë nga ju, po cilat janë sebepet për ta arritur këtë?

Përgjigje: Shkaqet e arritjes së bashkimit: është Suneti. Kurse shkaqet e mosmarrëveshjes dhe përçarjes: është bidati. Sepse me të vërtetë Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) i përmendi të dyja këto në fjalën e tij (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Vërtet, kush nga ju ka për të jetuar, do të shohë mosmarrëveshje të shumta, prandaj ju duhet të kapeni mbas Sunetit tim dhe Sunetit të Prijësave të Drejtë e të Udhëzuar (el-Khulefaa er-Rrashidiin uel-Mehdiijiin) që do të vijnë mbas meje; kapuni fort mbas tij (Sunetit) dhe shtrëngojeni me dhëmballë; dhe ruhuni nga gjërat e shpikura sepse çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është dalalet (humbje).” Dhe ka ardhur në hadithin e Ebij Hurejrës (radij-Allahu ‘anhu): “U ndanë Çifutët.. dhe u ndanë të Krishterët... dhe do të ndahet Umeti im në shtatëdhjetë e tre sekte; të gjitha ato janë në Zjarr, me përjashtim të njërit.” Ka shtuar ‘Amër Ibn ‘Uthman dhe Jahja në hadithin e tyre: I thanë: kush është i shpëtuari? Ai tha: “Xhemati.” E ka transmetuar Ebu Davudi në Sunenin e tij, Imam Ahmedi në Musnedin e tij, Ibn Ebij ‘Asim në es-Sunneh dhe të tjerë, Allahu i Lartësuar pastë mëshirë për ta.

Pra, Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) me fjalën e tij “Xhemati” e bëri bashkimin sebep të shpëtimit, dhe shpjegimi i këtij “Xhemat” është në fjalën e tij: “Janë ata që ecin në rrugën që jam unë sot dhe Shokët e mi.” E ka transmetuar Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh.

Thelbi i kësaj është se “Xhemati” janë ata të cilët bashkohen në rrugën që ka qenë i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem). Dhe ky është i gjithë kuptimi i fjalës së tij (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) në hadithin e Irbadit (radij-Allahu ‘anhu): “...prandaj ju duhet të kapeni mbas Sunetit tim dhe Sunetit të Prijësave të Drejtë e të Udhëzuar (el-Khulefaa er-Rrashidiin uel-Mehdiijiin) që do të vijnë mbas meje; kapuni fort mbas tij (Sunetit) dhe shtrëngojeni me dhëmballë; dhe ruhuni nga gjërat e shpikura...”

Kështu që, bashkimi ndodh veçse nëpërmjet kapjes mbas Sunetit të Pejgamberit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe rrugës që ndoqën Khalifët e Drejtë dhe Shokët e tij (radij-Allahu Te’ala ‘anhum), me të Cilët Allahu ishte i Kënaqur, dhe janë pikërisht ata për të cilët ‘Abdullah Ibn Mes’udi tha: “Kush kërkon që të pasojë dikë, le të pasojë ata që kanë vdekur; ata janë Shokët e Muhamedit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), të cilët ishin njerëzit me zemrat më të pastra, me kuptimin më të thellë në këtë Umet dhe që më së paku e kanë dashur këtë dynja...” - e gjer në fund të etherit (të Ibn Mes’udit), siç e dini.

Dhe përfundimi është: se kush është në rrugën e tyre, ai është i shpëtuar, dhe kush e kundërshton rrugën e tyre, ai është i shkatërruar. Pra, shkaku më i madh i bashkimit është Suneti dhe kapja për Sunet, kurse shkaku më i madh i përçarjes dhe mosmarrëveshjeve është bidati dhe pasimi i tij. Allahu na dhënë siguri e mirëqënie. Dhe rregulli i kësaj është: Kush kërkon që të pasojë dikë, le të pasojë ata që kanë vdekur, ngase me të vërtetë i gjalli nuk është i siguruar nga fitneja.

Lusim Allahun Xhel-le ue ‘Alaa që të na bëjë të palëkundur neve dhe juve të gjithëve në Hak. S’ka dyshim se Ai është Bujar dhe jep pa masë.

Allahu dhëntë lavdërime dhe bekime për robin dhe të Dërguarin e Tij, Pejgamberin tonë Muhamed, si dhe për Familjen dhe krejt Shokët e tij.

Video në AudioSelefi.org

 

Përktheu: Alban Malaj