Bismilah...

Shejkh Rabij' Ibn Hadij el-Medkhalij

Burimi: http://www.rabee.net

Pyetje: Nga ato çfarë janë përhapur kohët e fundit, a i mjafton një Selefiu vetëm të njohë të vërtetën nga e pavërteta apo gjithashtu ai e ka obligim që t’i refuzojë njerëzit e epsheve; dhe kështu, në këtë mënyrë ai e bën Dauen e tij të qartë dhe të dallueshme.

Përgjigje: Është detyrë për Selefiun që ta njohë të vërtetën, të thërrasë drejt saj dhe t’ua sqarojë atë njerëzve. Është detyrë për të që ta përmbushë këtë obligim. (Përmbushja e këtij obligimi) megjithatë kërkon patjetër dituri. Refuzimi i të pavërtetës (është natyra) e Daues. Kur'ani Fisnik sqaron të vërtetën dhe refuzon të pavërtetën në të njëjtën kohë, për këtë arsye ai është quajtur el-Methani. Kjo për shkak se ai përmend edhe të mirën edhe të keqen. Ai thërret drejt të mirës dhe paralajmëron kundër të keqes. Ai përmend Besimtarët dhe përmend gjithashtu Munafikët, Kufarët, Çifutët dhe Krishterët, si dhe të keqen në të cilën janë ata.

Kështu, Islami është ngritur mbi këto shtylla që i shpjeguam ne. Ai është i ngritur mbi përpjekje, mbi urdhërimin për të mirë dhe paralajmërimin kundër të keqes. Ai nuk mund të ngrihet vetëm se nëpërmjet këtyre mjeteve. Islami nuk ka për t’u ngritur kurrë ashtu siç duhet vetëm se me ngritjen lart dhe sqarimin e të vërtetës,

(duke i bashkangjitur) edhe refuzimin e të pavërtetës, refuzim i cili nxjerr në shesh ligësinë dhe poshtërsinë e saj ndërsa nga ana tjetër i paralajmëron njerëzit kundër saj. Çdo daue që nuk është e ngritur mbi këtë obligim është e pavlerë dhe e vdekur; madje vetë ajo mbart virusin e vdekjes. Daueti nuk ka për të qenë i gjallë derisa të ngrejë flamurin e të vërtetës ndërsa në të njëjtën kohë ta bëjë të pavlefshme të pavërtetën.

 

Ashtu sikurse thotë Allahu i Lartësuar:

كُنتُمْ خَيْرَ أُمَّةٍ أُخْرِجَتْ لِلنَّاسِ تَأْمُرُونَ بِالْمَعْرُوفِ وَتَنْهَوْنَ عَنِ الْمُنكَرِ وَتُؤْمِنُونَ بِاللَّـهِ

“Ju jeni njerëzit më të mirë të të gjitha kohëve të njerëzimit: Ju urdhëroni Ma’rufin (Teuhidin dhe çdo gjë të mirë që ka urdhëruar Islami) dhe ndaloni Munkerin (kufrin, shirkun dhe gjithëçka që ka ndaluar Islami).” Ali-Imran, 110

Si mundet dikush që nuk e refuzon të pavërtetën të thërrasë drejt asaj që është e mirë?! Si paralajmëron kundër të keqes ai? Apo në fakt ai është si puna e Xhematit Tablig që thonë: “Ne thërrasim drejt asaj që është e mirë”, ndërsa në të vërtetë ata nuk thërrasin drejt asaj që është e mirë. Teuhidi është më e mira e çdo të mire, por ata (Tabligët) nuk ua mësojnë Teuhidin njerëzve. Namazi (poashtu), ata nuk i mësojnë njerëzit që të falen ashtu siç falej Pejgamberi Muhamed (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem). Ata pretendojnë se thërrasin drejt të mirës, por ata nuk thërrasin për tek e mira dhe as nuk e ndalojnë të keqen! Dhe ne i lutemi Allahut që të na ruajë e të na mbrojë!

Kështu pra, ku qëndron ndryshimi midis teje dhe atyre nëse nuk lufton kundër bidatit, dalaletit (devijimit) dhe njerëzve të epsheve? Ku qëndron ndryshimi midis teje dhe atyre? (Ti në fakt) po ndihmon në shumëfishimin e njerëzve të dalaletit nëse i shikon ata dhe rri i heshtur para atyre. Ti je një përkrahës dhe reklamues i tyre nëse i shikon ata duke përhapur ligësi dhe shkatërrim në tokë dhe rri i heshtur. Nëse shikon se po vidhen shtëpitë e njerëzve, ma sha` Allah (ti çfarë do bësh), do heshtësh? A është kjo thirrje drejt të mirës dhe ndalim i të keqes?!

Daueti i njerëzve të bidatit është më i keq sesa hajdutët (hajnit) dhe banditët e rrugëve. Ibn Ebi Zejd dhe Ibn ‘Abdul-Berr kanë thënë:

“Vërtet, ata (njerëzit e bidatit) janë më të këqinj sesa kriminelët që të presin rrugën.” [1]

Kështu që, është detyrë që të pralajmërohet vazhdimisht kundër tyre, të nxirren në shesh dhe të poshtërohen, të zbulohen veçoritë e tyre të fshehta e të liga dhe t’ua bëjmë të ditur njerëzve në mënyrë që të ruhen prej tyre. Prandaj, ju i shihni librat e Selefëve që janë të mbushur plot me kritika mbi njerëzit e bidatit dhe paralajmërime kundër tyre. Ata paralajmëruan gjithashtu edhe kundër mexhliseve të tyre e kështu me rradhë.

Një numër i madh i Muslimanëve humbën vetëm atëherë kur ata e braktisën parimin e refuzimit të njerëzve të bidatit dhe paralajmërimin kundër tyre. E si rezultat, devijimi e ka mbërthyer Umetin e Muslimanëve dhe s’ka shpëtuar askush, me përjashtim të disa individëve të varfër që s’kanë as fuqi e as pushtet.

Gjithsesi, kur del ndonjë njeri i fuqishëm, (për shembull) Ibn Tejmije (do të shihni një situatë krejt ndryshe); devijimi e kishte mbërthyer Umetin Musliman dhe udhëheqësit e tyre; si udhëheqësit ashtu edhe njerëzit e thjeshtë ishin nën kontrollin e Sufistëve, pjesa më e madhe e të cilëve ishin Hululij (të cilët besojnë se Allahu është i shkrirë me krijesat e Tij) ose ishin prej atyre që besonin se Allahu është gjithandej. (Në këtë kohë kur) udhëheqësit dhe populli i thjeshtë ishin të nënshtruar nga ata (Sufistët), Ibn Tejmija erdhi dhe e ngriti lart flamurin e luftës, shpjegoi dhe sqaroi Fenë e Vërtetë të Allahut. Nëpërmjet tij Allahu shpëtoi një numër të madh njerëzish. Nga duart e tij (Ibn Tejmijes) dolën dijetarë të mëdhenj të cilët nuk mund të krahasoheshin përveç se me dijetarët e mëdhenj të brezave të mëparshëm, që nga koha e Sahabëve (radij-Allahu ‘anhum) dhe Tabi’inëve (rahimehullahu xhemi’an). Kështu, ata luftuan dhe u përpoqën (kundër të pavërtetës). E si do t’u kishte bërë dobi atyre Ibn Tejmija sikur ai rrinte i heshtur? Vetëm duke shkruajtur vepra dhe pa sqaruar (të vërtetën nga e pavërteta), duke mos urdhëruar të mirën dhe duke mos e ndalur të keqen, si do t’u kishte bërë dobi njerëzimit ai? (Vërtet, sikur të kishte qenë kështu), ai nuk do t’u kishte bërë dobi atyre, pikë!

Muhamed bin Abdul-Uehhabi e nxorri shpatën e tij nga milli, thirri, sqaroi dhe luftoi derisa Feja e Allahut ‘Azze ue Xhel-le u ngrit dhe imani u rikthye në Gadishullin (Arabik) ashtu sikurse gjarpri kthehet në folenë e tij. Pasha Allahun, thirrja e Muhamed bin Abdul-Uehhabit, thirrja e këtij burri (sa e begatshme që ishte ajo); (Zbatimi i vërtetë) i Islamit thuajse ishte harruar dhe ishte fshirë krejtësisht, përveç asaj çfarë dëshiroi Allahu. (Të gjitha këto) devijim, humbje, shirkijate dhe bidate (që ekzistonin në kohën e tij). Sikur ai të vetëm të ishte ulur në shtëpinë e tij ndërsa njerëzit të thitheshin nga (gjithë kjo e keqe) dhe ai të mos merrte vesh asgjë, të mos thoshte asgjë, të mos thërriste drejt të mirës dhe të mos ndalonte të keqen, atëherë me çfarë do t’u kishte bërë dobi atyre?

Kështu, ai që thotë: “Refuzimet, refuzimet” - këta njerëz kanë plasur, që do të thotë se e pavërteta e tyre është përhapur, e pavërteta e tyre është përhapur dhe ata duan që askush të mos i refuzojë, kjo është ajo çfarë kanë ndër mend ata, kuptojeni (këtë pikë)! Për këtë arsye, ata e kanë shtrembëruar dhe keqinterpretuar realitetin e refuzimeve. (Ata thonë): “Refuzimet i ngurtësojnë zemrat” e deri në fund (të fjalëve që thonë ata). Mos vallë duan të thonë se devijimi dhe bidatet i zbusin zemrat?!!!

Kurthi dhe plani i tyre është që të përhapin bidatin, devijimin dhe të sulmojnë njerëzit e Sunetit (Ehli-Suneti) nga mexhliset, konferencat, librat, takimet e tyre dhe nga çdo gjë (që do t’u jepet mundësia). Ata e sulmojnë Ehli-Sunetin dhe Menhexhin e Ehli-Sunetit (duke thënë): “Mos i refuzoni ata (njerëzit e bidatit), refuzimet i ngurtësojnë zemrat.”

Por të flasësh keq për të vërtetën dhe njerëzit e saj, ma sha` Allah, të luftosh kundër të vërtetës dhe njerëzve të saj, kjo çfarë, i zbutka zemrat?!!!

 

Fundnota:

[1] Duke folur për realitetin e rrezikut që kanosin njerëzit e bidatit, Shejkh Rabij' (Allahu e ruajt) tha gjatë një fjalimi të mbajtur rreth Istikames (të qënit i palëkundur në Fe) në Universitetin Islamik të Medines në fund të viteve ’90: “Ai që përhap bidatin është më i keq, më i rrezikshëm dhe më shkatërrimtar (për shoqërinë) se ai që shpërndan drogë.”

 

 

Përktheu: Alban Malaj