Bismilah...

Autor: Shejkh Muhamed Nasirud-Din el-Albani

Shkëputur nga audikaseta n.799 e serisë Silsiletul-Huda uen-Nur

“Unë mendoj se prej këshillës së plotë që duhet t’i jepet atij personi për të cilin më tregove, është se ai duhet të mësohet, apo më së paku ai duhet të përkujtohet – nëse ka mësuar më përpara – se përmirësimi sot nuk fillohet me revolucion dhe me kryengritje ndaj prijësit qafir, lëre më pastaj me kryengritje ndaj prijësit të prishur. Porse në të vërtetë përmirësimi fillon – sikurse ne e themi gjithmonë për dekada me rradhë: “et-Tesfijeh uet-Terbijeh” (Pastrim dhe Edukim). E nëse ai njeri është me ne tek ky menhexh, atëherë ai përkujtohet me këtë dhe mjafton. E nëse nuk është me ne, atëherë ai duhet të mësohet. Dhe ne duhet të kuptojmë nga ai se në çfarë mënyrë ai do që të bëjë kryengritje me xhematin dhe me cilin xhemat do që të bëjë kryengritje? Pjesa më e madhe e Muslimanëve janë xhahila!! Pjesa më e madhe atyre Muslimanëve që dinë disa dispozita Sheriatike i kundërshtojnë vetë ato dispozita. Gratë e tyre janë të veshura por të zhveshura. Transaksionet e tyre tregëtare bien ndesh me dispozitat e Sheriatit në shumë aspekte... e kështu me rradhë. Dhe ne të gjithë besojmë se Ndihma e Allahut për robërit e Tij besimtarë kushtëzohet me një fjalë të vetme:

إِنْ تَنْصُرُوا اللهَ يَنْصُرْكُمْ

“Nëse ju e ndihmoni Allahun, Ai ju ndihmon juve.”

Dhe në të vërtetë Ndihma e Allahut vjen së pari me dije dhe së dyti me punë. Dhe dija sot, siç e dini të gjithë, ka devijim shumë të madh nga dija që kanë patur Selefët e Mirë. Prandaj, në sajë të hadithit që ju e dini, fillimi i të cilit është:

إِذَا تَبَايَعْتُمْ بِالعِينَةِ، وَأَخَذْتُمْ أَذْنَابَ البَقَرِ...

“Nëse do të shisni me ‘ijneh (kamatë) dhe do të kapeni mbas bishtave të lopëve...”

e më tej vazhdon:

سَلَّطَ اللهُ عَلَيْكُمْ ذُلًّا لَا يَنْزِعُهُ عَنْكُم حَتَّى تَرْجِعُوا إِلَى دِينِكُمْ

“...Allahu do të lëshojë mbi ju poshtërim dhe nuk ka për t’ua hequr derisa të ktheheni në Fenë tuaj.”

Feja sot ka botëkuptime të shumta, shumë fare. Dhe këto botëkuptime nuk janë vetëm në degëzime porse – siç thonë – janë edhe në themele; nuk janë vetëm në dispozita porse janë edhe në Akijde. Dhe ju e dini se sot shumica e Muslimanëve ose janë Esh’ari ose janë Maturidi. A me të tillë njerëz do të triumfojë Islami?

Kështu që, duhet patjetër Pastrim dhe Edukim “et-Tesfijeh uet-Terbijeh”.

Dhe fjala e tij (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “...Allahu do të lëshojë mbi ju poshtërim dhe nuk ka për t’ua hequr derisa të ktheheni në Fenë tuaj.” ka për qëllim Fenë me kuptimin e saktë. Prandaj është obligim që të fillojmë duke u dhënë njerëzve kuptimin e kësaj Feje, kuptimin e saktë, dhe t’i edukojmë me të. Dhe atë ditë do të gëzohen Besimtarët me Ndihmën e Allahut.

Por ama çdo rrugë tjetër pos kësaj s’ka për t’ia kthyer Muslimanëve krenarinë dhe lavdinë e tyre kurrën e kurrës.”

Përktheu: Alban Malaj