Shkëputur nga libri: Ixhabetus-Sa'il ala Ehammil-Mesail [fq.497-499]
Shejkh Mukbil bin Hadi el-Uadi’i është pyetur: “Kur tek një person ndeshet edhe Xherhi edhe Ta’dili, cilit prej tyre i jepet përparësi?
Ai u përgjigj: “Kur Xherhi është Mufesser (i shpjeguar me detaje dhe argumente) atij i jepet përparësi. Megjithatë, është mirë që të shihet kritikuesi [Xharih], a është ai nga ata njerëzit që mund t’u zihet besë, siç është Jahja Ibn Me’in, Bukhari, Ahmed bin Hanbel, Jahja el-Kattan, Abdur-Rrahman bin Mehdi, Ebu Zur’ah dhe Ebu Hatim, kështu që nëse ai është kësisoj, atëherë i merret dhe ky është Xherh Mufesser.
Xherh Mufesser është për shembull kur dikush thotë “Ai gabon”, “Ai ka gabime” “Munkerul-Hadijth (Hadith shumë i dobët që kundërshton diçka që është e saktë)”, “Kedhab (Gënjeshtar)”, “Metruk (i braktisur). Të gjitha këto janë Xherhul-Mufesser. Poashtu, është edhe “Daif Xhidden (Tepër i Dobët)”. Pra kësisoj Xherhi Mufesser i jepet përparësi ndaj Ta’dilit. Gjithësesi, kur vetë kritikuesi (Xharih) është i dobët, siç është Ebil-Fet’h el-Ezedij, apo ‘Abdur-Rrahman bin Jusuf bin Kharas, pasi (ky i fundit) ka diçka prej Rafdit (Shi’izmit) dhe ndodh që ai të ketë kritikuar disa nga njerëzit e Sunetit.
Vërtet, Imam Dhehebiu ka përmendur në biografinë e Ebi Selemeh Musa bin Isma’il el-Menkarij, ku ka thënë: “Askush nuk ka thënë që ai ka ndonjëfarë dobësie përveç Ibn Kharasit, i cili e ka përmendur dhe ka thënë: “Vërtet, ata kanë folur rreth tij (negativisht).” Kurse Dhehebiu ia ktheu: “Po, ata kanë folur rreth tij duke thënë se ai ishte Thikat (i besueshëm) dhe i qëndrueshëm, more Rafidi!” dhe po kështu është edhe rasti me Xherhul-Akran. Kjo do të thotë se në këtë rast dihet që (mes kritikuesit dhe të kritikuarit, Xharih ue Mexhruh) ka patur një sherr apo grindje për çështje të dynjasë (Munakisheh Dunjauije). Dhe kjo mund të ndodhë ashtu siç ndodhi mes Ebi Nu’ajmit dhe Ibn Mendes dhe (siç ka ndodhur) mes Ibn Hibbanit dhe disa bashkëkohësve të tij. Kështu që, nëse Xherhi ka qenë si ky lloj që është Xherhul-Akran, atëherë hetohet shkaku (i këtij Xherhi). Nëse shkak ka qenë ndonjë debat ose ndonjë çështje që ka të bëjë me dynjanë, atëherë kjo është diçka tek i cila duhet të ngurojmë (pra të mos nxitohemi). Gjithashtu, nëse ai që bën kritikën (Xharihu) nuk e njeh Xherhin (d.m.th. nuk e di arsyen e kritikës), ngase është kusht që personi të ketë dije rreth arsyeve të Xherhit (kritikës). Apo nëse personi që bën Xherhin mund të ketë ndonjë motiv (apo synim) siç janë këta njerëzit e pavlerë të ditëve të sotshme. Për shembull, siç është Ebi Rijja dhe ata që ecin në rrugën e tij, si Ahmed Emini. Dhe njësoj si ata është el-Keutheri, ai që i i shpall transmetimet të sakta ose të dobëta duke u bazuar mbi epshet e tij. Poashtu, Muhamed Rashid (Rida) i deklaron transmetimet të sakta ose të dobëta duke u bazuar mbi epshet e tij. E njëjta gjë është është edhe me Xhemalud-Din Afganin dhe Muhamed Abduh Misrin. Të gjithë këtyre njerëz dhe ata që ecin në rrugën e tyre nuk u pranohen fjalët dhe as nuk merren fare në konsideratë. Nuk duhet mbështetur tek fjalët e tyre. Janë këta njerëz moderrnistë të cilët kërkojnë pozitë dhe duan që t’i ngrenë vetet e tyre lart në mënyrë që t’i shpallin gjërat të sakta apo të pasakta sipas tekave të tyre. Dhe Allahu është Ai të Cilit i kërkohet ndihma.
Kështu pra, na ka mbetur (për t’u diskutuar) Sejjid Salih. Oh… ky është një burrë për të cilin Tuvejxhiri ka thënë: “Ai nuk është as sejjid (zotëri, prijës, njeri i nderuar) dhe as salih (i mirë).” Ky është ai që deshte të ktitikonte historitë e Israilijateve – sipas pretendimeve të tij – që janë tek Sahihu i Bukharit. Në qoftë se ai do të sulmojë Sahihun e Bukharit, këtë gjë po e bëjnë shumë nga njerëzit modernistë të ditëve të sotshme të cilët kanë filluar t’i sulmojnë librat e Sunetit. Prandaj, fjalët e njerëzve të këtillë nuk pranohen por shpërfillen.” [1]
Ai është pyetur gjithashtu: “Kur thuhet el-Xherhul-Mufesser, atëherë çfarë është ky el-Xherhul-Mufesser?”
Shejkhu u përgjigj: “Shembujt të këtij lloji sapo u përmendën, siç është thënia “Metruk Da’if Xhidden (i Braktisur dhe Tepër i Dobët)”, “Munkerul-Hadijth (Hadithet e tij janë të refuzuara)”, “Kedhdhab (Gënjeshtar)”, “Ekdhebun-Nas (Gënjeshtari më i madh)”, “Ilejhil-Munteha fil-Kedhib (të gjitha gënjeshtrat përfundojnë tek ai)”. Kurse për sa i përket Xherhit i cili nuk është Mufesser, atëherë ai është kur thua “Da’if (i Dobët)”. Megjithatë, pjesa dërrmuese e shprehjeve të tyre faktikisht janë Xherh Mufesser, siç është thënia e Bukharit “Fijhi Nedhar (për të ka disa vërejtje)”, poashtu “Seketu anhu (ata heshtin për sa i përket atij)” edhe pse ata kurrë nuk ndenjën të heshtur për sa i përket atij, por Bukhari ishte shumë butë në fjalët e tij dhe nuk ishte i ashpër.” [2]
Shejkh Mukbili është pyetur sërish: “Kur një transmetues është deklaruar i besueshëm nga një person dhe është kritikuar nga katër të tjerë; ose është kritikuar nga një dhe është deklaruar i besueshëm nga katër të tjerë, atëherë thënia e kujt merret? Më shpjegoni me një shembull të vetëm nga librat e hadithit dhe transmetuesve rreth Xherhit Mufesser sepse unë i kam dhënë përparësi Ta’dilit (lavdërimit) të përgjithshëm të shumicës (në vend të Xherhit, kritikës së një personi të vetëm)?”
Shejkhu u përgjigj: “Sa i përket dhënies përparësi Ta’dilit të shumicës, atëherë kjo nuk është e saktë. Për shkak se kritikuesi ka vënë re atë që nuk e ka vënë re lavdëruesi (Mu’adil). Kështu për shembull, kur gjen një njeri gjithmonë në saf të parë (në namaz), ti e shpall atë thikat (të besueshëm), por shoku yt e di që ai nuk është hafidh (i fuqishëm në mësimin përmendësh, në kujtesë), por përkundrazi ai është i dobët në kujtesë (da’iful-hifdh). Pra, ti e di se ky njeri është gjithmonë në saf të parë por shoku yt është në dijeni se ai punon në një bankë me kamatë ose ai bën piktura (fotografi) ose punon si berber që rruan mjekrrat, prandaj ai që bën kritikën (Xharih) ka vënë re apo ka hasur diçka të cilën nuk e ka hasur Mu’adili (lavdëruesi). Sikur dhjetë njerëz ta shpallin atë të besueshëm (thikat) dhe vetëm një person ta ketë kritikuar atë me një kritikë të shpjeguar (Xherhul-Mufesser), atëherë Xherhi Mufesser pranohet…”[3]
Fundnota:
[1] Ixhabetus-Sa’il ala Ehamil-Mesa’il, fq.497-498, Darul-Hadijth, Demaxh.
[2] Ixhabetus-Sa’il ala Ehammil-Mesail, fq.498, Darul-Hadijth, Demmaxh.
[3] Ixhabetus-Sa’il ala Ehammil-Mesail, fq.499, Darul-Hadijth, Demmaxh.
Përktheu: Alban Malaj