Bismilah...

Autor: Shejkh Muhamed Ibn Salih el-‘Uthejmin

Burimi: Audiokaseta “Lika` el-Baab el-Meftuh”, (n.156)

Pyetje: Disa prej vëllezërve tanë që thërrasin për tek Allahu ‘Azze ue Xhel, në vendet tona, menduan se është me dobi që ata të pajtohen me Sufistët që të mos flasin nëpër ligjërata apo nëpër hytbe për Ngritjen e Allahut mbi Arsh për shembull, apo për kërkimin e ndihmës nga të vdekurit (el-Istigatheh), si dhe për gjëra të tjera të kësaj natyre. Dhe ata u argumentuan me marrëveshjen që bëri Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) me Jehudët. A është i saktë ky argumentim o Shejkh? Cili është udhëzimi juaj?

Përgjigje: “Jo, ky argumentim nuk është i saktë, ngase ajo që ka përmendur ai është në Fjalën e të Lartësuarit:

وَدُّوا لَوْ تُدْهِنُ فَيُدْهِنُونَ

Ata dëshirojnë që ti të bësh lëshime, kështu që edhe ata të bëjnë lëshime.” [el-Kalem, 9]

Nuk lejohet që të bësh lëshime në Fe, kurse i Dërguari (‘alejhi-salatu ues-selam) në të vërtetë bëri paqe me Jehudët që asnjëra palë të mos sulmojë palën tjetër, e jo se ne jemi të kënaqur me fenë e tyre, kurrë. Dhe kurrë nuk ndodh që i Dërguari të kënaqet me fenë e tyre. Dhe kjo që ka përmendur ai, pra të kënaqurit me Batilin që kanë ata, kjo dobi në këtë aspekt në të vërtetë është lëshim (mudaheneh) dhe ky lëshim është harram. Nuk i lejohet askujt që t’i bëjë lëshim ndokujt në Fenë e Allahut, përkundrazi, është obligim sqarimi i Hakut sido që të jetë. Mirëpo, ka mundësi që të jetë më e dobishme para së gjithash të mos fillohet me refuzim por të fillohet së pari me shpjegimin e asaj që është e saktë. Për shembull, nëse ai flet rreth Istiuasë (ngritjes së Allahut Subhanehu ue Te’ala mbi Arsh), siç thatë ju, ai duhet të shpjegojë kuptimin e Istiuasë dhe të sqarojë të vërtetën e saj, pa thënë se ka njerëz që e shpjegojnë atë në mënyrë të gabuar. Përveç se atëherë kur njerëzit të përforcohen dhe ta mësojnë Hakun, atëherë u bëhet i lehtë atyre kalimi nga Batili në Hak.”

Përktheu: Alban Malaj