Bismilah...

Autor: Shejkh Muhamed ibn Salih el-‘Uthejmin

E gjithë lavdia i takon Allahut, Zotit të botëve. Unë dërgoj salavate dhe selam mbi Pejgamberin tonë Muhamed, mbi Familjen e tij, Shokët e tij dhe të gjithë ata që e ndjekin në mirësi deri në Ditën e Gjykimit.

E më pas:

Sot është e martë, 22 Rabij’ul-Euel, 1420 Hixhrij. E dëgjova kasetën e inçizuar me emrin e vëllait tonë, Ebul-Hasen, në Ma’rib.

Ai filloi me selam, andaj unë po them, alejkes-selam ue rahmetullahi ue barakatuhu.

Dhe ajo që ka përmendur ai rreth tekfirit është një çështje e madhe dhe serioze, prandaj nuk është mirë që të thuhen fjalë të përgjithshme apo absolute rreth kësaj çështjeje, me përjashtim të një studenti të dijes që i kupton dhe i njeh fjalët bashkë me kuptimet e tyre dhe i njeh pasojat që dalin nga ky gjykim me tekfir apo nga mosdhënia e tij. Kurse sa i përket njerëzve të thjeshtë që japin gjykime për tekfir në mënyrë absolute dhe të përgjithësuar, apo mos bërja e tekfirit në të tilla çështje, nga kjo gjë burojnë shumë të këqija. Prandaj, mendoj se të rinjtë nuk duhet të merren me këto çështje, se a është udhëheqësi qafir apo jo, dhe se a na lejohet të rebelohemi kundër tij apo jo.

Të rinjtë duhet të preokupohen me adhurimin që Allahu ua ka bërë detyrë ose që është i pëlqyeshëm dhe ata duhet të braktisin atë që është e urryer apo e ndaluar. Ata duhet ta dinë se mosmarrëveshjet në çështjet e Fesë dhe dijes ndodhën edhe gjatë kohës së Sahabëve (radij-Allahu ‘anhum), mirëpo kjo gjë nuk çoi në ndarje. Por zemrat e tyre ishin një dhe Menhexhi i tyre ishte një. Kurse sa i përket gjykimit me ligjet që nuk i ka shpallur Allahu, atëherë kjo – siç gjendet në Librin Fisnik – ndahet në tri lloje: ajo që është kufër (mosbesim), ajo që është dhulm (padrejtësi) dhe ajo që është fisk (mosbindje), çdonjëra sipas shkaqeve të ndryshme, mbi të cilat është ngritur ky gjykim (me ato ligje që nuk janë shpallur nga Allahu):

1 – Nëse njeriu gjykon me ligje që nuk i ka shpallur Allahu për shkak se ndjek epshin e tij, duke e ditur që e vërteta është tek gjykimi që ka dhënë Allahu, ky nuk ka mohuar, mirëpo ai ose është fasik (i pabindur, i prishur) ose është dhalim (zullumqar, i padrejtë).

2 – Ose kur ai e bën ligj një gjykim të përgjithshëm, të cilin e ndjek populli, dhe ai mendon se ka dobi në të, porse mund të ketë pështjellim për këtë, atëherë edhe ky nuk mohon, sepse shumë nga udhëheqësit kanë injorancë për sa i përket dijes Sheriatike. Me udhëheqësat lidhen njerëz që nuk e njohin gjykimin e Sheriatit, dhe ata (udhëheqësit) i konsiderojnë si dijetarë të mëdhenj, dhe si rezultat i gjithë kësaj ndodh kundërshtimi (i gjykimit të Allahut).

3 – Dhe nëse ai e njeh Sheriatin, mirëpo gjykon me këtë ligj (që nuk e ka shpallur Allahu) apo e bën këtë ligj dhe pastaj e bën atë kushtetutë që ta ndjekin njerëzit, dhe beson se ai është dhalim (zullumqar) me atë që bën dhe se e vërteta është tek ajo që ka ardhur në Kur'an dhe në Sunet, atëherë ne nuk mund të bëjmë tekfir mbi të.

4 – Por ama ne bëjmë tekfir: a) mbi atë që e konsideron ligjin që nuk e ka zbritur Allahu se ai është më i mirë për njerëzit; b) ose e konsideron atë të barazvlefshëm me ligjin e Allahut – ‘Azze ue Xhel-le –, atëherë ky është kafir, sepse ai përgënjeshtron Fjalën e Allahut – Tebarake ue Te’ala –:

أَلَيْسَ اللَّـهُ بِأَحْكَمِ الْحَاكِمِينَ ﴿٨﴾

“A nuk është Allahu Më i Miri i të gjithë gjykuesve?” Et-Tin, 8

Dhe gjithashtu Fjalën e Tij:

أَفَحُكْمَ الْجَاهِلِيَّةِ يَبْغُونَ ۚ وَمَنْ أَحْسَنُ مِنَ اللَّـهِ حُكْمًا لِّقَوْمٍ يُوقِنُونَ ﴿٥٠﴾

“Mos vallë ata kërkojnë gjykimin e Kohëve të Injorancës? Dhe kush është gjykues më i mirë sesa Allahu për popullin që është i bindur (në besimin e tij)?” El-Ma’ideh, 50

Pastaj, nuk duhet kuptuar nga këto çështje (që sapo u sqaruan) se kur ne bëjmë tekfir mbi dikë, atëherë automatikisht e kemi obligim të rebelohemi kundër tij, për arsye se nga ky rebelim vijnë të këqija të mëdha, më shumë sesa kur rri i heshtur. Tani s’kemi mundësi të tregojmë shembuj rreth atyre ngjarjeve që ka përjetuar ky Ummet, qofshin Arabë apo jo-Arabë. Por, kur ta kemi verifikuar korrektësinë e rebelimit kundër këtij personi nga aspekti Sheriatik, atëherë duhet bërë patjetër përgatitje (fizike dhe ushtarake) që të arrihet fuqi e barabartë me atë të udhëheqësit ose më shumë se aq.

Por, që njerëzit të rebelohen me thika e shtiza, ndërsa udhëheqësi ka tanke, raketa etj, atëherë nuk ka dyshim se ky është budallallëk dhe gjithashtu kjo bien në kundërshtim me Sheriatin.

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

Përktheu: Alban Malaj