Burimi: “Në Mbrojtje të Islamit, në Dritën e Ngjarjeve të 11 Shtatorit”,
të autorit: Ebul-Hasen Malik el-Akhder
Botimi: TROID.org
El-Hafidh Ibn Haxher, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Fukahatë kanë ‘Ixhma’ në lidhje me obligimin për t’iu bindur Sulltanit i cili e mori pushtetin me forcë dhe gjithashtu kryerjen e Xhihadit përkrah tij. Dhe se bindja ndaj tij është më e mirë sesa rebelimi kundër tij për shkak se në këtë gjë ka gjakderdhje dhe ndrydhje të masave popullore.” [1]
Shejkh ‘Abdul-Latijf Ibn ‘Abdur-Rrahman Ibn Hasen Ali-Shejkh, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Njerëzit e Dijes janë pajtuar unanimisht lidhur me bindjen ndaj atij që e mori pushtetin (mbi njerëzit) me forcë në çdo gjë që është e mirë. Ata e konsiderojnë si të domosdoshme përmbushjen e urdhërave të tij dhe mendojnë se udhëheqja, Imamati i tij është i saktë. Nuk ka madje as dy njerëz që kundërshtohen për këtë gjë. Ata gjithashtu e konsiderojnë të ndaluar rebelimin me shpatë kundër tij dhe ndarjen e Umetit edhe nëqoftëse prijësat janë gjynahqarë, për sa kohë që ata nuk shohin kufër të qartë. Nuk ka dyshim se sot janë të pranishme tekste të ndryshme (të këtyre Fukahave) që janë nga Katër Imamët dhe të tjerë përveç tyre, si dhe nga ata që janë të një niveli me ta.” [2]
Shejkhul-Islam Muhamed Ibn ‘Abdul-Uehab, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Imamët e çdo Medh’hebi janë pajtuar që të gjithë në lidhje me atë që e ka marrë pushtetin me forcë në një vend të caktuar, se ai merr gjykimin e “Imamit” në të gjitha çështjet. Dhe nëse nuk do të kishte qenë kështu, atëherë çështjet e e botës nuk do të ishin zgjidhur kurrë. Për shkak se për një kohë të gjatë, që përpara kohës së Imam Ahmedit e deri në ditët e sotme, njerëzit kurrë nuk janë mbledhur pas një Imami të vetëm. Dhe ata nuk njohin ndonjë nga Dijetarët që të ketë përmendur se gjykimet e Sheriatit nuk mund të jenë të sakta (të efektshme, që mund të zbatohen) përveç se nga Imami i përgjithshëm (Khalifi).” [3]
Ka thënë es-San’ani, Allahu e mëshiroftë, në shpjegimin e hadithit, “Kushdo që ka hequr dorë nga bindja ndaj Imamit dhe është ndarë nga Xhemati dhe pastaj ka vdekur, atëherë kjo është një vdekje e Xhahilijetit”: “Thënia e tij, ‘hoqi dorë nga bindja...’ do të thotë hoqi dorë nga bindja ndaj Khalifit për të cilin ka pajtueshmëri. Dhe duket sikur këtu është për qëllim Khalifi i një vendi të caktuar sepse njerëzit nuk janë mbledhur kurrë të gjithë pas një Khalifi të vetëm në të gjitha tokat Islame që në kohën e Shtetit Abasij. Por, njerëzit e çdo vendi ishin të pavarur duke patur dikë që u drejtonte çështjet. Nëse kuptimi i hadithit do të merrej sikur bëhet fjalë për Khalifin kryesor pas të cilit janë bashkuar njerëzit e Islamit, atëherë në të s’do të kishte patur dobi.” [4]
Imam Muhamed Ibn ‘Ali esh-Sheukani, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Ndërsa kur Islami u përhap dhe territoret e tij u bën më të largët nga njëri-tjetri, atëherë dihet se në të gjitha këto krahina besa i jepej një Imami apo një Sulltani... Kështu që, nuk ka problem në numrin e shumtë të Imamëve dhe Sulltanëve dhe se është obligim për njerëzit e atij vendi ku kanë hyrë në fuqi urdhërat dhe ndalesat e tij (Sulltanit) që t’i binden pasi t’i kenë dhënë besën atij. E njëjta gjë është edhe për të gjithë njerëzit e krahinave të tjera.” [5]
Shejkhu dhe Imami, ‘Abdul-Latijf Ibn ‘Abdur-Rrahman Ibn Hasen Ali-Shejkh, Allahu e mëshiroftë, ka thënë me fjalë të fuqishme të cilat heqin dyshimet rreth kësaj teme dhe refuzojnë injorantët që i përhapin këto dyshime: “... dhe ata njerëz - ata të cilët kanë rënë në fitne - nuk e dinë se me përjashtim të ‘Umer Ibn ‘Abdul-‘Azijz dhe çdo kujt tjetër që dëshiroi Allahu nga Beni Umejet - fatkeqësi të mëdha, paturpësi, ngritje e armëve kundër popullit dhe shkatërrim i madh ndodhi nga ana e atyre që ishin në krye të Muslimanëve, që nga koha e Jezid Ibn Mu’auijes e deri më sot. Megjithatë, pavarisht kësaj, sjellja dhe qëndrimi i Dijetarëve të shquar dhe Imamëve të fuqishëm me udhëheqësit është i mirënjohur dhe i famshëm; ata nuk heqin dorë nga bindja në veprat e urdhëruara dhe detyrat obligative të Islamit.
Dhe unë po ju jap një shembull; atë të el-Haxhaxh Ibn Jusuf eth-Thekafi - çështja e të cilit njihet mjaft mirë në Umet - të zullumit, shtypjes dhe kalimit të kufijve në vrasjen e Muslimanëve. Gjithashtu, pati edhe përdhosje të të Shenjtave të Allahut, vrasje të njerëzve të shquar të Umetit, siç ishte Se’id Ibn Xhubejr, rrethimi i Ibnuz-Zubejrit megjithëse ai kishte kërkuar strehim në Haram, bërjen e lejuar të asaj që ishte e ndaluar dhe e shenjtë, vrasjen e Ibnuz-Zubejrit megjithëse ai i kishte dhënë besën atij si edhe njerëzit e Mekës, Medines, Jemenit dhe pjesa më e madhe e Irakut i kishin dhënë besën atij (Ibnuz-Zubejrit), kurse Haxhaxhi ishte veçse një zëvendës i Meruanit dhe pastaj i djalit të tij, ‘Abdul-Maliku - dhe asnjëri nga ata që erdhën më pas nuk i kishin dhënë besën atij dhe asnjë nga njerëzit me influencë dhe ata që kishin pushtet nuk i kishin dhënë besën atij. Dhe pavarsisht të gjitha këtyre, asnjë nga Njerëzit e Dijes nuk ngurroi që t’i bindej atij dhe të pajtohej me të aty ku bindja lejohej në shtyllat e Islamit dhe obligimet e tij.
Edhe Ibn ‘Umeri dhe kushdo nga Shokët e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) që u takua me Haxhaxhin, ata kurrë e kundërshtuan atë dhe as nuk e ndaluan bindjen ndaj tij në atë gjë e cila ngre Islamin dhe me të cilën përsoset Imani. E njëjta gjë ishte edhe me ata Tabi’inë që jetuan në një kohë me Haxhaxhin, siç ishte Ibnul-Musejjib, el-Hasen el-Basri, Ibn Sirini, Ibrahim et-Tejmi dhe Imamët e tjerë të Umetit.
Dhe kjo çështje vazhdoi kështu midis dijetarëve udhëheqës të Umetit; ata urdhëronin bindjen ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe kryerjen e Xhihadit në rrugën e Tij përkrah çdo udhëheqësi (imami), qoftë ai i drejtë apo i prishur, siç dihet mjaft mirë nga librat e bazave dhe besimeve të Fesë.
Dhe poashtu, Abasidët i pushtuan tokat e Muslimanëve me forcë, me shpatë - dhe asnjë nga Njerëzit e Dijes nuk i ndihuan ata në këtë pushtim që ndërmorën - dhe ata vranë turma të tëra njerëzish dhe shumë nga Beni ‘Umejjet, prijësat e tyre dhe zëvendësit e tyre. Ata vranë Ibn Hubejrën, emiri i Irakut; dhe vranë poashtu Meruanin i cili ishte Khalifi. Dhe është transmetuar se vrasësit ekzekutuan rreth tetëdhjetë njerëz nga Beni ‘Umejjet në një ditë të vetme. Pastaj, ata shtruan mbi kufomat e tyre sixhadet, u ulën mbi ta dhe kërkuan të hanin e të pinin.
Pra, pavarsisht kësaj, qëndrimi i dijetarëve udhëheqës - siç ishte el-Euza’i, Malik, el-Lejth Ibn Sa’d, ‘Atta Ibn Ebi Rabah - me ata mbretër nuk është është i panjohur për atë që ka sadopak dije apo aftësi për të kuptuar. Pastaj, brezi tjetër i Njerëzve të Dijes - siç ishte Ahmed Ibn Hanbel, Muhamed Ibn Isma`il, Muhamed Ibn Idris, Ahmed Ibn Nuh, Is`hak Ibn Rahauejh dhe vëllezërit e tyre - ...në kohën e tyre ndodhën bidate të mëdha dhe mohimi i Sifateve (Cilësive të Allahut) nga ana a mbretërve dhe ata u thirrën që t’i pohonin këto gjëra dhe u sprovuan nga ata dhe prej tyre u vra ai që u vra, siç ishte Ahmed Ibn Nasr. Por pavarsisht të gjitha këtyre që ndodhën, nuk dihet që ndonjëri prej tyre të ngrihej kundër bindjes ndaj atyre mbretërve dhe ta shikonte si të përshtatshme sulmin kundër tyre...” [6]
Fundnota:
[1] ‘Fet’hul-Bari’ (7/13).
[2] ‘Mexhmu’atur-Resa’il uel-Mesa’ilun-Nexhdije’ (3/128).
[3] ‘ed-Durarus-Sunnije fij el-Exhuibetun-Nexhdije’ (7/239).
[4] ‘Subulus-Selam Sherh Bulugul-Meram min Ediletil-Ahkam’ (3/499).
[5] ‘Sejlul-Xherrar’ (4/512).
[6] ‘ed-Durarus-Sunnije fij el-Exhuibetun-Nexhdije’ (7/177-178).
Përktheu: Alban Malaj