Bismilah...

Autor: Shejkh Muhamed Bazmul

 

 

Këshilla ime për këtë që pretendojnë ata (që thërrasin për xhihad në Siri) është: që të kenë frikë Allahun – Subhanehu ue Te’ala – dhe të kthehen tek dijetarët për këtë temë, sepse dijetarët kanë sqaruar se nuk ka xhihad sheriatik në Siri, ngaqë s’ka dyshim se i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – ka sqaruar se xhihadi sheriatik duhet patjetër të përmbushë një numër kushtesh:

 

Kushti i parë: që të jetë me udhëheqës. Ka thënë Pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – në hadithin e transmetuar nga Muslimi në Sahihun e tij:

الإمام جنه يتقى به، يقاتل من ورائه

“Imami është mburojë; mbrohesh me të dhe lufton mbas tij.”

 

Kështu që, ata të cilët dalin për të shkuar në Siri që të luftojnë, nuk dalin me lejen e udhëheqësit, por ndahen nga xhemati i Muslimanëve. Dhe me daljen e tyre ndodhin probleme të shumta, të cilat shkaktojnë probleme të tjera mbi Islamin dhe Muslimanët. Pra, dalja e tyre, siç u përmend në pyetje, bie ndesh me këtë kusht.

 

Kushti i dytë: nga kushtet e xhihadit sheriatik është: që ai të bëhet nën flamurin e qartë për lartësimin e Fjalës së Allahut, sepse Pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – thotë në hadithin sahih:

من قاتل تحت راية عمية فقتل مات ميتة جاهلية

“Kush lufton nën një flamur pështjellues derisa vritet, ai ka vdekur ashtu siç vdisnin në Xhahilijet.”

 

Dihet që xhihadi në Siri nuk ka flamur të qartë për të lartësuar Fjalën e Allahut. Atje ka të Krishterë që luftojnë, ka laikë që luftojnë, ka nacionalistë që luftojnë, ka pretendues të Islamit që luftojnë, siç janë tekfirsat, si dhe ka ithtarë të ideologjive dhe devijimeve që luftojnë. Pra, luftimi nën flamurin e çdonjërit prej tyre, nuk është assesi luftim nën flamurin e qartë për lartësimin e Fjalës së Allahut.

E nëse ndonjëri prej tyre thotë: “Ne po luftojmë për të lartësuar Fjalën e Allahut!”

Përgjigja për ta është: Lartësimi i Fjalës së Allahut bëhet ashtu siç e ka përshkruar sheriati, duhet medoemos që të behet mbas udhëheqësit të ligjshëm, ndërsa ju nuk keni udhëheqës të ligjshëm që të luftoni mbas tij.

E nëse thonë: “Ne kemi një emir (komandant) të cilin e kemi vendosur për xhematin dhe ai është udhëheqësi ynë!”

U thuhet atyre: Ju po mashtroni, sepse këtij komandanti që keni vendosur juve nuk i thuhet “udhëheqësi i ligjshëm të cilin e ndjek i gjithë xhemati i Muslimanëve”, thjesht pse e keni vendosur ju.

 

Kushti i tretë: që të plotësohet përgatitja për xhihad, sepse Allahu – Subhanehu ue Te’ala – Thotë:

وَأَعِدُّوا لَهُمْ مَا اسْتَطَعْتُمْ مِنْ قُوَّةٍ وَمِنْ رِبَاطِ الخَيْلِ تُرْهِبُونَ بِهِ عَدُوَّ اللهِ وَعَدُوَّكُمْ وَآَخَرِينَ مِنْ دُونِهِمْ لَا تَعْلَمُونَهُمُ اللهُ يَعْلَمُهُمْ وَمَا تُنْفِقُوا مِنْ شَيْءٍ فِي سَبِيلِ اللهِ يُوَفَّ إِلَيْكُمْ وَأَنْتُمْ لَا تُظْلَمُونَ

“Andaj përgatitni për ta sa të mundni prej fuqisë dhe kuaj lufte, që ta tmerroni me këtë armikun e Allahut dhe armikun tuaj dhe të tjerë, të cilët ju nuk i dini, Allahu e di kush janë ata. Dhe çdo gjë që e shpenzoni në Rrugën e Allahut, ajo do t’ju kompensohet dhe s’do t’ju bëhet padrejtësi aspak.” [el-Enfal, 60]

 

Atëherë, çfarë përgatitje sheriatike apo çfarë përgatitje luftarake kanë bërë ata që shkojnë të luftojnë në të tilla vende?! Ata s’dinë si mbahet arma, s’dinë strategjinë luftarake, s’dinë gjë për sa i përket çështjeve të xhihadit dhe lëvizjes nëpër tokë, s’dinë gjë rreth natyrës së vendit ku duan të luftojnë. Të gjitha këto gjëra ata nuk i dinë. Atëherë me çfarë përgatitje kanë shkuar për të luftuar në ato vende?! S’ka dyshim që me kundërshtimin e këtyre kushteve, ata kanë bërë një vepër e cila nuk gjendet në sheriatin e Allahut. I Dërguari i Allahut – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – thotë:

من عمل عملا ليس عليه أمرنا فهو رد

“Kush bën një vepër të cilën ne nuk e kemi urdhëruar, ajo është e refuzuar.”

 

Pra, kjo vepër që kanë bërë ata nuk u pranohet dhe as nuk u bën dobi nëse thonë se nijeti ynë është që të luftojmë në Rrugën e Allahut dhe që të lartësojmë Fjalën e Allahut, sepse nijeti i mirë po nuk u shoqërua me përputhshmërinë e Sheriatit të Allahut, ai s’i bën dobi të zotit të vet, ngaqë vepra nuk pranohet derisa të jetë e pastër për Allahun dhe të jetë në përputhje me Sheriatin e Allahut, me të cilin erdhi i Dërguari i Tij, - sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem -. Prandaj i Dërguari – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – thotë:

من عمل عملا ليس عليه أمرنا فهو رد

“Kush bën një vepër të cilën ne nuk e kemi urdhëruar, ajo është e refuzuar.”

 

Kushti i katërt: se i Dërguari i Allahut i kthente mbrapa të vegjlit në moshë dhe nuk i lejonte që të luftonin me burrat, ngaqë ata nuk e kishin mbushur moshën e pjekurisë, siç e ktheu mbrapa ‘Abdullah Ibën ‘'Umerin – radijAllahu ‘anhu –, kur ai donte që të luftonte në një prej betejave (në luftën e Uhudit). Gjithashtu, ai ktheu mbrapa djelmosha të tjerë nga Sahabët, kur ata kërkuan që të luftonin, ndërkohë që ata ishin meshkuj, por si është halli me vajzat e vogla?! S’ka dyshim që gjykimi për to është akoma më i fortë, se ato s’duhet të dalin për të luftuar parimisht.

 

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

 

Përktheu: Alban Malaj