Shejkh Salih el-Feuzan
Pyetje: Allahu ju shpërbleftë me të mira, këtu kemi një pyetje: “Shejkh i nderuar, esselamu ‘alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu, më pas, cili është gjykimi i fjalës së disave për disa ideologë, “Filani është Shehid i Islamit” dhe cili është menhexhi i Ehli Sunetit dhe Xhematit për gjykimin me shehidllëk për këdo qoftë nga njerëzit, Allahu ju shpërbleftë me të mira?
Përgjigje nga Shejkh Feuzan: Këtë e kanë përmendur njerëzit e dijes në Akide, në librat e Akides, ata thonë se nuk lejohet të dëshmojmë për dikë me Xhennet apo Zjarr, përveç se për atë që ka dëshmuar i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) që ai është nga banorët e Xhennetit apo se ai është Shehid. Ndërsa për atë që Dërguari i Allahut nuk ka dëshmuar me Xhennet, atëherë nuk lejohet pohimi për të se ai është nga banorët e Xhennetit. E ku mund ta dish ti!?
Porse ne shpresojmë për bamirësit dhe kemi frikë për gabimtarët, dhe nuk dëshmojnë për dikë se është në xhenet apo Zjarr, përveç për atë që ka dëshmuar i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem). Nëse thua se filani është Shehid, atëherë ti vërtetë ke shpifur ndaj Allahut (‘Azze ue Xhel-le), ti nuk e din, por ti shpreson mirë për të. Përderisa ai është musliman, dhe se ai është vrarë në Xhihad, apo është vrarë padrejtësisht, apo u plagos befasisht, atëherë shpresohet për të shehidllëku. Porse të thuhet prerazi se filani është shehid, apo filan shehidi apo shehidi i Islamit, atëherë kjo është shpifje ndaj Allahut (Subhanehu ue Te‘Ala) pa dije. E ku mund ta dish ti!?
Përktheu: Jeton Shasivari