Bismilah...

Autor: Salih bin Feuzan bin Abdullah el-Feuzan

Burimi: El-Bejan li Akhtai B’adi el-Kuttab, vëll. 3, fq. 110-111

 

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin për Profetin tonë Muhamedin, Profetin e fundit, për familjen e tij, shokët e tij dhe për të gjithë ata që i ndjekin këta me përpikëri deri në ditën e Gjykimit.

Më tej:

Janë shtuar propagandat dhe ulërimat e njerëzve që flasin kundër hixhabit të gruas Muslimane, gjoja hixhabi na qenka problemi bashkëkohor i kësaj kohe; sikur hixhabi na qenka pengesë e zhvillimit dhe përparimit të shoqërisë, ndërkohë që hixhabi është shkak për mbrojtjen e gruas dhe mbrojten e burrit nga fitneja. Pra, hixhabi është një nga shtyllat e ndërtimit të shoqërisë Muslimane i cilia bazohet në pastërti dhe ruajtje të nderit.

Për këtë arsye, ata që ua hoqën hixhabin grave të tyre duke u ndikuar nga propagandat e devijuara, tani gratë e tyre i kanë mbuluar përsëri. Nuk është problemi te hixhabi, përkundrazi hixhabi është mburojë për lirinë e gruas nga ngacmimet dhe abuzimet e dashakeqëve. Ata që propagandojnë vazhdimisht për heqjen e hixhabit duke thënë se është pengesë për gruan që të punojë, ne u përgjigjemi atyre nga disa pikëpamje:

E para: Pjesa më e madhe punës së gruas është në shtëpi dhe ajo s’ka nevojë për hixhab brenda në shtëpi.

E dyta: Në të gjitha kohërat, hixhabi asnjëherë nuk ka qenë pengësë për punën e gruas. Që nga koha kur hixhabi është bërë obligim për të, ajo e ka kryer punën që është e përshtatshme për të në mënyrën më të mirë dhe hixhabi kurrë nuk ka qenë pengesë për punën e saj.

E treta: Puna e gruas që është në mesin e grave dhe këtu ajo s’ka nevojë për hixhab. Por nëse ajo punon në rrethin e burrave dhe përzihet me burrat, atëherë kjo punë nuk lejohet sipas Sheriatit dhe shoqëria nuk ka nevojë për punën e saj, sepse burrat janë më kompetentë sesa gratë dhe burrat kanë nevojë më shumë për punësim se gratë.

E katërta: Ta angazhosh gruan me një punë që është për burrat, do të thotë se e ke angazhuar gruan me atë gjë që ajo s’mund ta bëjë dhe ajo nuk mund të prodhojë në atë punë siç prodhon burri. 

E pesta: Mundësitë e punësimit të gruas në ato punë që janë të përshatshme për të në shoqëri, janë shumë të mëdha dhe nuk bien ndesh me hixhabin.

E gjashta: Gruaja ka punë brenda shtëpisë së saj dhe atë punë nuk mund ta bëjë dikush tjetër, kështu edhe puna e saj jashtë shtëpie në mesin e grave apo në një mes që nuk ka përzierje me burrat. Nëse gruas i japim një punë tjetër, atëherë ne e kemi ngarkuar atë me atë punë që ajo nuk e mban dot.

Në fund themi: Ah sikur ata që bëjnë thirrje për punësimin e gruas pa kushtëzime të caktuara dhe që thërrasin të hiqet hixhabi, t’i kishin menduar dëmet e kësaj në të cilën thërrasin dhe pasojat negative që ka kjo thirrje për gruan, familjen dhe shoqërinë. Të mos bëhen papagaj të cilët i përsërisin fjalët e të tjerëve pa i kuptuar dhe analizuar pasojat e kësaj thirrjeje.

Andaj, o ju që thërrisni për të zbuluar gratë dhe për zhveshur, zgjohuni Allahu ju udhëzoftë!

Allahu i udhëzoftë të gjithë në atë që është në dobi të Islamit dhe Muslimanëve.

Paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin për të Profetin tonë Muhamedin, familjen e tij dhe shokët e tij.

 

Përktheu: Jeton Shasivari