Autor: Shejkh ‘Abdul-‘Azijz Ibën Baz
Burimi: Mexhmu’ul-Fetaua ue Mekalat Muteneui’ah, vëll.15/fq.167-169 [1]
Pyetje: Për kë është detyrë agjërimi i Ramadanit dhe cila është mirësia e agjërimit të tij?
Përgjigje: Agjërimi i Ramadanit është detyrë për çdo Musliman që është i shëndoshë mendërisht dhe ka arritur moshën e pjekurisë, qoftë burrë apo grua, dhe është i rekomandueshëm për atë që nuk i ka mbushur shtatë vjeç apo më tepër se aq dhe ka takat (që ta mbajë agjërimin), qoftë mashkull apo femër. Dhe është detyrë për kujdestarët e tyre që t’i urdhërojnë ata për agjërim, nëse kanë takat që të agjërojnë, ashtu siç i urdhërojnë për faljen e namazit.
Dhe baza e kësaj është Fjala e Allahut – ‘Azze ue Xhel-le –:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُتِبَ عَلَيْكُمُ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى الَّذِينَ مِن قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ ﴿١٨٣﴾ أَيَّامًا مَّعْدُودَاتٍ ۚ فَمَن كَانَ مِنكُم مَّرِيضًا أَوْ عَلَىٰ سَفَرٍ فَعِدَّةٌ مِّنْ أَيَّامٍ أُخَرَ
“O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të bëheni të devotshëm. Agjërimi zgjat disa ditë, por, nëse ndonjëri prej jush është i sëmurë ose duke udhëtuar, le të agjërojë aq ditë sa i ka prishur në ditët e tjera pas.” El-Bekareh, 183-184
Deri ku thotë i Përsosuri nga çdo e metë:
شَهْرُ رَمَضَانَ الَّذِي أُنْزِلَ فِيهِ الْقُرْآنُ هُدًى لِلنَّاسِ وَبَيِّنَاتٍ مِنَ الْهُدَى وَالْفُرْقَانِ فَمَنْ شَهِدَ مِنْكُمُ الشَّهْرَ فَلْيَصُمْهُ وَمَنْ كَانَ مَرِيضًا أَوْ عَلَى سَفَرٍ فَعِدَّةٌ مِنْ أَيَّامٍ أُخَرَ
“Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë! Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar.” El-Bekareh, 185
Dhe fjala e Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –:
بُنِيَ الإِسْلَامُ عَلَى خَمْسٍ: شَهَادَةِ أَنْ لا إلَهَ إلا اللَّهُ وَأَنَّ مُحَمَّدًا رَسُولُ اللَّهِ، وَإِقَامِ الصَّلاةِ، وَإِيتَاءِ الزَّكَاةِ، وَصَوْمِ رَمَضَانَ، وَحَجِّ الْبَيْتِ
“Islami është ndërtuar mbi pesë (shtylla): në dëshminë që nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përpos Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij, në faljen e Namazit, në dhënien e Zekatit, në agjërimin e Ramadanit dhe në bërjen e Haxhit në Kabe.” [2]
Dhe fjala e tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –, kur atë e pyeti Xhibrili për Islamin, dhe ai tha:
الإسْلامُ أَنْ تَشْهَدَ أَنْ لا إلَهَ إلا اللَّهُ وَأَنَّ مُحَمَّدًا رَسُولُ اللَّهِ، وَتُقِيمَ الصَّلاةَ، وَتُؤْتِيَ الزَّكَاةَ، وَتَصُومَ رَمَضَانَ، وَتَحُجَّ الْبَيْتَ إنْ اسْتَطَعْت إلَيْهِ سَبِيلا
“Islami është: të dëshmosh se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përpos Allahu dhe Muhamedi është i Dërguari i Allahut, të falësh namazin, të japësh Zekatin, të agjërosh muajin e Ramadanit, të bësh Haxhin në Shtëpinë e Shenjtë nëse ke mundësi.” [3]
Dhe në dy Sahihët, nga hadithi i Ebi Hurejras – radij-Allahu ‘anhu –, nga Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –, se ai ka thënë:
مَنْ صَامَ رَمَضَان إِيْمَانًا وَ احْتِسَابًا غُفِرَ لَهُ مَا تَقَدَّمَ مِنْ ذَنْبِهِ
“Kush e agjëron Ramadanin me iman dhe duke shpresuar shpërblimin, do t’i falen atij gjynahet që ka bërë më përpara.” [4]
Dhe ka ardhur në transmetim të saktë se ai - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - ka thënë:
كُلُّ عَمَلِ ابْنِ آدَمِ لَهُ الْحَسَنَةُ بِعَشْرِ أَمْثَالِهَا إِلَى سَبْعِمِائَةِ ضَعْفٍ، إِلَّا الصِّيَامَ فَإنَّهُ لِي وَ أَنَا أَجْزِي بِهِ، تَرَكَ شَهْوَتَهُ وَ طَعَامَهُ وَ شُرْبَهُ مِنْ أجْلِي، لِلصَّائِمِ فَرْحَتَانِ: فَرْحَةٌ عِنْدَ فِطْرِهِ وَ فَرْحَةٌ عِنْدَ لِقَاءِ رَبِّهِ، وَ الْخُلُوفُ فِي الصَّائِمِ أَطْيَبُ عِنْدَ اللهِ مِنْ رِيْحِ الْمِسْكِ
“Çdo e vepër e mirë e birit të Ademit të do të shpërblehet dhjetë-fish deri në shtatëqind-fish, përveç agjërimit, sepse ai është për Mua dhe Unë e jap shpërblimin për të, se ai lë dëshirat e tij, ushqimin dhe pijen e tij vetëm për Mua. Agjëruesi ka dy gëzime: një gëzim e ka kur çel agjërim dhe një gëzim e ka kur të takojë Zotin e tij. Dhe era që lëshon goja e agjëruesit është më e mirë tek Allahu sesa era e miskut.” [5]
Dhe hadithet me vlerën e madhe që ka agjërimi i Ramadanit, falja e namazit të natës në të, si dhe për vlerën e agjërimit në përgjithësi, janë të shumta dhe të njohura.
Dhe Allahu është Dhënësi i Suksesit.
Fundnota:
[1] Kjo fetva është publikuar në librin “Tuhfetul-Ikhuan” të Shejkhut bujar ‘Abdul-‘Azijz Ibën Baz (fq.159), në gazetën “en-Nedueh” (n.12203), më datë 1/9/1419 hixhrij, si dhe në gazetën “el-Jeum”, më datë 2/9/1419 hixhrij.
[2] E ka transmetuar Bukhari në Sahihun e tij, libri “Imani”, kapitulli “Është ngritur Islami mbi pesë (shtylla), hadithi n.5. E ka transmetuar po ashtu Muslimi në Sahihun e tij, libri “Imani”, kapitulli “Sqarimi i Shtyllave të Islamit dhe themeleve madhështore”, hadithi n.21.
[3] E ka transmetuar Muslimi në Sahihun e tij, libri “Imani”, kapitulli “Sqarimi i Imanit, Islamit dhe Ihsanit”, hadithi n.9.
[4] E ka transmetuar Bukhari në Sahihun e tij, libri “Namazi i Teravisë”, kapitulli “Vlera e madhe që ka nata e Kadrit”, hadithi n.2013. E ka transmetuar gjithashtu Muslimi në Sahihun e tij, libri “Namazi i udhëtarit dhe shkurtimi i tij”, kapitulli “Nxitja për faljen e namazit të natës në Ramadan”, hadithi n.760.
[5] E ka transmetuar Bukhari në Sahihun e tij, libri “Agjërimi”, kapitulli “A thotë unë jam me agjërim?”, hadithi n.1904. E ka transmetuar po ashtu Muslimi në Sahihun e tij, libri “Agjërimi”, kapitulli “Vlera e madhe e Agjërimit”, hadithi n.1151.
Përktheu: Alban Malaj