Bismilah...

Autor: Abdul-Aziz ibën Baz

Burimi: Mexhmu'u Fetaua ue Mekalat Muteneuiah, vëll. 11, fq. 340

 

 

Pyetje: Çfarë gjykimi ka mbajtja e mus’hafit në dorë nga ana e xhematit gjatë namazit të teravive?

Përgjigje: Nuk di që kjo të ketë ndonjë bazë. Ajo që është e qartë dhe e ditur, është që njeriu të ketë frikë-respekt në namaz dhe të jetë i qetë; mos të mbajë mus’haf, por ta vendos dorën e djathtë mbi të majtën siç është Suneti; ta vendos dorën e djathtë mbi dorën e majtë – kyçin e dorës dhe parakrahun – dhe t’i vendos në gjoks. Kjo është më e sakta dhe më e mira. Ndërsa mbajtja e mus’hafit në dorë, e largon atë nga këto sunete. Pastaj, zemra dhe shikimi i tij angazhohet me rishikimin e faqeve dhe ajeteve si dhe shpërqendrohet nga dëgjimi i imamit.

Andaj, ajo që mendoj unë është se lënia e kësaj është prej Sunetit; ai duhet ta dëgjojë leximin e Kuranit dhe të heshtë, e të mos e përdorë mus’hafin. E nëse ai e mban mus’hafin për ta korrigjuar imamin dhe të tjerët e mbajnë atë, pastaj ta zëmë se imami gaboi në lexim dhe askush nuk e hapi mus’hafin ta korrigjojë atë, kjo nuk e dëmton imamin në lexim përveç se në el-Fatiha. Por ajo që e dëmton imamin është vetëm në el-Fatiha, ngaqë ajo është shtyllë e namazit, e cila është e domosdoshme. Ndërsa, që të lë disa ajete përveç el-Fatihasë, kjo nuk e dëmton imamin nëse nuk ka ndonjë mbrapa që ta rikujtojë. Nëse njëri e mban mus’hafin në dorë për korrigjimin e imamit në rast nevoje, shpresojmë se nuk ka problem për këtë. Por, që çdonjëri të mbajë mus’haf, kjo e kundërshton Sunetin.

 

Përktheu: Jeton Shasivari