Bismilah...

Burimi: Fetaua Lexhneti Daimeh (2), vëll. 9, fq. 33

 

Pyetje: Si duhet ta çelë iftarin Muslimani? Sepse shumë angazhohen duke ngrënë iftarin saqë mbaron koha e namazit të akshamit. Po i pyete për këtë gjë, ata të thonë: “S’ka namaz kur shtrohet buka.” A lejohet argumentimi me këtë fjalë, sepse koha e akshamit është e ngushtë? Tani, çfarë duhet të bëj unë, a ta çel iftarin me hurma, pastaj të fal namazin, dhe pas kësaj të ha bukë, apo të ha bukë që në fillim pastaj të falem?

Përgjigje: Suneti është që Muslimani të nxitojë në çeljen e iftarit kur është siguruar se ka perënduar dielli, për shkak të hadithit që thotë:

لاَ يَزَالُ النَّاسُ بِخَيْرٍ مَا عَجَّلُوا الْفِطْرَ

“Njerëzit do të vazhdojnë të jenë në mirësi përderisa nxitojnë në çeljen e iftarit.” [1]

Po ashtu për shkak të hadithit tjetër:

أحب عباد الله إلى الله أعجلهم فطرا

“Robërit më të dashur tek Allahu janë ata që nxitojnë më së shumti në çeljen e iftarit.” [2]

Më e mira dhe më përsosura për agjëruesin është që të çelë iftarin fillimisht me disa hurma, të falë namazin e akshamit, pastaj të hajë bukë, me qëllim që t’i bashkojë sunetin e përshpejtimit të iftarit dhe faljen e namazit të akshamit me xhemat sapo të ketë hyrë koha, kështu duke e marrë shembull Pejgamberin .

E sa për hadithin që thotë:

لا صلاة بحضرة الطعام، ولا وهو يدافعه الأخبثان

“Nuk falet namaz në çastin që shtrohet buka dhe në çastin kur njeriu nuk mund t’i mbajë dy ndyrësitë (jashtëqitjen dhe urinën).” [3]

Si dhe hadithi tjetër që thotë:

إذا حضرَ العَشاءُ والعِشاءَ فابدؤوا بالعَشاءِ

“Kur darka të jenë gati dhe është koha e namazit të jacisë, atëherë ju filloni të hani darkën.” [4]

Si dhe hadithe tjera të ngjashëm si ky, qëllimi me këtë hadith është kur personit i shtrohet sofra apo afrohet për të ngrënë në sofër, në këtë rast ai fillon të hajë ushqim përpara se të vijë koha e namazit, me qëllim që të shkojë të falë namazin dhe kështu nuk i rri zemra te ushqimi dhe falet me zemër të përqendruar në namaz. Por nuk është e udhës që të kërkojë të shtrohet sofra për të apo të shtrojë sofrën për të tjerët përpara se të falë namazin, nëse shtrimi i sofrës bëhet shkak që personi të humbë namazin në fillim të kohës së tij apo  të humb namazin me xhemat.

Suksesi vjen prej Allahut.

Lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin për Profetin tonë, Muhamedin, familjen e tij dhe të gjithë shokët e tij.

 

Komisioni i Përhershëm për Kërkime Akademike dhe Fetva

Anëtar: Bekër Ebu Zejd

Anëtar: Salih el-Feuzan

Anëtar: Abdullah bin Gudejan

Zëvendëskryetar: Abdul-Aziz Alu Shejkh

Kryetar: Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz

_______________________

[1] Sahihu i Bukhariut (agjërimi) nr, 1957, Sahihu i Muslimit (agjërimi) nr. 1098, Suneni i Tirmidhiut (agjërimi), nr. 699, Musnedi i Ahmedit (5/339), Suneni i Darimiut (agjërimi), nr. 1699.

[2] E kanë nxjerrë Ahmedi (2/237-238, 239), Tirmidhiu (3/83), nr. 700, Ebu J’ala (10/378) nr. 5974, Ibën Khuzejmeh (3/276), nr. 2062, Ibën Hibbani (8/276-277) nr. 3507, 3508, Bejhakiu (4/237), Begauiju (6/256), nr. 1732, 1733.

[3] Sahihu i Muslimit (xhamitë dhe vendet e namazit), nr. 560, Suneni i Ebi Daudit (Pastërtia), nr. 89, Musnedi i Ahmedit, 6/73.

[4] E kanë nxjerrë Ahmedi (3/100, 110, 161, 231, 238, 24), Bukhariu 1/164, 6/215, Muslimi 1/392, nr. 557, Tirmidhiu 2/184, nr. 353, Nesaiju 2/111, nr. 853, Ibën Maxhe 1/301, nr. 933.

 

Përktheu: Jeton Shasivari