1. Gjykimi i zekatul-fitrit

Shejkh Ibën Baz:

“Zekatul-Fitri është obligim (fard) për çdo Musliman, qoftë i rritur apo i vogël, mashkull apo femër, i lirë apo rob.”

Mexhmu’u Fetaua (14/197)

 

2. Nxjerrja e zekatul-fitrit për fëmijën në barkun e nënës

Shejkh Uthejmin:

“Nuk jepet zekatul-fitri për fëmijën në barkun e nënës se është obligim, por jepet nga aspekti se është e preferuar.”

Mexhmu’u fetaua ue Rasail, (18/263)

 

3. Urtësia e nxjerrjes së Zekatul-Fitrit

Shejkh Uthejmin:

“Shfaqja e falenderimit ndaj begative të Allahut të Lartësuar që ia mundësoi robit që ta mbarojë Ramazanin dhe ta plotësojë atë.”

Mexhmu’u Fetaua ue Rasail, (18/257)

 

4. Çfarë jepet për zekatul-fitër

Shejkh Ibën Baz:

“Nxirret një sa’a me hurma, ose një sa’a me elb, ose një sa’a me rrush të thatë, ose një sa’a me el-ikt (djathë i fortë dhe i thatë). Të këto ushqime futen – sipas fjalëve më të sakta të dijetarëve – çdo ushqim që njerëzit e një vendi të caktuar e përdorin si ushqim, siç është: orizi, misri, meli dhe gjëra të ngjashme.”

Mexhmu’u Fetaua (14/32-33)

 

5. A jepen për zekatul-fitër makarona, mish, etj.?

Shejkh Uthejmin:

“Ne mendojmë se lejohet dhënia e makaronave për zekatul-fitër, përderisa ai është ushqim për njerëzit...mendimi i saktë është se çdo gjë që është ushqim, siç janë drithërat, frutat, mishi ose gjëra të ngjashme, këto janë të vlefshme për zekatul-fitër, krahas atyre të pestave (që janë përmendur në hadith).”

Esh-Sherhul-Mumtië (6/183)

 

Ibën Kajjimi:

“Nëse ushqimet ditore të një populli nuk janë drithërat, po janë qumështi, mishi, peshku, atëherë ata nxjerrin për zekatul-fitër atë që është ushqim ditor i tyre, çfarëdo qoftë ai. Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve, e që është mendimi i saktë dhe i qëlluar, e nuk thuhet ndonjë mendim tjetër, ngaqë qëllimi është përmbushja e nevojave të fukarenjve në ditën e Bajramit dhe ngushëllimi i tyre duke u ofruar atyre atë ushqim që e përdorin banorët e vendit.”

‘Ilamul-Muaki’in, (3/12)

 

6. Sa është sasia e s’ajit që korrespondon me kilogram?

Shejkh ibën Baz:

“Është detyrë që të nxirret një sa’a i vetëm nga ushqimi i vendit, sasia e tij që korrespondon në kilogram është 3 kg përafërsisht.”

Mexhmu’u Fetaua (14/203).

 

7. A lejohet që të shtosh në sasinë e zekatul-fitrit?

Shejkh Uthejmin:

“Të shtosh tek sasia e s’ajit, nëse e bën këtë në formë adhurimi dhe për të treguar se s’aji është i mangët, atëherë kjo është bidat. E nëse shton tek s’aji si formë sadakaje e jo nga zekati (vjetor), atëherë s’ka problem për këtë. Por të mjaftohesh me atë që ka përcaktuar Sheriati, është më e mirë.”

Mexhmu’u Fetaua ue Rasail, 18/269-280

 

8. Koha e nxjerrjes së Zekatul-Fitrit

Shejkh Ibën Baz:

“Ai nxirret në ditën e njëzetë e tetë (28), njëzetë e nëntë (29), tridhjetë (30), natën e Bajramit dhe mëngjesin e Bajramit para namazit.”

Mexhmu’u Fetaua, (14/32)

 

9. Kujt i jepet zekatul-fitri?

Shejkh Ibën Baz:

“Allahu e ka ligjësuar në Sheriat që zekatul-fitri të jepet ushqim për t’i ngushëlluar skamnorët (el-fukara), nevojtarët dhe të varfrit (el-mesaakin). Nëse imami i fshatit e ka gjendjen financiare mesatare dhe ka atë që i nevojitet, nuk lejohet që t’i jepet zekatul-fitr dhe as nga zekati (vjetor). Por nëse rroga e imamit nuk i mjafton për shkak të numrit të madh të anëtarëve të familjes ose për ndonjë arsye tjetër, atëherë s’ka problem që t’i jepet nga zekatul-fitri ose nga diçka tjetër (zekati, sadakaja, etj.).”

Mexhmu’u Fetaua (14/215)

[Shënim i përkthyesit]: el-fukara janë të varfrit që nuk kanë kurrfarë të ardhurash mujore, kurse el-mesaakin janë të varfrit që kanë të ardhura mujore por nuk u mjaftojnë deri në fund të muajit.

 

10. A lejohet t’u jepet zekatul-fitri të afërmve që janë të varfër?

Shejkh Uthejmin:

“Lejohet që t’ua japësh zekatul-fitrin ose zekatin vjetor të afërmve të varfër, madje është më parësore që t’u jepet të afërmve sesa atyre që janë më të largët. Për arsye se nëse ti ua jep të afërmve, kjo është sadaka dhe mbajtje e lidhjeve farefisnore në të njëjtën kohë. Por me një kusht: dhënia e zekatul-fitrit të mos jetë si pretekst për të ruajtur pasurinë e tij, që do të thotë se nëse ky i varfër është nga ata që ky i pasuri e ka detyrë të kujdeset nga ana financiare për të, atëherë në këtë rast nuk lejohet atij që t’ia përmbush nevojat nga zekati vjetor (apo zekatul-fitri).”

Mexhmu’u fetaua ue Rasail, (18/413-414)

 

11. Gjykimi i ngarkimit të dikujt tjetër për nxjerrjen e zekatul-fitrit

Shejkh Uthejmin:

“I lejohet njeriut që t’i ngarkojë fëmijët e vet apo të tjerët, që ta nxjerrin zekatul-fitrin për të.”

Mexhmu’u Fetaua ue Rasail, (18/262)

 

12. A lejohet që zekatul-fitri të nxirret në vlerë monetare e jo në ushqim?

Shejkh Ibën Baz:

“Nuk lejohet që të nxirret në vlerë monetare sipas shumicës së dijetarëve, për shkak se e kundërshton atë që ka thënë tekstualisht Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.”

Mexhmu’u Fetaua, (14/32)

 

13. A lejohet të dërgohet zekatul-fitri në një vend tjetër?

Shejkh Ibën Baz:

“Sunneti është që personi i cili e jep zekatul-fitrin, ta shpërndajë atë në mesin e të varfërve në vendin ku jeton, në mënyrë që t’ua përmbushë nevojat e të varfërve, e të mos e çojë atë jashtë vendit të tij.”

Mexhmu’u Fetaua (14/213).

 

14. A lejohet të dërgohet zekatul-fitri në një vend tjetër nëse nuk gjen nevojtar në vendin ku jeton?

Shejkh Uthejmin:

“Dërgimi i zekatul-fitrit në një vend tjetër nëse bëhet për shkak të nevojës, që do të thotë se nuk gjen ndonjë njeri të varfër në vendin tënd, atëherë s’ka problem për këtë. E nëse e bën këtë pa nevojë dhe në vendin tënd ka njerëz nevojtarë që e pranojnë atë, atëherë kjo gjë nuk lejohet duke u bazuar në mendimin e disa dijetarëve.”

Mexhmu’u Fetaua ue Rasail, (18/318)

 

15. A lejohet që zekatul-fitri t’u shpërndahet disa personave apo një personi të vetëm?

Komisioni i Përhershëm i Fetvave:

“Lejohet që zekatul-fitri t’i jepet një personi, ashtu siç lejohet që t’u shpërndahet disa personave të ndryshëm.”

Fetaua el-Lexhneti ed-Daimeh, (9/377)

 

16. Gjykimi për atë që e merr zekatul-fitrin pastaj e shet atë

Komisioni i Përhershëm për Ferva:

“Ai që e merr zekatul-fitrin dhe është nevojtar, i lejohet që ta shes atë pasi që e ka marr.”

Fetaua el-Lexhneti ed-Daimeh, (9/380).

 

17. Vonimi i zekatul-fitri deri pas faljes së namazit të Bajramit

Shejkh Uthejmin:

“Vonimi i zekatul-fitrit deri pas namazit të Bajramit, është haram dhe nuk vlen si zekatul-fitër, për shkak të hadithit të Ibën Abbasit – radijAllahu ‘anhuma –:

“Ai që e jep atë para namazit, është zekat i pranuar, kurse ai që e jep pas namazit, llogaritet një sadaka prej sadakave.”

Mexhmu’u Fetaua ue Rasail, (18/266).

 

 

Përzgjodhi dhe përktheu: Jeton Shasivari

 

 

Attachments:
FileDescriptionFile size
Download this file (Dispozita të përmbledhura të Zekatul-Fitrit – Grup Dijetarësh.pdf)Dispozita të përmbledhura të Zekatul-Fitrit – Grup Dijetarësh.pdf 851 kB