Bismilah...

Autor: Imam Ibën Kajjim el-Xheuzije

Burimi: El-Uabilu es-Sajjib, fq. 57, botimi “Daru ‘Alemil-Feuaid.”

 

 

Agjërues (i vërtetë) është ai që i ruan gjymtyrët e tija nga gjynahet dhe e frenon gjuhën nga gënjeshtra, fjalët e këqija dhe fjalët e ndaluara (haram); e frenon stomakun nga ngrënia dhe pirja, e frenon organin nga marrëdhëniet intime të ndaluara. Nëse flet, nuk flet me atë që e dëmton agjërimin e tij, e nëse vepron diçka, nuk vepron me atë që e prish agjërimin e tij. Kështu që, çdo fjalë që del prej tij, është e dobishme dhe e mirë. Po ashtu janë edhe punët e tij.

 

Pra, fjalët dhe punët e tij, janë në gradën e erës së mirë që e nuhat ai që rri me shitësin i parfumeve. Njësoj është edhe ai që rri me agjëruesin, përfiton nga ndenjja me të dhe është i siguruar në këtë ndenjje nga fjalët e ndaluara (haram), gënjeshtrat, fjalët e pahijshme dhe padrejtësitë. Ky është agjërimi i ligjëruar me Sheriat. E nuk është agjërimi thjesht të heqësh dorë nga ngrënia dhe pirja.

 

Një hadith i vërtetë thotë:

 

«مَنْ لَمْ يَدَعْ قَوْلَ اَلزُّورِ وَالْعَمَلَ بِهِ, وَالْجَهْلَ, فَلَيْسَ لِلَّهِ حَاجَةٌ فِي أَنْ يَدَعَ طَعَامَهُ وَشَرَابَهُ»

“Ai që nuk i lë fjalët e ndaluara (haram), punën me to dhe nuk e lë xhehl-in (çdo armiqësi ndaj njerëzve), Allahu nuk ka nevojë që ai ta lë ushqimin dhe pirjen e tij.” [1] 

 

Në një hadith tjetër qëndron:

 

رُبَّ صَائِمٍ حَظُّهُ مِنْ صِيَامِهِ الْجُوعُ وَالْعَطَشُ

“Sa i mjerë është ai agjërues që si hise nga agjërimi i tij i takon uria dhe etja.” [2]

 

Pra, agjërimi është të ruash gjymtyrët e tua nga mëkatet dhe ta frenosh barkun tënd nga pirja dhe ngrënia. Ashtu si ngrënia dhe pirja që e ndërpresin dhe e prishin agjërimin, po ashtu edhe mëkatet ia ndërpresin shpërblimin dhe ia prishin “frytet”. Kështu ai agjërues është në nivelin e atij që nuk ka agjëruar.

 

Fundnotat:

[1] E ka nxjerrë Buhariu (6057) nga hadithi i Ebu Hurejras – Allahu qoftë i kënaqur me të.

[2] E ka nxjerrë Nesaiu në “el-Kubra,” (3236, 3237), Ibën Maxheh (1690), Ahmedi (3/379), Darimiju (2620). E ka saktësuar Shejh Albani në “Sahihu Tergib” (1/262).

 

Përktheu: Jeton Shasivari