Bismilah...

Autor: Salih bin Feuzan el-Feuzan

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.

Njohje e shkurtër me melaiket

Të gjitha falënderimet dhe lavdet i takojnë Allahut, Zotit të gjithësisë. Lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin, si dhe mbi Familjen dhe të gjithë Shokët e tij.

Grada e dytë nga gradat e fesë është Imani. Ai ka gjashtë shtylla: besimi në Allahun, në Melaiket e Tij, në Librat e Tij, në të Dërguarit e Tij, në ditën e Gjykimit dhe besimi në Kader, qoftë i mirë apo i keq.

Këto janë gjashtë shtyllat e Imanit. Besimi në Allahun i Plotfuqishëm e të Madhërishëm, në Rububijen e tij, në Uluhijen e Tij dhe në Emrat e Tij dhe Cilësitë e Tij. Ky është besimi në Allah i Plotfuqishëm dhe i Madhëruar.

Pastaj është besimi në Melaike. Melaiket janë robër të cilët Allahu i krijoi nga drita, ndërsa Ademi dhe pasardhësit e tij u krijuan nga balta, siç e ka përmendur Allahu – SubhaneHu ue Te’ala –. Melaiket janë disa llojesh. Janë melaiket rojtarë, që janë të ngarkuar me ruajtjen e veprave të njerëzve, të cilët ndërrohen natën dhe ditën; prej tyre janë melaiket përcjellës, të cilët e mbrojnë birin e Ademit:

لَهُ مُعَقِّبَاتٌ مِّن بَيْنِ يَدَيْهِ وَمِنْ خَلْفِهِ يَحْفَظُونَهُ مِنْ أَمْرِ اللَّهِ

“Njeriu ka përcjellës (engjëj), para tij dhe pas tij, që e mbikëqyrin atë me urdhrin e Allahut.” [err-Rra’d, 11]

Gjithashtu melaiket janë të ngarkuar që të zbatojnë urdhrat e Allahut të Madhërishëm e të Lartësuar te krijesat e Tij. Melaiket nuk kanë të numëruar. Ka nga ata që mbajnë Fronin e Allahut, e ata janë katër, kurse në Ditën e Gjykimit do jenë tetë:

وَيَحْمِلُ عَرْشَ رَبِّكَ فَوْقَهُمْ يَوْمَئِذٍ ثَمَانِيَةٌ

“...e atë ditë, tetë (engjëj) e bartin mbi vete Arshin e Zotit tënd.”  [El Hakkah, 17]

Ata do të dyfishohen kur të bëhet Dita e Gjykimit, do të jenë tetë. Ka melaike të shumtë, nuk e di numrin e tyre vetëm se Allahu – SubhaneHu ue Te’ala –.

Ata zbresin në tokë me lejen e Allahut:

وَمَا نَتَنَزَّلُ إِلَّا بِأَمْرِ رَبِّكَ ۖ لَهُ مَا بَيْنَ أَيْدِينَا وَمَا خَلْفَنَا وَمَا بَيْنَ ذَٰلِكَ ۚ وَمَا كَانَ رَبُّكَ نَسِيًّا

“Ne (engjëjt) zbresim vetëm me urdhrin e Zotit tënd. Atij i përket gjithçka që është para nesh, gjithçka që është pas nesh dhe gjithçka që është në mes. Dhe Zoti yt nuk harron kurrë.” [Merjem, 64]

Melaiket janë të shumtë, e secili lloj ka punën e caktuar në këtë univers.

لا يَعْصُونَ اللَّهَ مَا أَمَرَهُمْ وَيَفْعَلُونَ مَا يُؤْمَرُونَ

“Ata (ëngjëjt) nuk janë të pabindur ndaj Allahut kur Ai i urdhëron, porse ata bëjnë atë që urdhërohen.” [Tahrim, 6]

Këta janë melaiket e nderuar. Ne nuk mund t’i shohim ata, ngase i përkasin botës së padukshme. Ata nuk duken derisa të bëhet Kijameti, atëherë do të shihen.

يَوْمَ يَرَوْنَ الْمَلَائِكَةَ لَا بُشْرَىٰ يَوْمَئِذٍ لِّلْمُجْرِمِينَ وَيَقُولُونَ حِجْرًا مَّحْجُورًا

“Për kriminelët atë ditë kur i shohin engjëjt nuk ka gëzim, sepse ata (engjëjt) u thonë: “Është e ndaluar çdo e mirë (apo Xhenneti është haram për ju)!” [El Furkan, 25]

Janë edhe melaiket që mbajnë Fronin e Allahut, të cilët janë me trupa të mëdhenj, me fuqi shumë të madhe e me përmasa gjigante.

Kështu që, është detyrë besimi në melaike, sepse besimi në to është shtyllë prej shtyllave të Imanit, siç është besimi në Allah, në melaike dhe në Libra të cilët zbritën te të Dërguarit, siç janë ata që i ka përmendur Allahu me emra, si Teurati, Inxhili, Kur’ani dhe Zeburi, si dhe Librat e tjerë që nuk janë përmendur.

Allahu i Lartësuar e di më së miri.

Lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin  mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin.

 

Përktheu: Abdullah Beqiri

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org